VËRTET, KJO ËSHTË ÇOROVODA?!

898
Sigal

Hajro LIKA

Më kishin mbetur në mend ato shkrimet dhe pamjet e bukura që publikoheshin për Skraparin. Si ishte e mundur që ai vend aq i ashpër të kthehej në bukuri të rralla? Kureshtja më shtyu që pasi të vija në Kulmak,të zbrisja e t’i shikoja ato ndryshime. Po kur zbrita në Çorovodë dhe u ndodha përpara asaj bukurie, ndalova këmbët, po nuk e mora vesh, unë apo mali i Tomorit uli kokën? Çorovoda qyteti më i pastër që kam parë. Skraparasit, edhe pse të varfër, pastërtinë e kanë pasur pronë të tyre. Rrugicat e qytetit të stolisura me gurë mozaikë, tregojnë se qyteti i Çorovodës ka hyrë në rrugën e ndërtimeve turistike. Të flisje ose mendoje për turizëm në Skrapar, të quanin njeri të lajthitur. Kur shikon sheshin e Çorovodës fërkon sytë me dorë e thuaj: Vërtet, Çorovoda të jetë kjo?!

Ndonjëherë njëshi në vend që të ndreqë e djallos punën. Por ky njeri që shikoni me xhaketë hedhur supeve, është ustai që nuk e ka pasur ndonjëherë Skrapari. Ai ia ka gjetur radhën punës, sepse i ka ndenjur dhe rri mbi kokë asaj. Punën e bën disiplina dhe ndërgjegjja, për të cilat ai luftoi gjatë, sepse jo të gjithë e duanë punën. Madje kur ka ndëshkuar ndonjërin, që nuk është gjendur në punë, i ndëshkuari e ka quajtur padrejtësi, se puna nuk është burg. Natyrisht ka qenë ndonjë që i mungon autoriteti dhe kërkonte që lekun ta merrte duke ndenjur në shtëpi. Atëherë tek njerëzit e paformuar e mësuar me punë, u fut një farë frike. Nëse shikonte Nesimin të vinte drejt tyre, ngriheshin si të trembur e thoshin: “Ngrehuni, se erdhi ai!” Por ka kohë që kjo shprehje nuk dëgjohet më në Skrapar. Secili bën punën e tij, prandaj në qytet nuk gjen një mangësi. Nesimin rrallë e shikon nëpër qytet. Madje dhe një ditë që ishte ulur në një lokal për të nderuar një mik dhe dikush i tha me shaka: “Shyqyr që të pamë njëherë në lokal në orarin e punës!”, ai iu përgjigj: ”Unë nuk kam orar pune.” Kur shkruan për një njeri është mirë të kontaktosh me të,por ne mundëm ta shikonim në qytet një të shtunë. E pamë të hynte në bashki tok me Bledi Met’hoxhën, që është kyçi i bashkisë. Na thanë të vinim ta takonim, por do t’i prishnim punë, sepse ata hynë nëpër zyra ditën e pushimit. Kjo do të thoshte, se kishin ndonjë punë të ngutshme. Po përse ta takoja? Unë i erdha rreth e qark qytetit dhe e pashë punën e tij tek konvikti, çerdhja, godina e zjarrfikëses, muzeu, të cilat po rikonstruktoheshin. Pashë rrugën e Munushtirit, që ishte në prag të asfaltimit. Madje nuk e dija që rruga për të hyrë e dalë në Çorovodë, kalonte nga Munushtiri dhe shkurtonte gati dy kilometra rrugë me kthesa të bezdisshme.

Por, siç na thanë, Nesimi nuk është i qetë. Në programin e punës vjetore ai ka parashikuar disa investime, për të cilat i ka dërguar projektet në qeveri. Shqetësim është ujë i pijshëm, kur ujërat vërshojnë në lumë dhe banorëve u jepet me orar të reduktuar. Problem është pazari i qytetit, që tani bëhet nëpër rrugë, ku mungon siguria. E nevojshme është edhe pedonalja e qytetit tani që rruga ka marrë drejtim tjetër. Po fshatrat që duan rrugë e ujë? Dëgjova që një tomoricar i larguar, me emrin Fatmir Ajasllari kishte folur në telefon me një shokun e tij dhe i kërkonte, përse nuk bëheshin ca investime, që ishin shumë të avancuara. Por kërkonte dhe një gjë të natyrshme. Disa skraparas të larguar kanë kërkuar t’u jepet truall që të ndërtojnë shtëpi ose biznese në Kulmak. që Kulmaku të mos ketë banorë vetëm pesë ditë në vit, por gjithë vitin. Mendimi është i mirë, që do ta pranonte çdo njeri, po toka ka një zot që e punon dhe nuk ka lidhje me bashkinë. Në të vërtetë Tomorica ka nevojë për infrastrukturë, sepse janë bërë ca ndërhyrje, po nuk janë të mjaftueshme. Flitet për një projekt që lidh disa fshatra dhe i bashkon me Gramshin, por ky është afatgjatë. Mos kujtojnë kërkuesit se Nesimi nuk i përballon dot këto kërkesë po t’i aprovojnë projektet që ka dorëzuar? Atij i thonë njeriu i punës,se nuk ka orar pune dhe është i gatshëm t’u përgjigjet të gjitha investimeve që ka kërkuar edhe sikur t’i vijnë njëherësh. Ai ka dëshirë t’i shikojë të gjitha fshatrat kështu si qendra e qytetit dhe këto rrugica të bukura.

Kisha qenë dhe herë të tjera në Skrapar,po këtë radhë m’u duk se fliste plotësisht me gojën e tij e nuk merrte frymë me supe. Malet sikur e kishin ulur kryeneçësinë dhe pamjen e sertë të tyre. Në komandë janë njerëzit. Dhe Nesimi ka zgjedhur një staf pune si vetja e tij, prandaj nuk thonë më “Po vjen ai!” Ata që kishin punë zyre tmerroheshin kur hynin nëpër zyrat e shtetit, sepse shprehja “Eja nesër” nuk vinte kurrë. Ata që takuam dhe e njihnin mirë punën e stafit të bashkisë, na thanë, se kush hyn nëpër zyrat e tyre përfundojnë punë brenda orës. Dhe nuk të sorollatin zyrë më zyrë, po të thonë të ulesh aty dhe shkojnë vetë nëpër zyra për t’i zgjidhur hallet e tyre. Skraparasit të kanë në krye e sipër kur i pret me fjalë njerëzore, sepse janë njerëz të thjeshtë dhe kanë dëshirë t’u përgjigjesh shtetërisht. Ne ende nuk na besohet që Çorovoda është kjo që pamë e lamë pas. Po kur të vijmë herë tjetër? Puna e ndershme dhe e pastër transformon gjithçka. Tani ne kemi besim, se kur të vijmë herë tjetër do të gjejmë një Skrapar krejt tjetër. Njerëzit këtu janë më të lartë se malet. Por ne do të dëshironim që të kishim nga një Nesim e staf bashkie në të gjitha bashkitë e komunat e vendit. A thua t’ia arrijmë dot? Shpresojmë, por jo me këtë shpresën e tanishme,se ajo nuk vjen kurrë.