Vendoret/ Beqiri e Dajti, kritika Ramës

557
Sigal

Marko Dajti, kryetari i Frontit të Majtë: “Rama e ka nëpërkëmbur Milon dhe aleatët dhe mendon se do fitojë edhe pa ne”

Gjinushi gabon rëndë që futet në lojë me Dritan Priftin. Ai luan edhe majtas, edhe djathtas

Kryetari i Frontit të Majtë, Marko Dajti në një prononcim për gazetën “Telegraf”, shprehet se partia Fronti i Majtë nuk do jetë pjesë e koalicionit me PS-në. Për mungesën e Milos dhe Gjinushti nga takimi i pardjeshëm i aleatëve me PS-në, Dajti shprehet se Milo ka shumë arsye që të mungojë, nuk është një aleat i vogël i PS-së, por është forca e tretë brenda koalicionit, pas LSI-së dhe Edi Rama e nëpërkëmbi Milon dhe ky është një gabim i madh që po bën Edi Rama, jo vetëm për Milon, por edhe ndaj aleatëve të vegjël, se edhe ata e ndihmuan të fitonte në zgjedhje. Milo dhe Gjinushi munguan, se kanë pakënaqësi jo vetëm që nuk u bënë pjesë e qeverisë, por edhe se janë kritikë ndaj qeverisjes së Ramës deri tani. Rama nuk ka bërë asgjë nga premtimet që dha në elektorat. Mbase Edi Rama mendon se do t’i fitojë zgjedhjet edhe pa Milon e Gjinushin, edhe pa aleatët e tij të majtë. Unë nuk mendoj se Rama do jetë fitues në këto zgjedhje pa aleatët e tij kryesorë, Milon dhe Gjinushin. Nuk mendoj që Gjinushi e takoi rastësisht Dritan Priftin pardje, kur PS-ja takohej me aleatët e tjerë. Diçka po luan. Mendoj që Gjinushi gabon rëndë, që futet në lojë me Dritan Priftin. Gjinushi duhet të mendojë më shumë që të krijojë një pol të tretë të vërtetë të majtë, ndonëse Gjinushi luan edhe majtas, edhe djathtas.

****

Av. Idajet Beqiri, Kryetar i PUK-ut

Ne, nuk u bashkuam në këtë Aleancë thjesht dhe vetëm  për të marrë një post ministror, apo për të bërë disa punësime militantësh

Në koalicionin e së Majtës  nuk ka përçarje. Ka qejfmbetje, probleme, PS-ja të reflektojë

Av. Idajet Beqiri, kryetari i Partisë të Unitetit Kombëtar, në intervistën për “Telegraf”, përgënjeshtron  zërat që Aleanca e Majtë “Për Shqipërinë Europiane”, është e përçarë. Pranon, që ka qejfmbetje, ka probleme, ndaj duhet të reflektojë PS-ja. Sipas Beqirit, aleatët do të mbështetin kandidaturat për kryebashkiakët, por në listat e këshillave bashkiakë, secila parti do të ketë anëtarët e vet. Për mungesën e Gjinushit e Milos pardje, në takimin e aleatëve me PS-në, Beqiri shprehet se “Gjinushi dhe Milo për hir të së vërtetës kanë një status pak më ndryshe në koalicion. Dhe kjo nuk përbën pabarazi!”.

Zoti Beqiri, derisa Rama nuk e respektoi marrëveshjen paraelektorale të 2013 me aleatët, cili do jetë motivi politik, që aleatët të besojnë në një marrëveshje të re elektorale me PS?

– “Aleanca Për Shqipërinë Europiane” u krijua në momentet dramatike që kalonte vendi. Kishim përball një regjim antishqiptare, një pushtet bandë kriminale, me në krye një kryebandit si Sali Berisha, i cili i sillte veç fatkeqësi vendit dhe popullit. Që të mbyllej kapitulli i krimit, korrupsionit, padrejtësive, që të mbyllej varfëria e skajshme dhe tranzicioni i pafund dhimbjeplotë, duhej bërë një koalicion i madh, i cili të rrëzonte bindshëm nga pushteti atë që me të drejtë shqiptarët e përgjegjshëm e quajnë fatkeqësia më e madhe kombëtare, siç është Sali Berisha.  Rrëzimi i tij nga pushteti ishte njëra anë.  Ana tjetër më e rëndësishme ishte që kjo Aleancë e madhe forcash politike, të ngrinte shtetin ligjor, të ndërtonte institucionet, të europianizonte vendin dhe gjithë strukturat e shtetit. Ky ishte dhe ka mbetur thelbi i “Aleancës Për Rilindjen e Shqipërisë Europiane”. Ne, nuk u bashkuam në këtë Aleancë thjesht dhe vetëm  për të marrë një post ministror, apo për të bërë disa punësime militantësh. Parë nga ky këndvështrim i drejtë, motivimi për të qenë brenda kësaj Aleance nuk ka ndryshuar aspak. Përkundrazi, është bërë më i fuqishëm, pikësëpari se po shohim dhe prekim shtetin dhe institucionet që duam dhe po ringrihen, e pikësëdyti, sepse po shohim që “Murtaja Berisha”, tashmë që zvarritet në ligësitë e tij, i mbetur “si peshku në zall”, ka hedhur në veprim gjithë skenarët ogurzinj për të na rikthyer te rrumpalla e tij mbi 20 vjeçare në këtë vend. Ky është edhe një motivim i madh, që një milion shuplakat e 23 qershorit 2013 kundër tij, t’i bëjmë 1 milion e 200 mijë shuplaka në 21 Qershor.

