Veliaj prezanton pr/ligjin: Dhoma e Zejeve për të certifikuar mjeshtrat

    367
    TIRANE – Në ditët e tij të fundit si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj prezantoi projektligjin për zejtarinë, çka konsiston në hapjen e një dhome të vërtetë mjeshtrash e zejtarësh zanati i të cilëve sigurohet përmes certifikimit. Veliaj tha se ky projektligj vjen si një frymëzim nga modeli gjerman, i cili veç të tjerash sipas tij do të krijojë lehtësi për sipërmarrësit.
    “Mbaj mend teknikun e lavatriçes në filmin “Edhe ashtu edhe kështu” që si një mënyrë për të takuar vajzën që donte, bëri si tekniku i lavatriçes, apo shprehjen “ekspert i midhjes dhe peshkut”. Njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë teknikët e vërtetë. Tani kemi një dhomë të vërtetë zanatesh si 100 vjet më parë që kishim dhoma të mjeshtrave dhe zejtarëve që siguroheshin që njerëzit të certifikohesh. “Shqiptarët janë çirak të gjithçkaje po mjeshtër të asgjëje”. Me këtë ligj rregullojmë ata që janë mjeshtra. Për sipërmarrësit edhe punësimi do të jetë më i lehtë kur një punonjës është i certifikuar nga Dhoma e Zejeve, sepse merr dikë që e ka aftësinë të drejtojë ekipin dhe të punojë në procese të sofistikuara. Me vjen mirë që një nga punët e fundit është ky ligj i zejeve që disa njerëz të punësohen dhe të punësojnë”, tha Veliaj.
    Ministri Veliaj vlerësoi se modeli gjerman i ndjekur në disa nisma që ministria e tij ka marrë deri më tani, çoi vendin në drejtimin e duhur.
    “Morëm një vendim në drejtimin e duhur kur hapëm zyrat e punës. Lidhja jonë me Zyrën Gjermane Federale të Punësimit dhe kopjimi i atij modeli që funksionon na solli shumë avantazhe. Më vjen mirë që kopjuam Gjermaninë edhe në shkollat profesionale. Besoj se kemi ndërmarrë ligje që na çojnë në drejtimin e duhur”, u shpreh ministri. 
    Sigal