Vëzhguesit e huaj: Votimi i qetë dhe në proces, qytetarët po votojnë

513
Prej orës shatë të mëngjesit, qytetarët shqiptarë iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e qyteteve të të gjithë vendit. Procesi I votimit në Tiranë, ka shkuar përgjithësisht i qetë dhe pa incidente, dhe nuk janë shënuar radhë të gjata.
Në kryeqytet ka qenë edhe prania më e madhe e vëzhguesve ndërkombëtarë. Kryevëzhguesja e OSBE/ODIHR, Audrey Glover, ishte në shkollën “Hasan Prishtina”, ku ka deklaruar se deri më tani nuk është paraqitur asnjë problem.
Audrey Glover: Ne po vëzhgojmë në shkollën “Hasan Prishtina”. Ndërkohë që në të gjithë Shqipërinë ka vëzhgues. Nuk kemi asnjë raport, apo të dhënë për ndonjë problem që mund të kenë ndodhur. Por, për pamjen e përgjithshme të procesit, do të flasim nesër në konferencën për shtyp.
Ndërsa ambasadori amerikan Donald LU, në mëngjes ka vëzhguar procesin nga Vora dhe më pas, ka viziuatur disa qendra votimi në Tiranë. Diplomati amerikan nuk ka folur për mediat, por në ‘Facebook’, ka lënë këtë mesazh:
“Unë jam njëri prej pothuajse 300 vëzhguesve ndërkombëtarë, së bashku me qindra vëzhgues të tjerë vendorë, të cilët po i monitorojnë këto zgjedhje nga afër. Ne jemi këtu për të mbështetur qytetarët shqiptarë dhe të drejtën e tyre, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhje të mbara, qytetarëve shqiptarë!”
Ambasadorja çeke në Tiranë, Bronislava Tomášová, ishte në Vorë, ku u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve për të votuar.
Bronislava Tomášová: Votimi është ende në proces. Mund t’ju siguroj, se qytetarët po votojnë. Pjesëmarrja 27 për qind deri tani, më duket një përqindje shumë e mirë. U bëj thirrje njerëzve të mos e humbin këtë mundësi dhe të vijnë për të votuar. Vëzhguesit tanë janë në të gjithë vendin. Edhe ambasadorët e akredituar në Shqipëri, po monitorojnë zgjedhjet. Pas bisedimeve që bëmë, vendosëm të monitorojmë të gjithë vendin, sidomos disa zona të veçanta.
Zgjedhjet e 21 qershorit, po monitorohen nga qindra vëzhgues të huaj dhe vendas.
Sigal