“Vetro Energy” prezanton strategjinë për ‘Albpetrol’

    355
    Sigal

    Roszak: “Albpetrol’ do të zgjerojë aktivitetin e tij në Europën Lindore dhe Ballkan, duke e bërë Shqipërinë qendër energjetike”

    Pas vendimit të qeverisë për shpalljen fituese të kompanisë “Vetro Energy” në tenderin për privatizimin e ‘Albpetrol’, janë prezantuar në Tiranë aksionarët e konsorciumit. Aksionarët e “Vetro Energy” janë “YPO Holding” dhe “SilkRoad Equity”.

    “Vetro Eenergy” ka fituar tenderin për privatizimin e Albpetrol. “Ne paraqitëm një ofertë impresionuese dhe premtojmë se do të punojmë shumë për të rritur potencialin e ‘Albpetrol’. Ne erdhëm me disa konsiderata për Shqipërinë, këtu ka sistem politik të qëndrueshëm. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ndodhet në një pozicion gjeostrategjik të rëndësishëm, pasi këtu ndërthuren projektet e transmetimit të gazit. ‘Albpetrol’ do të zgjerojë aktivitetin e tij në Europën Lindore dhe Ballkan, duke e bërë Shqipërinë qendër energjetike”, deklaroi Mathew  Roszak, President i kompanisë “Vetro Energy”. Kompania fituese, veç ofertës prej 850 milionë euro ofruar për 100 % të aksioneve të ‘Albpetrol’, në pesë vitet e ardhshme do të investojë 220 milionë dollarë. Në konferencë, Roszak, president i “Vetro Energy”, prezantoi pronarin e ARMO-s, Rezart Taçi, si president i kompanisë “YPO Holdings”, që është partneri kryesor në konsorcium. Rezart Taçi bëri të ditur programin e investimit në ‘Albpetrol’ të “Vetro Energy”, që do të investojë 220 milionë euro në 5 vjet, duke bërë të mundur që kërkesa e brendshme për karburante të plotësohet nga tregu vendas. “Do të riaktivizojmë puset jo aktive dhe do të hapim puse të reja. Kompanitë do të mbyllin ciklin, duke prodhuar, rafinuar dhe shitur nënproduktet e naftës”, tha Taçi.

    “Grupi ynë në këtë projekt plotëson ciklin e tij të biznesit ose siç thuhet ndryshe në terminologjinë e fushës, integrohet vertikalisht, që do të thotë, nxjerr, rafinon dhe shet tek konsumatori fundor. Nëpërmjet këtij integrimi konsumatori shqiptar do të marri produkt shqiptar e me kosto të ulët. E dyta, përfitojnë punonjësit shqiptarë sepse nëpërmjet rafinerimit në industrinë vendase të naftës, që janë pasuri kombëtare, do të sjellë të ardhura shtesë edhe për ta. Së treti, do të përfitojë ekonomia shqiptare nëpërmjet hapjes së mundësive për industrinë mbështetëse dhe rritjes së të ardhurave nga taksat që derivojnë nga përpunimi në vend i naftës bruto”, deklaroi Rezart Taçi, përfaqësues i “YPO Holding”. Më tej Taçi u shpreh se: “Brenda një jave do të nisë negocimi i kontratës me ministrinë e Ekonomisë si dhe me kontratat ekzistuese, ku do të bëhen vlerësimet, certifikimet për çdo marrëveshje koncensionare që ka ‘Albpetrol’. Pas miratimit nga qeveria, trajtimi i kontratës kërkon 1-2 muaj, ku do jepet 20% e vlerës se ofertës 170 milionë euro, më pas do jetë ratifikimi i kontratës në Kuvend. Ditën e bërjes efektive të saj do të bëhet pagesa që do jetë me një këst dhe e vetme, si kusht i qeverisë”.