“Veting” edhe për krimin e xhambazëve të BSPSH e KSSH të cilët zhdukën, vodhën dhe shitën pasuritë kombëtare të sindikatave

663

Gazeta Telegraf/


Drejtësia të veprojë urgjent/ Po
vazhdon abuzimi me pronat e mbetura të sindikatave, bërë në 24 vite prej krerëve
hajdutë të BSPSH dhe KSSH

Sigal

“Veting” edhe për krimin e xhambazëve të BSPSH e KSSH të cilët zhdukën,
vodhën dhe shitën pasuritë kombëtare të sindikatave

Përparim HALILI

Punonjësit kërkojnë që shteti të veprojë, duke përfshirë
në procesin e “Veting-ut” edhe krimin e xhambazëve të BSPSH, KSSH, SPMSH, OSPN,
SPASH e të disa vemjeve të tjera sindikale, të cilat zhdukën, vodhën dhe shitën
pasuritë kombëtare të sindikatave, duke i kthyer edhe në pasuri personale e
familjare për 10 breza…

Drejtësia ka detyrimin ta zbardhë këtë krim gjigant, duke
rihapur dosjen e mbyllur afro 6 vite më parë! Shteti duhet të veprojë urgjent,
për të zbardhur, ndalur dhe ndëshkuar masakrën e bërë me këto pasuri kombëtare
që janë tjetërsuar në qejfe, llogari bankare, biznese, fajde, pallate e vila të
agallarëve të sindikatave

Publikimi nga “Telegraf” i krimit ekonomik-financiar, lidhur me pronat e
ish-Bashkimeve Profesionale, bërë prej BSPSH, KSSH, SPMSH, OSPN e ndonjë
“sindikatë mizë kolektorësh”, ka krijuar shumë reagime të ashpra, dërguar në
gazetën tonë nga sindikalistë të tallur e të shitur, nga punonjës të
institucioneve e shërbimeve publike dhe private, nga ish-punonjës e intelektualë
të shpërfillur e të hedhur në rrugë prej analfabetëve e dallkaukëve të vendosur
në krye të sindikatave, për shkak të pazareve të pista të bëra pre tyre me
shtetarë. Pasi në vitin ’90, sigurimi i shtetit dhe ish-partia shtet inskenoi procesin
e kallajisjes së “kazanit të ndryshkur” të ish-Bashkimeve Profesionale, përzgjodhi
të besuarit e saj, klonoi sindikatat blu, rozë, jeshile e ngjyrë hallvë (kafe) sipas
skenarit të “Katovicës” dhe u dha në përdorim deri në vitin 2020 pronat e
ish-Bashkimeve Profesionale, për t’i përdorur si resurse pushimi, vjetor e
argëtimi kulturor për punonjësit. Punonjësit i besuan verbërisht udhëheqësit e “desantuar”
nga ish-partia shtet në krye të sindikatave të klonuara prej saj, paçka se e
dinin se çfarë “kallëpi” ishin! Pikërisht këta, i shkatërruan pronat. e
sindikatave. Çfarë ndodhi? Çfarë thonë punonjësit? Në çdo reagim, kërkohet vetëm
një gjë: Hapje e dosjes së këtij krimi me vlerë mbi 2 miliardë euro. Kërkohet sekuestro
e pronave të tjetërsuara të sindikatave. Kërkohet hetim dhe ndëshkim i ish-krerëve
e krerëve aktualë të sindikatave, që kanë firmosur këtë krim ekonomik-financiar,
i cili po vazhdon pa u ndalur me zhvatje qirash të objekteve të mbetura pa u
shitur e pa u kthyer në troje për vila, për fshatra turistikë, për resorte
turistike, për qendra rezidenciale banimi, për qendra biznesi, për qendra
sportive e grataciele! Punonjësit kërkojnë që shteti të veprojë, duke përfshirë
në procesin e “Veting”-ut edhe krimin e xhambazëve të BSPSH, KSSH, SPMSH, OSPN,
SPASH e të disa vemjeve të tjera sindikale, të cilat zhdukën, vodhën dhe shitën
pasuritë kombëtare të sindikatave, duke i kthyer edhe në pasuri personale e
familjare për 10 breza! Drejtësia ka detyrimin ta zbardhë këtë krim gjigant,
duke rihapur dosjen e mbyllur afro 6 vite më parë! Shteti duhet të veprojë
urgjent, për të zbardhur, ndalur dhe ndëshkuar masakrën e bërë me këto pasuri
kombëtare që janë tjetërsuar në qejfe, llogari bankare, biznese, fajde, pallate
e vila të agallarëve të sindikatave. Nuk po kërkon askush llogari, se përse
agallarët e sindikatave kanë tradhtuar punonjësit, mbasi vetë punonjësit janë
ata që duhet të reagojnë duke i përzënë ata “me daulle” nga zyra-mejhanet e
sindikatave! Nuk po kërkohet as se cilët persona(e) emërojnë sekretare e cilët
(cilat) marrin agallarët e sindikatave në “vizita pune” jashtë shtetit! Kërkohet
vetëm një gjë: të zbardhet krimi me pronat dhe llogaritë financiare të
sindikatave! Këtë e detyron ligji. Sindikatat vërtetë që janë OJF, por
administrojnë pasuri kombëtare e jo personale dhe duhet të japin llogari për
fatin dhe të ardhurat prej tyre! Gazeta “Telegraf” do të vazhdojë të publikojë
denoncimet që kanë ardhur nga sindikalistët dhe investigimet që ka bërë gazeta,
mbi këtë krim të një grupi individësh të maskuar si “drejtues sindikatash” të
graduar pas një legjitimiteti fiktiv të blerë me vota 10 mijë lekëshe në
kongrese fiktive. Është fakt tronditës, që pronat shtetërore, djersë e popullit
shqiptar, të cilat në mënyrë antikushtetuese u janë dhënë sindikatave, prej 24
vitesh janë marrë peng e janë kthyer në plaçkë tregu prej krye-batakçinjve dhe
disa “çingijeve” të mbledhura prej tyre në kupolat e sindikatave, bashkuar me
qëllimin e vetëm: pasurimin dhe qejfet e tyre! Çfarë ka ndodhur e po vazhdon të
ndodhë me pronat e sindikatave? Sot po publikojmë masakrën e rëndë që është
bërë dhe po vazhdon të bëhet prej KSSH, BSPSH e SPMSH me pronat e sindikatave në
qarqet Korçë dhe me disa prej pronave te sindikatave në Qarkun e Shkodrës

