Vidhet fondi, gjimnazi i Bulqizës ende në rikonstruksion, mësimi nis pas 2 javësh

494
Sigal

Dje në të gjithë vendin filloi viti i ri akademik për ciklin shkollor 2013-2014. Shkollat e mesme, ato 9-vjeçare, kopshtet dhe çerdhet gumëzhinin nga brohërimat e fëmijëve, të cilët rrezatoni gëzim dhe dhuronin vetëm buzëqeshje. Por një fat të tillë nuk e kanë pasur nxënësit e gjimnazit të përgjithshëm “Xhevdet Doda”, në Bulqizë. Për ta ende nuk janë hapur dyert e shkollës. Në këtë gjimnaz kanë dy vjet që kanë filluar punimet për rikonstruksionin e godinës dhe as këtë vit nuk kanë përfunduar. Sipas të dhënave bëhet e ditur se fondi i akorduar për rikonstruksionin është përdorur gjatë fushatës elektorale që u bë më 23 Qershor nga përfaqësues të PD-së. Dhe ky është shkaku që ditën e djeshme nxënësit nuk patën fatin të uleshin nëpër banka. Burimet sqarojnë se, mësimi është shtyrë për 2 javë të tjera me shpresën se do të gjendjet një zgjidhje. Por aktualisht në shkollë përveç mureve nuk ka asgjë tjetër dhe ndoshta do të duhet më tepër se dy javë kohë për të rregulluar pjesët e dëmtuara, për ta pajisur me materialet mësimore e për të plotësuar kabinetin e informatikës apo edhe laboratorët. Madje, këtij gjimnazi edhe rrjetin elektrik ia kanë vjedhur komplet. “Derisa nuk u gjet një zgjidhje gjatë muajve të verës atëherë si do të zgjidhet ky problem për dy javë?” -thanë prindërit e irrituar. Kryetari i Bashkisë nuk reagon për këtë problem që ka qyteti, por vetëm mjaftohet me fjalët se çdo gjë do të rregullohet. Nxënësit dhe qytetarët ndihen të indinjuar dhe kërkojnë që sa më parë të vendoset se ku do ta zhvillojnë mësimin.