Viktor Doda/ Për kolegët e mi gjeologë!

    619
    Sigal

    Ata dhe brezi i tyre kanë kontributin e madh në kryerjen e studimeve dhe hartografimeve

    U njoha me shkrimet e dy kolegëve, Prof. Dr. Irakli Premti dhe Inxh. Zef Toska, botuar respektivisht në datat 17.12.2014 dhe 13.01.2015, në gazetën “Telegraf”. Së pari ju uroj shëndet dhe jetë të gjatë kolegëve të mi. Unë e vlerësoj kontributin e gjeologëve shqiptarë në dekada të tëra që me punën dhe aftësitë e tyre profesionale i kanë dhënë vendit një pasuri të madhe në kërkim-zbulimin e vendburimeve të naftës, gazit, kromit, bakrit,hekur-nikelit, boksideve, qymyreve, materialeve dekorative dhe të ndërtimit, ujërave nëntokësore, në studimet gjeologo-inxhinierike, etj. Ata dhe brezi i tyre kanë kontributin e madh në kryerjen e studimeve dhe hartografimeve të llojeve dhe shkallëve të ndryshme, në të gjitha fushat e gjeoshkencave të Shqipërisë.  Puna e tyre ka qenë e vlerësuar dhe i ka shërbyer vendit dje,  por i shërben sot dhe do i shërbejë edhe në të ardhmen. Të gjithë specialistët dhe studiuesit e huaj që kanë ardhur në vendin tonë pas vitit 1990 e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë punën dhe studimet e gjeologeve shqiptarë, madje kanë ngelur të befasuar nga niveli i tyre i lartë shkencor. Këtë e shprehën edhe në Kongresin e XX-të Ndërkombëtar Karpato-Ballkanik, që u mbajt në Tiranë më 24-26 Shtator 2014. Unë i mirëkuptoj shqetësimet dhe merakun që kanë kolegët e mi, por dua ti garantoj ata dhe gjithë opinionin e gjeologëve shqiptarë kudo ku punojnë e jetojnë se qeveria Shqiptare, Ministria e Energjisë dhe Industrisë janë të vëmendshme ndaj Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Që vitin e kaluar ka filluar dhe vazhdon puna për reformimin e këtij sektori në aspektin ligjor, strukturor dhe programor. Ky reformim bazohet në eksperiencën që ky institucion ka me dekada, por dhe në përvojën e shërbimeve Gjeologjike Evropiane, ku Shërbimi Gjeologjik Shqiptar është i anëtarësuar. Vitin e kaluar është hartuar projekt ligji i ri i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar me konsulencë të personaliteteve më të shquar të gjeologjisë shqiptare dhe së shpejti do të fillojë procedura për diskutimin dhe miratimin e tij në Institucionet përkatëse të shtetit. Me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave në prill të vitit të kaluar (2014) është miratuar struktura e re organizative e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar sipas modelit të Shërbimeve Gjeologjike Evropiane, ku për herë të parë, përveç strukturave të tjera, është ngritur dhe struktura e gjeologjisë detare që nuk ekzistonte më parë. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ka programe të qarta së bashku me struktura të tjera të vendit në vlerësimin e përcaktimin e zonave perspektive për naftën e gazin, kromin, bakrin, hekur-nikelin, etj. Janë 25 kompani vendase dhe të huaja që kryejnë studime e punime kërkim-zbulimi, të cilat monitorohen nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, pa përmendur këtu qindra kompani që merren me shfrytëzimin e burimeve natyrore të vendit tonë. Për problemet e ujërave nëntokësore, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar po punon me një program të detajuar si për monitorimin e burimeve e baseneve të ujërave nëntokësore, kryerjen e vrojtimeve dhe studimeve të ndryshme në këtë fushë dhe këtë vit do të përfundojë harta e re hidrogjeologjike e Shqipërisë në shkallë 1: 200000. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar po punon për kryerjen e studimeve të ndryshme gjeologjike, metalogjenike, tektonike, gjeoambientale, gjeologo-inxhinierike, të gjeologjisë detare, etj në shkallë rajonale e regjionale në të gjithë territorin e vendit, si dhe është duke bashkëpunuar me vendet fqinje për problematikën e gjeologjisë ndërkufitare. Ne punojmë dhe në fushën e hartografimeve të ndryshme shumë qëllimore në shkallë 1:25000 dhe 1: 50000 që kanë të bëjnë përveç studimeve bazë të gjeoshkencave edhe me zhvillimin dhe mire administrimin e territorit të vendit në nivel bashkie e qarku në të gjithë territorin e vendit.

    Të nderuar kolegë:

    Unë jam i vetëdijshëm se duhet shumë më tepër punë e investime për studime të thelluara gjeologjike, gjeofizike, etj në tokë dhe në det, por mundësitë tona në këtë drejtim tani për tani janë të kufizuara për financime të mëdha në këtë fushë, të cilat do të vijnë duke u përmirësuar gradualisht në të ardhmen me mundësitë tona dhe duke bashkëpunuar edhe me partnerët e investitorët privatë brenda e jashtë vendit në këtë fushë. Megjithëse ne kemi të përcaktuar mirë drejtimin e zhvillimit të këtij sektori në vazhdimësi të gjithë gjeologët shqiptarë kudo që jetojnë e punojnë brenda dhe jashtë vendit janë të mirëpritur të japin kontributin e tyre teorik dhe praktik për zhvillimin tonë në perspektivë. Ju garantoj se Shërbimi Gjeologjik Shqiptar do të jetë kurdoherë i vëmendshëm dhe i hapur për të diskutuar me ju për një të ardhme sa më të mirë të këtij sektori. Jeni të mirëpritur dhe mirë se të vini me kontributet tuaja praktike e shkencore. Me respekt e mirënjohje për gjithë punën që kane bërë gjeologët shqiptarë e të huaj, për të zhvilluar vendin tonë për shumë dekada.

     *Drejtor i Përgjithshëm i SHGJSH