Shtëpia e Pushimit
të Punëtorëve Korçë

Sipas regjistrit të
Hipotekës Korçë është transkriptuar në Nr. 15/20, datë 20.02.2001 në emër të
Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH). Për objektet e kampit është
regjistruar e drejta e parablerjes në emër të subjektit Roland Demko, për
sipërfaqen 4632.8 m
2, ku 666 m2 janë ndërtesë. Objektet janë marrë me qira nga Firma e Ndërtimit
“KOTEKO” sh p k, përfaqësuar nga Thanas Kote dhe Rezart Kote, për një periudhë
deri në 31. 12. 2020. Objekti është dhënë me qira nga Konfederata e Sindikatave
të Shqipërisë. Aktualisht objekti quhet “Q. B-Hotel KRISTAL” dhe administrohet
nga 2 qiramarrësit. Nuk ka as inventar, as informacion nga KSSH për pasuritë e
luajtshme të ish-kampit të punëtorëve.

 Salla e Lojërave
Korçë

Sipas Hipotekës
Korçë, rezulton se është në pronësi të BSPSH dhe KSSH. Pas verifikimit dhe
inventarizimit në ish-Sallën Lojërave në Qytetin e Korçës” u konstatua:
Ndërtesa funksionon pjesërisht si sallë bilardoje dhe pjesërisht është e lirë.
Kjo pronë pretendohet të merret nga ish-pronarët e vjetër dhe aktualisht është
në proces gjyqësor. Pasuri të luajtshme nuk u konstatuan dhe nuk ka asnjë
informacion apo inventar nga BSPSH e KSSH.

Shtëpia e
Kulturës-Maliq

Sipas Hipotekës
Korçë, konstatohet se me nr. 192/9, datë 20.5.1995 është regjistruar një
Akt-Marrëveshje, nëpërmjet të cilës kjo pronë është e ndarë midis KSSH 50 % dhe
BSPSH 50 %. Ndërtesa ekzistuese është me 2 kate. E gjithë ndërtesa është
restauruar dhe është në pronësi të Bashkisë Maliq, transferuar në bazë të
Ligjit 8744, datë 22.2.2001. Nuk ka asnjë informacion ose inventar nga
sindikatat për fatin e pasurive të luajtshme.

 Shtëpia e Kulturës
Pojan

Sipas Hipotekës
Korçë objekti është shitur prej Qendrës Administrative të objekteve kulturore
të sindikatave KSSH dhe është regjistruar në emër të Mevlude Korkuti. Më tej
prona është transkriptuar në Nr.185/7 dhe Nr 204/7.