-Dje ne takimin me aleatët, i dërguari i PS-së nuk ishte as Rama as Ruçi. Kjo mos ndoshta është një nënvlerësim nga PS për aleatët?

Qenia në krye të koalicionit të Ballës është vlerësimi më i lartë që PS dhe vet Rama i kanë bërë kësaj Aleance të madhe forcash politike. Ai është një ndër njerëzit më të afërt  dhe më të besuar të kreut të qeverisë, Zotit Rama. Balla është një ndër deputetët më të zëshëm dhe më përfaqësuesi i Kuvendit aktual. Por mbi të gjitha, ai është figura më e pranueshme dhe më e pëlqyera për të gjitha partitë aleate të PS. Qenia e tij,si drejtues i këtij koalicioni, o çoj domosdoshmërisht në makimalizimin e votave të  Aleancës Për Rilindjen e Shqipërisë Europiane në 21 Qershor.

– Milo e Gjinushi pohuan se nuk ishin njoftuar, ndërkohë që Balla ju tha juve se ata kishin takuar më para Ramën kur edhe këtë e përgënjeshtruan Milo e Gjinushi. Ju kë besoni?

–  Gjinushi dhe Milo për hir të së vërtetës kanë një status pak më ndryshe në koalicion. Dhe kjo nuk përbën pabarazi! Ata kanë pasur detyra shumë të rëndësishme në shtet dhe kanë qenë të suksesshëm. Partitë e tyre morën disa herë më shumë vota në zgjedhjet e 23 qershorit, se sa partitë e tjera të koalicionit. Në këto kushte, ishte menduar, që ata të  inkuadroheshin në takimin e  mirëfilltë të angazhimeve të koalicionit, që po përgatitim të zhvillojmë pas pak ditësh, nën drejtimin e kryeministrit të vendit Rama.

-Mungesa e Milos dhe e Gjinushit është tregues përçarës i aleatëve në PS?

– Nuk ka asnjë përçarje në koalicion. Ka qejfmbetje, por ka edhe probleme që kërkohet reflektim nga PS. Rama është i ndërgjegjshëm se Marrëveshja e Koalicionit të 23 qershorit 2013 nuk është përmbushur. Ai e ka pranuar me sinqeritet. Por takimi i djeshëm, krijimi i kryesisë së koalicionit, ka si synim jo vetëm maksimalizimin e votave dhe shtimin e forcave të tjera politike në këtë koalicion, por edhe adresimin e zgjidhjen me përgjegjshmëri të angazhimeve të PS në zbatim të Marrëveshjes me çdo parti veçmas.

-Ju vetë aleatët a keni folur e përpunuar strategji bashkëpunimi me PS-në, apo secili aleat ka marrëdhënie të veçanta me PS?

 Strategjia është e përbashkët. Kjo do të thotë që në zgjedhjet e 21 qershorit të gjitha partitë aleate do rreshtohen në fletën e votimit, si një koalicion i vetëm. Për kandidatët për kryetar të 61 njësive vendore të gjitha forcat politike do të trajtohen barabartë. Kjo do të thotë që gjithësecila prej tyre do afrojë kandidatët më të mirë dhe që garantojnë fitoren,  në radhë të parë, por mbi të gjitha që do i shërbejnë me përkushtim dhe aftësi të posaçme komunitetit të njësisë së tyre. Do përzgjidhen më të mirët.  Ndërsa për këshilltarët e njësive vendore, çdo parti do të ketë listën e vet.

–  Përse Rama u ka dhënë poste qeveritare disa aleatëve e ka përjashtuar të tjerë, pavarësisht nga kontributi i votave që secili aleat dha në 2013?

– Rama dhe të gjithë ne partitë aleate dimë që kjo Aleancë është afatgjatë. Marrëveshja u bë jo vetëm për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Nuk janë mbushur ende 2 vjet qeverisje. Rama vlerësoi që loja të niste me 11-shen që ka hedhur në fushë…plus të tjerët në “ekipet” e tjera. ..Më vonë do shohë rezultatin, do shohin cilët krah e sektor nuk ecin si duhet, dhe kjo do shoqërohet domosdo me lojtarë të tjerë të bankinës!

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA