Veliaj: Kush nuk kalon 300 kw/h s’do t’i kthejë paratë e rimbursimit

    389
    Sigal

    TIRANE – Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, duke bërë një prezantim të buxhetit të vitit 2015, si dhe pjesës nga buxheti që do t’i akordohet kësaj ministrie, theksoi se pensionet do të jenë prioriteti i dikasterit që ai drejton.  

    Duke folur konkretisht ministri Veliaj tha se për vitin 2015 janë parashikuar 760 milionë dollarë për pensionet ose më saktë 5% e GDP (Prodhimi i Brendshëm Bruto). Veliaj u ndal edhe tek reforma në sistemin energjitik, dhe heqjes së fashës prej 300 kw/h si dhe ndikimi që do të ketë kjo tek pensionistët.

    Në këtë kontekst, Veliaj theksoi se pensionistët kryefamiljarë që preken nga heqja e fashës do të rimbursohen. Madje ministri nënvizoi se edhe nëse ata nuk i kalojnë 300 Kw/h, ata nuk do t’i kthejnë paratë, por do t’i mbajnë.

    “Prioriteti ynë më i madh janë pensionet, 760 milionë dollarë, që përbëjnë mbi 5% të GDP. Në vitin 2015 ne do të punojmë për reformën e pensioneve, që është reforma me efektin ekonomik më të madh në buxhet. Përfaqëson rreth 7.1% të GDP. Pra për herë të parë do të kemi pensione dinjitoze. Gjithashtu nga heqja e fashës së energjisë, ne do të rimbursojmë pensionistët kryefamiljarë. Por megjithatë edhe kush nuk i kalon 300 Kw/h, nuk do t’i kthejë paratë e rimbursimit, por do t’i mbajë ato.” theksoi Ministri i Mirëqënies Sociale.

    Veliaj: Barazojmë pensionet e qytetit me të fshatit
    Krahas kësaj, barazimi i pensioneve të qytetit dhe fshatit do të jetë një tjetër reformë e rëndësisshme që Ministri Veliaj prezantoi. Sipas Veliaj është e pandershme që për pensionet të ekzisotjnë dy standarte. Megjithatë për të realizuar këtë, Veliaj u shpreh se nevojitet edhe ndihma e qytetarëve. Kjo sa i përket qytetarëve që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore në vitet e kaluara, të cilët do të kenë mundësi ta bëjnë këtë, por duke u falur kamat vonesat.

    Pra siç u shpreh Ministri, qytetarët do të paguajnë të njëjtën shifër që do të duhet të kishin paguar në vitet e mëparshme.

    “Do të bëjmë edhe reforma të tjera. Duke filluar nga viti tjetër, pensionet e fshatit do të barazohen me ato të qytetit. Është e pandershme që të kemi dy standarte. Por ama që të ndodhë kjo kemi nevojë që qytetarët të bashkëpunojnë. Ka qytetarë që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore. Megjithatë ne jemi gati të ju themi qytetarëve që të paguajnë sigurimet shoqërore aq sa kanë qenë, se e njëjta vlerë që ka qenë në vitin 1994 nuk është sot. Ndaj jam i lumtur që Kuvendi do të kalojë këtë javë faljen e kamat vonesavve.” u shpreh Ministri Veliaj

    erion veliaj

    Veliaj: Viti 2015, viti i parë pa borxhe për shtresat në nevojë
    Një tjetër aspekt i rëndësishëm ku do të përqëndrohet fondi i buxhetit të vitit 2015 është edhe ndihme e personave me aftësi të kufizuar. Ministri Erion Veliaj, theksoi se viti që vjen është viti i parë që qeveria nuk ka pagesa të prapambetura apo borxhe nga vitet e kaluara.

    Kështu siç nënvizon Veliaj, nëse viti i kaluar ishte viti pa asnjë vonesë për shtresat në nevojë, viti i ardhshëm do të jetë viti i ardshëm pa asnjë borxh.

    “Personat me aftësi të kufizuar, që janë pjesa më nevojtare në një vend që secili po mundohet të rregullojë hallet e veta. Kjo është arsyeja se pse ky është viti i parë që ne futemi pa qenë në borxhe. Pra ky është buxheti i parë që nuk mban asnjë barrë nga e kaluara. Shumica e shqiptarëve nuk e kuptojnë se si është lënë pa paguar shuma për këtë shtesë. Nëse viti i kaluar ishte viti pa asnjë vonesë për shtresat në nevojë, viti i ardhshëm do të jetë viti i ardshëm pa asnjë borxh.” tha ai

    Veliaj: 10 milionë dollarë shtesë për shtresat në nevojë, totali 200 milionë dollarë
    Konkretisht për vitin që vjen janë parashikuar 10 milionë dollarë më shumë për shtresat në nevojë, duke e çuar buxhetin për këtë shtresë në total prej 200 milionë dollarësh.

    “10 milionë dollarë më shumë, pra nga 190 milionë dollarë do të shkojmë në 200 milionë dollarë. Pra jo vetëm po paguajmë më shumë se ata që ikën por edhe më shumë se viti ynë u parë. Sigurisht që me para të mëdha vijnë edhe përgjegjësi të mëdha. Por pikërisht se kemi më shumë fonde do të punojmë edhe më shumë për të larguar abuzuesit.” u shpreh Veliaj

    erion veliaj

    Veliaj: 27% e buxhetit për Mirëqënien Sociale, lider të Ballkanit
    Ndër të tjera Erion Veliaj nënvizoi edhe shpenzimet që po bën qeveria për shtetin e mirëqënies. Në këtë konktest, Veliaj u shpreh se qeveria shpenzon 27% të buxhetit për Mirëqënien Sociale. Kjo sipas Veliaj e kthen vendin tonë në lider të rajonit sa i përket shpenizmeve për shtetin e mirëqënies.

    “Të gjithë themi se duam të bëhemi si Suedia Danimarka etj. kjo për shkak se ata harxhojnë mbi 20% për Mirëqënien Sociale. Megjithatë ne sot jemi krenarë se jemi një shtet që beson tek Mirëqënia. Pra nga 20% që është minimumi për tu kategorizuar në shtetin e Mirëqënies, ne harxhojmë 27%. Pra jemi një nga vendet lider në rajon, dhe themi me krenari se jemi më të mirët në rajonin tonë. Dhe kjo është një gjë që duhet të na bëjë krenarë. Kemi filluar tek një Shqipëri më e mirë.” tha Veliaj

    Veliaj: Buxheti për këtë vit rekord, sa 2-fishi i investimeve
    Sa i përket buxhetit të Mirëqënies, Ministri Veliaj tha se tashmë përbën një rekord buxheti për vitin 2015, pasi është sa 2-fishi i investimeve. Në këtë kontekst, Veliaj u shpreh se krahasuar me një vit më parë ai është 4.6% më i lartë.

    “Buxheti i mirëqënies është sa 2-fishi i investimeve dhe ky është një rekord. E thënë në këtë sistem relativ besojmë se kemi një rekord në buxhetin e këtij viti. Viti që kaloi ishte viti i fundit që krahasoheshim me dështakët e qeverisë së kaluar. Pra edhe në kushtet e vështira ne kemi pasur rritje në buxhet me 4.6% dhe është më mirë se viti ynë i parë dhe më i mirë se viti i tyre i fundit.”