 Kinoklubi në Plasë

Objekti ekzistues
është me dy kate. E gjithë ndërtesa është restauruar. Objekti është shitur dhe
aktualisht është në pronësi të Alma Belortaja dhe Dhimitrios Triminos. Objekti
është hipotekuar në emër të sipërpërmendurve me vërtetim pronësie Nr. 61/9,
datë 02.06.2005. Sipërfaqja e ndërtimit është 450 m
2 dhe trualli 1320 m2. Pasuri të
luajtshme nuk u identifikuan dhe nuk ka as inventar, as informacion nga
sindikata.

Shtëpia e Pushimit
të Punëtoreve Dardhë

Nuk figuron e
regjistruar në Hipotekën e Korçës. Objekti është 3 kate. Aktualisht funksionon
si hotel dhe restorant. Ky objekt është dhënë me qira nga BSPSH-ja dhe
disponohet nga Fatmir Rakipi. Pasuri të luajtshme të kësaj shtëpie pushimi nuk
gjenden, janë zhdukur pa inventar.

Salla e Kulturës
Mborje-Drenovë

Sipas Hipotekës
Korçë, ky objekt është shitur dhe transkripimi i fundit është bërë në vitin
1994, në emër të Vangjel Jorgji Samara. Objekti nuk ekziston fare. Trualli
është bosh dhe i rrethuar.

Salla e Kulturës
Vashtmi, komuna Libonik

Nuk eksiton në
Hipotekën e Korçës. Objekti është ndërtesë me 1 dhe 2 kate, i shitur për
llogari të Demir Dumalit. Pasuritë e luajtshme janë zhdukur dhe nuk ka
procesverbal nga sindikata.

Shtëpia e Pushimit
të Punëtorëve Voskopojë

Sipas Hipotekës
Korçë, konstatohet se ky objekt është regjistruar në vol. 8, f. 228 zona
kadastrale Voskopojë, me sipërfaqe 28 mijë e 774 m
2 truall. Kjo pasuri është
me mbivendosje në hipotekë. Me VKKP për sipërfaqen 1500 m
2, BSPSH është
pajisur me certifikatë pronësie. Aktualisht, ekziston vetëm trualli, pasi
objektet e këtij kampi janë tërësisht të rrafshuara. Sipërfaqja e këtij trualli
është 28 mijë m
2.

Kampi i Pionierëve
Voskopojë

Sipas Hipotekës
Korçë, rezulton se është ndarë në disa pasuri brenda BSPSH e janë dhënë me
qira. Kontratat e qirasë janë bllokuar në datë 27. 03. 2008 me urdhër të
Kryeregjistruesit Korçë. Në territorin e këtij kampi gjenden 3 objekte
ekzistuese me nga 2 kate, të dhëna me qira prej BSPSH firmosur e vulosur nga
Gëzim Kalaja, ndërsa për “Hotel Park Voskopoja” sh p k, përfaqësuar nga Agron
Liço dhe Anesti Vrahoriti, me afat qiraje 20 vite, 2008-2028. Përveç objekteve
ekzistuese, në sipërfaqen e këtij kampi janë bërë dhe ndërtime të reja (vila të
vogla druri private). Nuk ekziston asnjë pajisje dhe pasuri e luajtshme e këtij
kampi, asnjë dokument nga BSPSH.

Salla e lojërave
qyteti Ersekë

Sipas Hipotekës
Ersekë, ky objekt i Konfederatës së Sindikatave (KSSH) është shitur nga
sindikata tek person privat, por regjistrimi në Hipotekë është pezulluar si
shitje e paligjshme me Urdhrin Nr. 1/21. 06. 2007 të kryeregjistruesit Ersekë.
Objekti gjendet në katin e parë të një pallati 4-katësh, në qendër të qytetit.
Objekti është ndarë në tre ambiente dhe administrohet: Ambienti i parë,
administrohet nga Bashkim Çabej, funksionon si sallë bilardoje. Ambienti i dytë
është kthyer në sallë lojëra fati. Ambienti i tretë është marrë me qira nga
“FAF” (Shoqëria e Parë e Zhvillimit Financiar), dhënë me qira nga Konfederata e
Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) e cila nuk ka inventar dhe as procesverbal për
fatin e pasurive të luajtshme.

