Veliaj: Rritje pensioni për të gjithë!

    483
    Sigal


    Skema e re e pensioneve, debate mes maxhorancës te Komisioni i Ekonomisë

    Skema e re e pensioneve ka shkaktuar diskutime dhe paqartësi midis deputetëve të maxhorancës dhe ministrit Erjon Veliaj. Gjatë prezantimit të këtij projektligji në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, relatori Anastas Angjeli u shpreh se skema ka probleme me termat dhe përllogaritjet. Por për Ministrin Veliaj projektligji i ri për pensionet synon që të rrisë numrin e kontribuuesve, por edhe të ulë deficitin në buxhet. Ndërkohë që siguroi se nuk do të ketë ulje të nivelit të pensioneve në janar të 2015.

    Deficiti i krijuar në buxhet, si pasojë e numrit të ulët të kontribuuesve ka ngjallur gjithashtu pikëpyetje në momentin që parashikohet rritje e pensioneve dhe jo ulje.

    Skema e re e pensioneve parashikon rritje të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032 dhe që prej këtij viti mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç, për të dy sekset, në vitin 2056.

    Ndryshimet në sistemin e pensioneve

    Sipas ministrit Veliaj projektligji i ri reflekton ndryshime të rëndësishme të parametrave aktualë të sistemit të Pensioneve. Ndër to, si më të rëndësishme për Veliajn, konsiderohen:

    Së pari, skema jep përfitime të ulëta për disa kategori dhe, ç’është më e rëndësishmja, përfitimet do vazhdojnë të ulen edhe më shumë në rast se skema nuk reformohet.

    Së dyti, skema karakterizohet nga elementë të theksuar padrejtësie, sepse disa grupe kontribuesish përfitojnë pensione shumë të larta dhe kontribuojnë shumë më pak se të tjerët. Është e natyrshme që sistemet e pensioneve të kenë një farë rishpërndarjeje tek më të varfrit apo kategoritë e tjera. Gjithsesi, nëse rishpërndarja është shumë e lartë skema e pensioneve mund të konsiderohet  e padrejtë dhe pjesëmarrja në të nis e bie.

    Së treti, skema e pensioneve vuan nga një deficit i lartë që e bën atë financiarisht të papërballueshme.

    Së katërti, ndonëse të gjithë të moshuarit janë të mbuluar nga skema falë punësimit të plotë gjatë komunizmit, një pjesë e madhe e popullsisë në moshë pune sot është e pasiguruar për shkak të papunësisë së lartë, por edhe informalitetit. Kjo gjë e ka përkeqësuar ndjeshëm raportin mes kontribuuesve dhe përfituesve dhe lë të kuptohet se në të ardhmen shumë të moshuar nuk do marrin fare pension pleqërie.

    “Duke parë rëndësinë që pensionet kanë për mbrojtjen sociale, është  e nevojshme që të ndërhyhet menjëherë për reformimin e sistemit. Ndryshimet e propozuara në këtë projekt-ligj parashikojnë forcimin e parimit kontributiv të sistemit aktual dhe reduktimin e shkallës së lartë të rishpërndarjes që e karakterizon atë, duke u dhënë individëve më shumë shtysa për të qenë pjesë e sistemit të sigurimeve shoqërore si edhe për të kontribuar më shumë duke deklaruar pagën reale” u shpreh Veliaj.

