Veteranët:Ja si shkelet ligji për të na marrë tarifën për përdorimin e aparateve televizive

    326
    Sigal

    Nuk zbatohet ligji për statutin e invalidëve të luftës nga institucionet, ankesa pranë Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar

     Në Shqipëri mund të ndodhin edhe raste të shkeljes së ligjit, i cili është miratuar nga qeveria. Rastet abuzive të shkeljes së ligjeve mund të ketë në shumë institucione, por shkelja e ligjit këtë radhë është bërë në kurriz të veteranëve të luftës dhe invalidëve. Invalidët e luftës me një vendim qeverie janë përjashtuar nga të gjitha taksat e drejtpërdrejta. Në mesin e taksave të drejtpërdrejta që janë përjashtuar invalidët e luftës bën pjesë edhe tarifa e shërbimit për përdorimin e aparateve televizive, e cila kushton 1000 lekë. Dhe pikërisht për këtë taksë është shkelur ligji, pasi veteranët pavarësisht se, janë përjashtuar nga kjo taksë me ligj ato janë të detyruar që ta paguajnë këtë tarifë së bashku me faturën e energjisë elektrike. Për shkeljen e këtij ligji veteranët janë të zhgënjyer nga qeveria dhe kanë bërë ankesa të shumta në drejtim të Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar.

    Shkelja e ligjit

    Me rivendosjen e tarifës së shërbimit për antenat televizive veteranët e luftës janë detyruar të paguajnë këtë tarifë pavarësisht se me ligj janë të përjashtuar. Veteranët e Luftës Nacional Çlirimtare janë përjashtuar nga të gjitha taksat e drejtpërdrejta, me ligjin me nr 7874 datë 23.09.1999. Por ky ligj tashmë është shkelur dhe veteranët janë detyruar që ta paguajnë këtë taksë nga muaji mars i vitit 2013. Kjo tarifë u është mbajtur të gjithë veteranëve dhe invalidëve pa përjashtim. Në lidhje me këtë problem është shprehur për “Telegraf”, veterani Ahmet Saliaj, i cili e quan të padrejtë faktin që po shkelet ligji dhe po paguajnë përsëri veteranët e luftës tarifën për shërbimet e shërbimit për përdorimin e aparateve televizive. “Nga momenti që ka dalë ligji në vitin 1999, ne invalidët e luftës nuk kemi paguar këtë taksën e shërbimit për përdorimin e aparateve televizive. Dhe tani në muajin mars ne na erdhi së bashku me faturën e energjisë elektrike për të paguar edhe tarifën prej 1000 lekësh. Kjo është një padrejtësi që po bëhet në kurriz të veteranëve dhe të invalidëve të luftës. E them padrejtësi për faktin se ishte një ligj i cili e kishte hequr këtë taksë dhe na përjashtonte nga pagesa e kësaj tarife. Por sot qeveria po lejon që të shkelen ligjet hapur”. Për këtë fakt veteranët “fajësojnë” edhe CEZ, e cila bën mbledhjen e kësaj tarife dhe padyshim që edhe CEZ ka përfitimet e tij në këtë mes.

    Veterani Asllan. A. e ka cilësuar CEZ si bashkëpunëtor dhe shprehet shumë i revoltuar. “Në këtë punë ka dorë edhe CEZ, pasi ai bën mbledhjen e parave dhe kam informacion që edhe ai ka përqindjen e tij të përfitimeve në këtë. CEZ-i pasi po na rrjep me faturat e energjisë elektrike, po na rrjet edhe në krahun tjetër duke përfituar nga tarifa që po paguajmë ne”, u shpreh Asllani. Ai thekson se qeveria duhet të marri masa më të forta për zbatimin e ligjeve, pasi Shqipëria ligje ka, por ligjet nuk zbatohen si duhet. “Mesa duket shteti ka nevojë për para tani dhe na vendosi përsëri ne tarifën e cila ishte hequr sipas ligjit”, shprehet zoti Asllan.