Vendimi drastik i Trump: Stop Lotarisë Amerikane

    432
    “Shpërthen” Trump: Stop Lotarisë Amerikane
    Pas sulmit të fundit terrorist, Presidenti amerikan deklaron nisjen e procesit për eliminimin e Programit të Kartës së Gjelbër. Tashmë një sistem i mbështetur në merita
    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje Kongresit që t’i japë fund programit të lotarisë amerikane. Ai i bëri komentet, pasi tha në rrjetet sociale, se autori uzbek i sulmit të dy ditëve më parë në Nju-Jork, kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara me një vizë imigracioni, të njohur si lotaria amerikane. “Po filloj sot procesin e eliminimit të Programit të Lotarisë Amerikane. Do t’i kërkoj Kongresit që të fillojë menjëherë punën për t’i dhënë fund këtij programi, Lotaria e Diversitetit tingëllon mirë, por nuk është diçka e mirë. Nuk ka qenë diçka e mirë. Ne kemi qenë kundër”, tha Trump. Presidenti amerikan bëri thirrje për masa imigracioni, mbështetur në një sistem meritash. “Ne do t’i japim fund kësaj çmendurie”, u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë, i cili ia atribuoi ekzistencën e programit të Departamentit të Shtetit për lotarinë amerikane, kreut të demokratëve në Senat, Chuck Schumer.
    Senatori Schumer luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e legjislacionit për programin në vitet 1990. Ai tha me anë të një deklarate, se “gjithmonë kishte besuar dhe vazhdonte të besonte se imigracioni është diçka e mirë për Amerikën”, duke propozuar që Trump të përqendrohej në një “zgjidhje reale” për financimin kundër terrorizmit. Megjithëse Trump ia atribuoi programin senatorit Schumer, kreu i pakicës në Senat ishte anëtar i një grupi dypartiak me tetë ligjvënës që në vitin 2013, hartuan një paketë Gjithëpërfshirëse Reformash Imigracioni që do ta eliminonte krejtësisht lotarinë amerikane. Projekt-ligji u miratua nga Senati, por nuk u votua nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe, si rezultat, skadoi. Zyrtarët thanë se autori i sulmit është emigrant nga Uzbekistani që ka hyrë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010. Por Departamenti i Shtetit vuri në dukje, se informacioni për vizat është konfidencial sipas ligjit amerikan dhe se nuk mund të komentonte për aplikime konkrete vizash.
    Trump ka përkrahur legjislacion që do ta reduktonte imigracionin e ligjshëm, në favor të një sistemi që do ta vinte theksin tek merita dhe aftësitë dhe jo tek lidhjet familjare. Për ata që duan të bëhen shtetas amerikanë, por nuk kanë familjarë në Shtetet e Bashkuara, nuk gëzojnë sponsorizimin nga një punëdhënës, ose nuk janë refugjatë, viza e diversitetit, e njohur gjithashtu si Lotaria e Kartës së Gjelbër, është alternativa e vetme. Që të kualifikohesh për të përfituar prej saj, duhet të kesh kryer të paktën shkollën e mesme ose të kesh disa vite përvojë pune. Para dy javësh, Departamenti i Shtetit njoftoi se të gjitha aplikimet për lotari të këtij viti, kanë humbur dhe duhet të ribëhen. Para disa muajsh, senatorët republikanë propozuan eliminimin e programit. Në vitin fiskal 2015, Shtetet e Bashkuara dhanë 48,097 viza për lotari amerikane nga 531,463 viza imigracioni gjithsej.
    Mijëra shqiptarë aplikojnë çdo vit për Lotarinë Amerikane dhe vendi ynë renditet ndër përfituesit me përqindje më të lartë në raport me popullsinë. Çdo vit rreth 3 mijë fitues shpallen nga Shqipëria, të cilët kanë mundësinë të jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, ambasada amerikane në Tiranë sqaroi pak ditë më parë se në përzgjedhjen për Lotarinë Amerikane të Vizave të Emigrimit nuk ka asnjë ndikim qyteti apo rrethi i origjinës. Duke iu përgjigjur shqetësimit dhe pyetjeve, se korçarët janë të preferuar në fitimin e Lotarisë Amerikane, ambasada u shpreh se kjo nuk është e vërtetë. “Kushdo që beson se kualifikohet mund të regjistrohet për lotarinë dhe përzgjedhja është tërësisht e rastësishme”, u shpreh zyra konsullore. Në vitet e shkuara, numri i fituesve të Lotarisë Amerikane nga qyteti i Korçës ka qenë i lartë, por ambasada amerikane dhe Qendra Konsullore në Kentaki kanë deklaruar se gjithçka ndodh në mënyrë rastësore.