Shtëpia e Pushimit
të Punëtorëve (Pallati Nr. 1) Pogradec

Sipas Hipotekës
Pogradec është në administrim të BSPSH, ndërtesa është dhënë me qira dhe
funksionon si Bar-Restorant Hotel “KALAJA”, me adresë Lagja nr. 1, Rr.
“Dëshmorët e Pojskës”, nuk ekziston asnjë pajisje dhe pasuri e luajtshme, nuk
ka as inventar, as procesverbal për fatin e tyre.

Shtëpia e Pushimit
të Punëtorëve (Pallati Nr. 2) Pogradec

Sipas Hipotekës
Pogradec, kjo pasuri është vënë në sekuestro konservative, në emër të debitorit
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë me qëllim shlyerjen e detyrimeve që ka.
Ndërtesa është dhënë me qira dhe funksionon si Bar-Restorant Hotel “EURO-
KORÇA”, në adresën: Lagja nr. 1, Rr. “Dëshmorët e Pojskës”. Nuk ka asnjë
dokument për fatin e pasurive të luajtshme.

Kampi i Punëtorëve
(kopsht+çerdhe fëmijësh) Pogradec

Nuk figuron në
Hipotekën Pogradec. Objekti është shitur nga Konfederata e Sindikatave (KSSH)
100 % tek pronarët e truallit, nuk dihet se ku kanë përfunduar lekët e shitjes.

Kampi i Pionierëve
Pogradec

BSPSH ka në pronësi
vetëm 155 m
2 sipërfaqe, pjesa tjetër u është dorëzuar pronarëve nga BSPSH. Objektet
e ish-Kampit të Pionierëve janë rrafshuar dhe mbi këtë truall, bashkë me
truallin, pronë e BSPSH, janë ndërtuar pallate banimi. Nuk ka asnjë dokument
për fatin e pasurive të luajtshme.

Sallë Kulture
ish-Ndërmarrja Bujqësore Pogradec

Nuk figuron në
Hipotekën Pogradec. Objekti është kthyer në shtëpi banimi, zënë nga familjarë,
nuk ka asnjë të dhënë për fatin e pasurive të luajtshme.

Shtëpia e Kulturës
“Guri-Kuq” në Pogradec

Sipas Hipotekës
Pogradec, këtë objekt sindikata ua ka shitur privatëve Fatmir Rakipi, Mynyr
Oranlliu, Avni Gjata, Ibrahim Sulellari, Beshir Gjata, Hekuran Meçe, të cilët e
kanë kthyer në shtëpi banimi, nuk ka asnjë dokument për fatin e pasurive të
luajtshme.

Sallë Kulture
Velçan-Bishnicë në Pogradec

Hipoteka Pogradec
ka një vërtetim pasurie të datës 09. 02. 2004 për regjistrimin e kësaj prone në
emër të BSPSH, ndërtesa është dhënë me qira, nuk ka asnjë dokument për fatin e
pasurive të luajtshme.

Ja fati i disa prej pronave të BSPSH e KSSH në qarkun
Shkodër

 

Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve dhe Pionierëve-Shirokë

Nga të dhënat e ZVRPP, Shkodër rezulton se kjo pronë ka sip totale 9620 m2 dhe ndërtesa me
sip. 846 m
2 është regjistruar
në pronësi të BSPSH. Kjo pronë është ndarë në vitin 1994 mes palëve BSPSH-KSSH,
ku 2/3 i merr BSPSH dhe 1/3 KSSH. Sipërfaqja totale e pronës, së bashku me
objektin i është dhënë me qira deri në vitin 2020, tek një subjekt privat. Ku
përfundon qiraja? Nga ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme.

Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve dhe Pionierëve-Razëm

Nga verifikimi rezulton, se shtëpia e pushimit të punëtorëve është blerë
(shitur nga sindikata) dhe regjistruar në hipotekë me Nr. Hipotekor 198, datë
18.10.2002 nga shtetasi L. P, regjistruar me Nr. Pasurie 196/2, zona kadastrale
3834, dhënë me qira prej tij tek një person tjetër! Nuk ka asnjë dokument për
pasuritë e luajtshme.

Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve-Theth

Nuk ka informacion as hipoteka Shkodër, nuk japin informacion as BSPSH e
KSSH, nuk dihet, nëse prona ekziston fizikisht apo jo, sindikatat nuk paraqesin
asnjë dokument qiraje ose shitjeje. Nuk ka asnjë dokument për pasuritë e
luajtshme.