    Ndryshon formula e llogaritjes së pensionit

    Do të ndryshojë formula e llogaritjes së pensionit duke e lidhur masën e tij me vitet e kontributit dhe pagën mbi të cilën paguhen kontributet. Sipas formulës së re të llogaritjes së pensioneve, duke filluar nga data 1.1.2015 e në vazhdim nuk do të ketë pension të pjesshëm. Me ndryshimet e parashikuara në Nenin 32, realizohet heqja e tavaneve të cilat kufizonin marrjen e një pensioni më të lartë se dyfishi i pensionit minimal dhe më të madh se 75% e pagës mesatare neto në tre vite të njëpasnjëshme në dhjetë vitet e fundit të punës. Për rivendosjen e parimit kontributiv dhe forcimin e tij, në këtë projekt-ligj parashikohet  ripërcaktimi i formulës së përllogaritjes së pensionit duke zëvendësuar pensionin bazë me pensionin social dhe duke rritur atë pjesë të pensionit që lidhet drejtpërdrejt me madhësinë dhe vitet e kontributeve të paguara. Ky ndryshim do të bëjë që, krahasuar me sot, të rriten thuajse të gjitha pensionet. Pensionistët që do të dalin në pension nga viti 2015 dhe për një periudhë afatmesme do të kenë një rritje të moderuar te masës së pensionit krahasuar me pensionistët aktualë. Ndërsa në periudhën afatgjatë, për personat që kontribuojnë me paga më të larta, pensionet do të jenë më të qenësishëm dhe të mbështetur mbi pagat e tyre reale të deklaruara në listëpagesa dhe të  indeksuara sipas rregullave të qarta dhe të qëndrueshme të cilat do të japin një bazë të vlerësuar më të lartë dhe për rrjedhojë një masë më të madhe për pjesën kontributive të pensionit (shtesa në formulë).

     

    Njehsimi i pagës minimale kontributive me pagën minimale në shkallë vendi dhe indeksimi i pagave kontributive

    Bazuar në ndryshimet e parashikuara në Nenin 59 të ligjit aktual, referuar Nenit 31 të këtij projekt-ligji, për efekt të llogaritjes fillestare të pensioneve, duke filluar nga data 1.1.2015 e në vazhdim do të bëhët ripërcaktimi i koeficientëve të indeksimit të bazës së vlerësueshme, përcaktimi i një page referuese për vjetërsinë e punës në ish kooperativat bujqësore, eliminimi i dyshemeve administrative që krijonin shkëputje në llogaritjen e pensioneve fshat-qytet edhe pas 20 vjetësh nga ndryshimet të para ligjore. Sa më sipër, duke qenë se në harkun kohor 1994-2014 indeksi i rivlerësimit të pagave për efekt të pagimit të kontributeve  ka qenë i lidhur me nivelin e kontributit mesatar, është deformuar e dëmtuar si shkak i rritjes të tavanit të pagës mbi të cilën paguhen kontributet nga 1/3 në 1/5 duke filluar nga viti 2002, por edhe si shkak i uljes së normës së kontributit ndaj pagës nga 42,5 ne 24,5 %. Për këto arsye, paga e rivlerësuar minimale mbetet rreth 20% më e ulët se paga minimale aktuale. Nga ana tjetër, vendosja e pagës referuese  për vjetërsinë e punës në ish kooperativat bujqësore bën të panevojshëm përdorimin e rregullave të ndryshme për llogaritjen e pensionit të fshatit.

    Rritja e moshës së daljes në pension

    Rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Që nga viti 2032 mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit duke arritur në 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056. Argumentet për këtë janë:

    Kontributi i fshatit barazohet me të qytetit

    Rritja graduale e kontributit për zonat rurale duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2018; Shfuqizimi i formulës së llogaritjes të pensioneve të zonave rurale dhe përdorimi i të njëjtës formulë si për pensionet e tjera; Inkurajimi i vazhdimit të punës pas mbushjes së moshes së daljes në pension nëpërmjet rritjes të shtesës për shtyrje pensioni në 0.5% për muaj.

    Pensioni social

    Vendosjen e pensionit social për të gjithë individët që nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për përftimin e një pensioni, i cili mund të përfitohet vetëm nga individët mbi 70 vjeç që kanë qenë rezident në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit. Masa e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe sesa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema kontributive. Ky pension do të jepet duke patur si kusht verifikimin e të ardhurave dhe do të financohet nga buxheti i shtetit.