Vërtetimet mjedisore që vulosen nëpër restorante e kafene

    410
    Ndotja në Elbasan është e pëditshme, dhe kjo vjen nga KURUM, firmat private të cilat punojnë edhe gjatë natës duke sjellë ndotjen e rrugëve dhe lagjeve por edhe atë akustike. Ndotjen e sjellin edhe furrat e bukës, furrat e fonderive që po çelen madje edhe në lagje dhe që oxhaqet e tyre po helmojnë burra, gra dhe fëmijë, duke shkrirë metale me ngjyrë. Por situata rëndohet dhe më shumë pasi prej dy vitesh Agjencia Rajonale e Mjedisit në Elbasan pothuajse nuk ekziston. 
    Në krye të saj nuk ka as drejtues, as inspektorë, dhe as kryeinspektorë. Mungesa e shkollimit e një pjesë të mirë të stafit të ARM Elbasan, ka sjellë pasoja të rënda për situatën e rënduar në të cilën ndodhet sot mjedisi në këtë qytet dhe në shkallë qarku. 
    Kjo agjenci nuk ka përmbushur asnjë prej detyrave funksionale, pasi punonjësit janë jashtë profilit, dhe mbi të gjitha të paaftë dhe të kompromentuar, ku shumicën e kohës që duhej të ishin në krye të detyrës, e shpenzojnë në kafenetë dhe restorantet e periferisë.
    Asnjë masë nga inspektorët e paaftë të ARM Elbasan, asnjë parandalim dhe asnjë gjobitje, asnjë mbyllje aktiviteti, por vetëm kompromise dhe afera korruptive. Afera të ndyra me firma dhe individë, kompromise në kurrizin e ligjit, jetës së qytetarëve dhe taksapaguesve, në kurrizin e mjedisit të qyteti.
    Zyrat e Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Elbasan në çdo ditë të javës janë të mbyllura, dhe këtë e di edhe zoti Koka, Ministri Mjedisit, zyrat e mjedisit në Elbasan në çdo ditë të javës janë tek kafenetë dhe restorantet e periferisë, atje ku edhe bëhen allishverishet. Qytetarët e Elbasanit ndjehen të braktisur nga Agjensia e Mjedisit, ata ndjehen të zemëruar dhe të zhgënjyer nga paaftësia dhe inekzistenca e një strukture shtetërore e cila në këtë qytet duhej të ishte shumë aktive. 
    Vërtetimet mjedisore vulosen në restorante dhe kafene 
    “Kërkon lejen mjedisore, për furrë buke, fonderi, furrë gëlqereje, ndërtim pallati ose vile, shko tek restoranti X, dhe aty do ti takosh ata të mjedisit”- kështu u shpreh një dyqanxhi që punon ngjitur me zyrat e Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Elbasan. Dhe në fakt, ky është një ndër dhjetra raste, kur një person që kërkon leje mjedisore, me të gjitha procedurat ligjore, drejtohet tek kafenetë dhe restorantet, pasi kështu funksionon ‘shteti’ sipas Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Elbasan. Agjencia Rajonale e Mjedisit e ka detyrim ligjor të jap vërtetime mjedisore, (jo fiktive) duke nisur nga furrat e bukës, fonderitë, uzinat, dhe natyrisht edhe firmat e ndërtimit. Por në të gjitha rastet ajo nuk zbaton ligjin, nuk firmos duke zbatuar kriteret ligjore, por gjithmonë duke u nisur nga njohjet, sms-të e shefave, deputetëve dhe pazaret. Pothuajse të gjitha lejet (ose vërtetimet) mjedisore të dhëna nga ARM në 2 vitet e fundit janë antiligjore dhe në kundërshtim me kriteret e miratuara nga Ministria e Mjedisit. Ankesat e qytetarëve nga firmat, subjektet, dhe personat që prej kohësh kanë hapur biznese të paligjshme dhe punojnë me lejet mjedisore të ARM, nuk rreshtin çdo ditë. Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe, kur Elbasanin e ka pushtuar ndotja, dhe ajo ka pushtuar lagjet dhe pallatet, sheshet dhe rrugicat, pasojë e mungesës së profesionalizmit të një grupi rrogëtarësh të paaftë që aksidentalisht kanë ardhur me letër me vrimë nga partia e tyre. Situata e mjedisit në Elbasan kërkon masa urgjente nga Ministria e Mjedisit dhe ministri Lefter Koka, për të shmangur rrënimin e kësaj strukture kaq të rëndësishme në këtë qytet dhe në shkallë qarku. Ministri Koka nuk duhet të mjaftohet me informacione të marra nga celulari apo personat lajkatarë që situatën në Elbasan e quajnë “normale dhe të qetë”, por ai duhet të shkrijë urgjentisht gjithë stafin e ARM atje, dhe të përzgjedhë specialistë të aftë dhe zyrtarë të arsimuar dhe të pakompromentueshëm. Qytetarët e Elbasanit i bëjnë apel edhe kryetarit të Bashkisë zotit Qazim Sejdini, të ushtrojë ndikimin e tij për të sistemuar administrativisht situatën në ARM e qarkut, për ti siguruar banorëve një strukturë të denjë pa pazarexhinj, dhe për një mjedis të pastër. Elbasani meriton më shumë, tani është momenti, ndryshe e keqja do të thellohet. 
    Sigal