    Presidenti Trump:
    “Ne po përpiqemi me të gjitha forcat për një sistem mbështetur në merita, jo më sistem lotarie demokratësh. Duhet të bëhemi shumë më të rreptë dhe të zgjuar”.
    Datat e Lotarisë Amerikane
    Prej datës 18 tetor, mijëra shqiptare kanë nisur plotësimin e aplikimeve për Lotarinë Amerikane. Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi se periudha e re e regjistrimit për DV 2019 është aktualisht e hapur dhe mbyllet të mërkurën, më 22 nëntor 2017. Nëse qytetarët kanë aplikuar përpara datës 18 tetor 2017 për DV-2019, aplikimi nuk do të merret në konsideratë dhe atyre do t’iu duhet të dorëzojnë një aplikim të ri gjatë periudhës së re të regjistrimit. “Ju NUK do të skualifikoheni për shkak se po aplikoni sërish, por mbani mend që ju duhet të regjistroheni vetëm një herë si aplikant kryesor gjatë periudhës 18 tetor – 22 Nëntor 2017. Nëse jeni të martuar, edhe bashkëshortja juaj mund të aplikojë si aplikante kryesore dhe ju përfshin ju dhe fëmijët nën 21 vjeç e të pamartuar tek aplikimi i saj. Ju mund të përdorni fotografinë që përdorët kur aplikuat në datat 3-10 Tetor 2017”, thuhej në njoftimin e ambasadës.
    ——————–
    Ambasada: Eksploroni mundësinë e studimeve në SHBA
    Ambasada amerikane iu bëri thirrje dje studentëve nga Shqipëria të eksplorojnë mundësitë e studimit në Shtetet e Bashkuara. “Jeni student në nivelin e parë të studimeve, të gatshëm për të sfiduar veten dhe të eksploroni shoqërinë, kulturën, jetën akademike në SHBA dhe të takoni njerëz nga e gjithë bota? Aplikimi për programin Global UGRAD është hapi i parë”, thuhej në njoftimin e djeshëm. Programi Global UGRAD është një program i financuar nga Departamentit i Shtetit, i cili jep bursa për studentë të nivelit universitar në 55 vende të botës. Studentët caktohen në kolegje dhe universitete në të gjithë Amerikën, ku marrin pjesë në një semestër të nivelit parauniversitar pa diplomë. Bursa mbulon udhëtimin, shkollimin, dhomën, siguracionin për aksidente/sëmundje, një pagesë të vogël mujore, dhe shpenzime për libra. Pjesëmarrësit jetojnë në konvikt me bashkëmoshatarët e tyre amerikanë ose në banesa me familje amerikane. Global UGRAD është një program shkëmbimi i pavarur, i konceptuar për t’i ekspozuar studentët ndaj sistemit arsimor, shoqëror dhe kulturor amerikan. Të gjithë studentëve u kërkohet të marrin pjesë vullnetarisht në aktivitetet e shërbimit komunitar, si dhe të marrin pjesë në aktivitete të zhvillimit profesional, si pjesë e programit Global UGRAD. Studentët largohen nga Amerika me idenë për t’u bërë udhëheqës në profesionet dhe komunitetet ku jetojnë. Studentët që kanë mbaruar programin Global UGRAD mund të aplikojnë për programin Fulbright, të përfitojnë specializime të rëndësishme ndërkombëtare dhe të punojnë në biznese ose administratë në vendet e tyre. Konkurrenca për programin është shumë e lartë dhe në bazë merite. Finalistët do të përzgjidhen në bazë të rezultateve akademike, aftësive drejtuese dhe përgatitjes së tyre për të studiuar në Shtetet e Bashkuara.
    Sigal