Veliaj: Nga ky projektligj përfitojnë 2750 ish të dënuar, që janë ende gjallë

    360
    Sigal

    Miratohet Projektligji për Dëmshpërblimin e ish të Përndjekurve në Komisionet Parlamentare. Ja kategoritë përfituese

    Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje propozimet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për ndryshimin e ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë”, duke i dhënë përparësi dëmshpërblimit të të dënuarve politikë që janë ende gjallë. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, deklaroi në komision se projektligji është pjesë e një plani të gjerë veprimi të ndërmarrë nga MMSR, që përfshin rishikimin e të gjithë kuadrit ligjor në mbështetje të kësaj shtrese, ngritjen e Zyrës së të Zhdukurve, një plan të gjerë veprimi të memories historike, si dhe shërbime lehtësuese të tjera dhe shndërrimin e Institutit të Ish të Përndjekurve Politikë në një institucion vërtet dinamik dhe në shërbim të kësaj shtrese.

    “24 vjet që nga rënia e komunizmit, ish të përndjekurit politikë kanë përfituar vetëm 20% të vlerës së dëmshpërblimit për vitet e burgut dhe vuajtjes së përjetuar nën regjimin komunist. Që nga ajo kohë, duhet të theksojmë me trishtim se vetëm një në gjashtë të përndjekur ka mbetur gjallë dhe vetëm në tre muajt e fundit janë ndarë nga jeta më shumë se 200 prej tyre”, u shpreh z. Veliaj.

    Ndarja e fondit të dëmshpërblimit

    Ai vuri në dukje se risia kryesore e projektligjit është ndarja e fondit të dëmshpërblimit në dispozicion, në një raport prej 70% për të gjithë subjektet përfituese parësore dhe 30% për trashëgimtarët e ish të dënuarve që nuk bëjnë pjesë në kategoritë parësore. “Në takimet e rregullta që kam bërë me ish të përndjekur në zyrën time apo gjatë takimeve për ndarjen e kësteve të dëmshpërblimit vihesh dhe përpara faktit të trishtë që, ndërsa një qytetar si Gjelosh Biku 92 vjeç nuk kish marrë asnjë këst dëmshpërblimi, spekulantë ordinerë të cilët nuk kishin bërë vetë asnjë ditë burg, kishin përfituar tashmë me dy këste dëmshpërblim”, tha z. Veliaj, duke shtuar se me ndryshimet e propozuara nga MMSR përfitojnë njerëz si Gjelosh Biku, që nuk kanë marrë asnjë qindarkë prej 24 vitesh.

    Propozimet për ndryshimin e ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë” u miratuan në parim edhe nga Komisioni Parlamentar i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë.

    Kategoritë përfituese

    Projektligji përcakton gjithashtu edhe radhën e shpërndarjes së dëmshpërblimit për subjektet përfituese të kategorive parësore, për të njëjtin këst. Kështu, ky dëmshpërblim do të shpërndahet duke filluar nga:

    – Ish të dënuarat politike femra që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës;

    – Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç në momentin e miratimit të këtij ligji;

    – Ish të dënuarit politikë të cilët vuajnë sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm;

    – Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht moshës, kanë pasardhës së radhës së parë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji;

    – Ish të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji;

    – Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë nën 75 vjeç në momentin e miratimit të këtij ligji.

    box

    Plan veprimi për të përndjekurit

    Plan veprimi i Ministrisë për të Përndjekurit përfshin:

    -Rishikimin e të gjithë kuadrit ligjor në mbështetje të kësaj shtrese;

    -Ngritjen e Zyrës së të Zhdukurve;

    -Një plan të gjerë veprimi të memories historike, si dhe shërbime lehtësuese të tjera;

    -Transformimin e Institutit të Ish të Përndjekurve Politikë nga një institucion që ofronte vendet e punës për personat qe punonin aty, në një institucion dinamik dhe në shërbim të kësaj shtrese.

    Ish të dënuar politikë gjallë Sasia
    Të dënuar burra mbi 75 vjeç 1,284
    Femra mbi 75 vjeç 68
    Të dënuar Burra nën 75 vjeç 1,470
    Femra nën 75 vjeç 49
    Përfitues gjithsej 2,754
    Femra gjithsej 117