Vendimet e Kryeministrit Berisha shpërfillen nga AKKP

    495
    Sigal

    Një vendim numër 514 i miratuar nga Këshilli i Ministrave, i datës 1.8.2012 për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale ende nuk është ekzekutuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pse ka hyrë në Fletoren zyrtare. Ashtu siç thuhet edhe në vendimin e qeverisë një ndër institucionet që është ngarkuar që të merret me zbatimin e këtij vendimi është Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila nuk e ka vënë në zbatim vendimin e kësaj date. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave ky vendim ka të bëjë me shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, Durrësit, Dibrës, Vlorës dhe Elbasanit. Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në listën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen 34 001.9  (tridhjetë e katër mijë e një pikë nëntë) m2 tokë truall, me vlerë të përgjithshme 307 395 710,4 (treqind e shtatë milionë e treqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e shtatëqind e  dhjetë presje katër) lekë. Por edhe sot që është data 11.10.2012, ky vendim nuk është zbatuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Madje për dhënien e lekëve për kompensimin e pronave qytetarët që kanë emrin në listën e nxjerrë nuk marrin as ndonjë sqarim nga institucioni se kur do tu kthehen lekët për truallin që u është zënë nga ndërtimet pa leje kohë më parë. Por kjo indiferencë e këtij institucioni ndaj shqetësimeve të qytetarëve është shumë e madhe, aq sa nuk denjojnë që të japin as sqarimin më të vogël. Dhe për më tepër në një vëzhgim të bërë nga gazeta “Telegraf” në këtë institucion gjen njerëz që kërkojnë të marrin lekët e tyre për truallin e zënë dhe që me vendim qeveria ata kanë plotësisht të drejtë pasi ka kaluar prej disa muajsh afati që ata duhet të kishin marrë lekët nga AKKP-ja.Poashtu nga vëzhgimi i bërë na rezultoi se punonjësit më të lartë të këtij institucioni nuk ndodheshin në zyrat e posteve që ata mbajnë, për të dhënë sqarimet e duhura dhe për të bërë pagesat për qytetarët që u ka dalë emri. Por pas këtyre veprimeve dhe kësaj indiference të këtij institucioni fshihen qëllime të tjera, si ato që kanë të bëjnë me mitmarrje, apo pazare të tjera. Me moszbatimin e këtij vendimi të miratuar nga Këshilli i Ministrave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave po shpërfill dhe vendimet e kryeministrit Berisha.

    Shqetësimi i qytetarëve

    Qytetarë të shumtë që kanë emrin për të marrë lekët për truallin që u është zënë nga ndërtimet pa leje e kanë sjellë shqetësimin e tyre në gazetën “Telegraf”. Ata janë shprehur shumë të pakënaqur nga indiferenca e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ata kanë theksuar se ka kaluar afati i përcaktuar nga qeveria ka kaluar dhe se ato nuk kanë marrë lekët që u është përcaktuar të marrin. Dhe për më tepër ato në shqetësimin e tyre drejtuar gazetës shprehen se ndeshen më një indiferencë totale nga institucioni i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe se e kanë të vështirë që të marrin një përgjigje se kur do i marrin lekët që u takojnë. Por ndërkohë që dhe qytetarë të tjerë të kontaktuar nga gazeta në zyrat e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë shprehur: “Nuk na jep njeri sqarime se kur do i marrim lekët, madje nuk na thonë as se kur do të na i japin”.