Salla e Lojërave, qyteti Shkodër

ZVRPP nuk ka informacion. Nga verifikimi fizik, rezulton se kjo pronë është
privatizuar dhe regjistruar me Vërtetimin Hipotekor nr. 112, datë 11.8.2006, me
nr. pasurie 4/287, zonë kadastrale 8594, sip. 302 m
2 dhe Vërtetimi Hipotekor nr. 215, datë 18.7.2007 për
pasurinë nr. 4/559, zonë kadastrale 8594, me sipërfaqe. 313 m2 në favor të disa
bashkëpronarëve, për të cilat nuk jepet informacion as nga sindikatat as nga
hipoteka. Nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme.

Salla e Kulturës-Velipojë

ZVRPP nuk ka informacion. Nga verifikimi fizik rezulton, se ndërtesa është
e banuar nga familjarë, thuhet madje, se paguajnë qira nën dorë në sindikatë.
Nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme.

Të nisë hetimi penal për
abuzimet me pronat e sindikatave

 

Asllan Duçellari

Artikulli i botuar dje në
“Telegraf” për pasuritë e sindikatave, trajton një problem shumë të rëndësishëm
lidhur me pronat e sindikatave, që ka të bëjë me tjetërsimin e pronës publike
me një vlerë rreth 2.2 miliardë euro. Është detyrë e organeve ligj-zbatuese, që
ta trajtojnë me seriozitetin e duhur këtë skandal, duke nxjerr përgjegjësitë
përkatëse për zhdëmtimin e pronës së
 tjetërsuar.
Në bazë të ligjit të “Veting-ut”, të gjithë personat e përfshirë në
këtë skandal, duhet të çohen para ligjit, duke sekuestruar pasuritë e grabitura
në kundërshtim me ligjin dhe duke nxjerrë përgjegjësitë penale ndaj personave
që kanë abuzuar me këto pasuri kombëtare. Kjo do ndikonte dhe në rritjen e
rolit të sindikatave, të cilat në vendin tonë janë inekzistente, sepse këto sindikata,
për shkak të krerëve të tyre, janë braktisur nga punëtorët. Për këtë, duhet një
auditim i thelluar i pronave të sindikatave dhe për tjetërsimet e kësaj pasurie
gjigante, bërë nga krerët e tyre në vite. Në bazë të të dhënave të
kontabilitetit dhe akteve të kryera prej tyre për tjetërsimin e kësaj prone,
duhet të nisë veprimi nga organet e specializuara të Kontrollit të Lartë të
Shtetit, si dhe hapja e çështjes penale nga prokuroria, në bazë të shkeljeve të
konstatuara

Gjykata Kushtetuese
ua ka hequr pronat sindikatave, por ato vazhdojnë t’i vjedhin


Gjatë vitit 2009 qeveria njoftoi shtetëzimin e të gjitha pronave që kanë qenë
nën administrimin e Bashkimeve Profesionale (sindikatat). Mazhoranca përgatiti
një projektligj, të cilin e kaloi për votim në Kuvend me debate dhe
kundërshtimin e ashpër të lëvizjes sindikaliste. Madje, ata kërkuan nga
organizmat ndërkombëtare si OSBE, zyra e Komisionit Evropian në Tiranë dhe
Organizata Botërore e Punës (ILO) dhe presidenti i Republikës që të mos lejohej
miratimi i këtij ligji. Por mazhoranca e votoi në Kuvend draftin. Më pas
sindikatat e çuan në Gjykatën Kushtetuese ligjin, e cila nuk iu dha të drejtë
mbi pronësinë e dhjetëra objekteve asnjërës prej sindikatave.

 Të dhëna për pronat
e sindikatave në 12 qarqet

 

Qarku Tiranë: 18
prona, ka informacion nga ZRPP vetëm për 3 prona

Qarku Korçë: 17 prona
ka informacion nga ZRPP vetëm për 12 prona

Qarku Elbasan: 8 prona
ka informacion nga ZRPP vetëm për 7 prona

Qarku Berat: 5 prona
ka informacion nga ZRPP vetëm për 4 prona

Qarku Fier: 12 prona
ka informacion nga ZRPP vetëm për 2 prona

Qarku Durrës: 10 prona
ka informacion nga ZRPP vetëm për 4 prona

Qarku Kukës: 6 prona
ka informacion nga ZRPP vetëm për 4 prona

Qarku Dibër: 5
prona ka informacion nga ZRPP vetëm për 2 prona

Qarku Lezhë: 13 prona
ka informacion nga ZRPP vetëm për 2 prona

Qarku Shkodër: 8 prona
ka informacion nga ZRPP vetëm për 2 prona

Qarku Vlorë: 15 prona
ka informacion nga ZRPP vetëm për 1 prona

Qarku Gjirokastër:
4 prona, ka informacion nga ZRPP vetëm për 2 prona