Vendimi i opozitës: Nuk do të lejojmë votim në Kavajë

    38
    Basha informon aleatët për negociatat dhe ofertën e kryeministrit: Nuk kemi kërkuar, nuk duam dhe nuk do të pranojmë pushtet në tavolinë
    Pas dështimit të negociatave të drejtuara nga ndërkombëtarët dhe kur çdo përpjekje për një kompromis mes palëve duket i pashpresë, opozita vendosi përshkallëzimin e aksionit dhe mosbindjes civile. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, informoi drejtuesit e partive aleate lidhur me negociatat e zhvilluara me faktorin ndërkombëtar, ndërsa u vendos edhe mosmarrja pjesë në një tryezë të kërkuar nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta. 

    “Koalicioni opozitar vendosi njëzëri përshkallëzimin e aksionit politik të opozitës, për të mos lejuar diktatin e krimit e të drogës me mbështetje qeveritare mbi votën e qytetarëve. Koalicioni opozitar konfirmoi vendosmërinë për të mos lejuar votim fasadë të diktuar nga krimi dhe droga, duke nisur nga Kavaja”, thuhet në një deklaratë të partive opozitare.

    Në funksion të këtij vendimi, “të gjitha partitë politike anëtare të koalicionit opozitar, rikonfirmuan angazhimin masiv politik dhe popullor për mosbindje civile”. “Në kuadër të organizimit të mosbindjes civile dhe moslejimit të një procesi fasadë elektoral, u miratua ngritja e shtabit koordinues të opozitës së bashkuar për bashkërendimin e aksionit popullor”, theksuan partitë opozitare.

    Po ashtu, koalicioni i bashkuar opozitar dënoi dhe hodhi poshtë ato që i cilësoi si “përpjekjet për tryeza fasadë, me qëllim manipulimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor dhe klonimin e koalicioneve dhe opozitave fasadë në shërbim të narko-qeverisjes”.

    “E vetmja zgjidhje për krizën politike në vend është krijimi pa vonesë i qeverisë teknike dhe dhënia e mandatit për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme. Koalicioni opozitar shpreh mirënjohjen për qëndresën e qindra-mijë qytetarëve në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës themelore të votës së lirë dhe u bën thirrje qytetarëve shqiptarë për bashkimin më të madh popullor kundër krimit dhe drogës në pushtet. Fitorja i takon popullit të bashkuar për një Republikë të Re të Demokracisë, Lirisë dhe Drejtësisë së vërtetë”, u shpreh opozita.

    PD nuk pranoi dy ditë më parë një ofertë të kryeministrit Rama për shtyrjen e datës së zgjedhjeve dhe ndryshimin e disa ministrave, krahas marrjes së drejtimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Avokatit të Popullit. Opozita këmbënguli për krijimin e një qeverie teknike, si kusht kryesor për pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërsa shumica parlamentare përsëriti kërkesën ndaj opozitës për të votuar ngritjen e komisioneve të vetingut në Kuvend. Kryeopozitari Basha u shpreh se PD nuk ka kërkuar, nuk dëshiron dhe nuk do të pranojë pushtet në tavolinë. “As poste ministrash, as post Presidenti, asnjë post për të bërë kompromis të ndyrë në kurriz të zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë vendimi i këtij bashkimi popullor. Nuk kemi kërkuar pushtet në tavolinë. Kemi kërkuar qeveri teknike, me kryeministër teknik, me ministra teknikë të cilët gëzojnë besimin e gjithë palëve në politikë. Nuk kemi qenë përjashtues, përkundrazi, ju kemi thënë që propozimet për emrin e kryeministrit teknik le të vijnë nga partia më e madhe e shumicës, sigurisht me miratimin e opozitës siç është tradita e qeverisë teknike”, u shpreh Basha. Sipas tij, Edi Rama refuzon të ndahet nga karrikia e tij. “Edi Rama thotë se për katër javë do të bëjë dekriminalizimin që nuk e bëri për katër vjet. Edi Rama thotë se për katër javë do të luftojë drogën që e mbolli, e bekoi dhe e korri për katër vjet”, tha Basha. Sipas kreut demokrat, ky është një propozim qesharak.