Viktor Bakillari mes thërrmijëzave gjuhësore të shqipes

811
Sigal

Ramiz Hamzollari

“Verba volant, scripta immanent” ( Fjala tretet, shkrimi mbetet) Me këtë thënie të huazuar nga latinishtja, e hap librin e tij pedagogu dhe studiuesi i gjuhësisë, Viktor Bakillari. Autori në 212 faqet e punimit të tij, ka vëzhguar dhe hulumtuar gjuhën shqipe. Në shqipërimin e tij “ Moris Karem” ( Shenja pikësimi), në një “dialog mes fjalës, presjes, pikës…” i hap udhë hulumtimit të tij, mbi fjalët, shprehjet, thërrmijëzat gjuhësore në gjuhën shqipe. Tryezën e lëndës të veprës së tij studimore, Bakillari e ka ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, lexuesit i servir vëzhgimet dhe hulumtimet e tij, në labirintet e pafund të shqipes.. Ishte linguisti gjerman Lajbnic, i cili shkruante mikut të tij, Matyrin Vejser La Kroz, që “ të merrej me studimin e gjuhës shqipe, e cila meritonte të studiohej dhe të krahasohej me gjuhët më të vjetra të botës.” Kështu, autori Bakillari, pasi na parashtron tezat, studimet, përfundimet e albanologëve dhe studiuesve të huaj, që kanë hulumtuar gjuhën shqipe, shpalos në faqet e librit të tij, edhe konsideratat e linguistëve të shquar për gjuhën tonë. Natyrshëm autori kalon tek Konica, De Rada, Vaso Pasha, Kristoforidhi, Çabej etj. Në tryezën e parë të studimit të tij,Viktor Bakillari jo pak vëmendje i kushton çështjes së drejtshkrimit të shqipes, duke bërë një shëtitje në emërtimet e shkruara në tabelat e institucioneve shtetërore. Rezultati?!! Kudo gjen gabime drejtshkrimore, p.sh: ( SHERBIMI I URGJENCES MJEKSORE TIRANE duhet NDIHMA E PARË MJEKËSORE TIRANË: ) apo mungesën e “ë”-ë në trup dhe fund të fjalës, heqjen apo shtimin e nyjave të panevojshme, mungesa e vizës lidhëse mes fjalëve etj. “Identitet gjuhësor i cunguar i tregtarëve shqiptarë” përshkruan autori ndjesinë që i krijojnë tabelat apo reklamat e bizneseve, dyqaneve, qendrave tregtare etj. E folmja e fshatit Grevë e ka shtyrë drejt studimit dhe hulumtimit të saj Bakillarin. Duke i mëshuar faktit se vendlindja e tij është Greva e Tomorricës në Skrapar, autori na tregon disa nga emërtesat e veglave bujqësore, enëve të gatimit, na tregon për “shtatoren” në avllitë e shtëpive, rrushin kokërrvogël “larush”, “lesë”-n, “ fre”-në, “qofkë”-n etj. “Fjalorthi” do të përmbyllë pjesën e parë të librit të Viktor Bakillarit, për të kaluar natyrshëm në pjesën e dytë të tij, ku faqe pas faqe, do të njihemi me thërrmijëza gjuhësore rreth përdorimit të saktë të shqipes, me sythe, bisqe mendimesh, anekdota, humor etj. Autori, pasi na tregon një ndodhi nga jeta e Hygoit (një letërkëmbim fare të shkurtër të tij me botuesin), na paraqet disa gabime gjuhësore që ndeshim shpesh në të shkruarën dhe të folurën e përditshme. Në fokus është përdorimi jo i drejtë i shqipes, në gjuhën e politikanëve,publicistëve etj. Jo pa qëllim Bakillari përmend një shprehje të Faik Konicës: “ Toskërishtja- gjuhë e prozës: Gegërishtja- gjuhë e poezisë”, për të na treguar rreth pasurimit të gjuhës shqipe, huazimeve, përdorimit të fjalëve të huaja, gabimet gjuhësore gjatë të shprehurit, e për të shkuar drejt standardizimit, e ku sipas akademikut Ali Hadri “Një komb-një gjuhë letrare kombëtare, një drejtshkrim” Autori, mbështetet në thënien e Herderit “ Një komb nuk mund në asnjë mënyrë tjetër të dalë nga barbaria, përveçse duke punuar gjuhën e vet”, për të na treguar se gjuha amtare është ushqimi i parë dhe i përbashkët, që jep gjallëri popullit. Si për ta ilustruar idenë e tij, në faqet e librit na tregon disa neologjizma: shprehje popullore: na tregon për kuptimin e togfjalëshit “ si gratë ( plakat) e Prishtë)”: na tregon disa nga visaret etno-folklorike dhe kulturore të Tomorricës:etj Përfundimisht, Viktor Bakillari, pasi bën një kronologji të shkurtër të gjuhës shqipe, librin e tij e mbyll me disa kureshtje për alfabetin më të lashtë, mbiemrin më të përhapur në botë etj. Të gjithë ju që dëshironi të informoheni më shumë rreth larmisë së shqipesh së folur e të shkruar, shfletoni “ Thërrmijëza gjuhësore” nga autori Viktor Bakillari.