Veliaj: Kush kontribuon më shumë në skemë, merr më shumë

    105

     Mblidhet grupi ndërministror për reformën e pensioneve. Sistem progresiv për skemën e re të pensioneve

     Reforma e pensioneve ishte në fokus të diskutimeve në mbledhjen e dytë të grupit ndërministror të drejtuar nga ministri Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ku u njoh me dy opsionet e kësaj reforme nga grupi teknik që ka hartuar dokumentin e politikave. Ministri MSR-së, z. Erion Veliaj, vuri në dukje që në fillim se dy problemet thelbësore të skemës aktuale të pensioneve mbeten defiçiti shumë i lartë, që e bën skemën financiarisht të papërballueshme dhe numri shumë i ulët i kontribuuesve. Grupi teknik thuajse ka përfunduar dokumentin e politikave dhe pasi të përcaktohen edhe detajet finale, ky dokument do të bëhet publik, duke synuar një dialog të gjerë me opozitën, partnerët socialë, grupet e interesit etj.

     Fjala e plotë e ministrit Veliaj

     Diskutimet e shumta dhe interesi i madh i publikut qëkurse ky grup pune u mblodh për herë të pare, dëshmojnë për rëndësinë e madhe që ka sistemi i pensioneve për stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë, si edhe për ndjeshmërinë e lartë që ka publiku ndaj ndryshimeve në të. Gjatë kësaj kohe, ndërkohë që grupi teknik është marrë me hartimin e dokumentit të politikave, mendoj se kemi arritur t’i bëjmë publike problemet që karakterizojnë skemën aktuale, si edhe të rrisim ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth kësaj çështjeje dhe nevojë alarmante për reformë këtë vit. Përmbledhtazi, dy problemet thelbësore mbeten deficiti shumë i lartë që e bën skemën financiarisht të papërballueshme dhe numri shumë i ulët i kontribuuesve, çka bën që një numër i konsiderueshëm qytetarësh të mbeten pa pension pleqërie. Nëse nuk ndërhyjmë tani, këto dy probleme, njëri ekonomik e tjetri social, mjaftojnë për të shkaktuar një krizë ekonomike e një tjetër sociale. Dhe nuk po flasim për ndonjë të ardhme të largët, por për dy vitet e ardhshme, kur këto kriza mund të bëhen të papërballueshme nëse nuk ndërhyjmë tani. Ndaj, ne jemi të vendosur që të ndërmarrim të gjitha hapat administrative të nevojshme brenda këtij viti në mënyrë që skema e re të nisë funksionimin në ditën e parë të vitit 2015. Çka nënkupton se takimet konsultative, hartimi i ligjit dhe i çuarjes së tij në Parlament do të mbyllet deri në janar 2015.

    Skema e re

    Skema e re të cilën jemi duke e punuar është moderne dhe jo vetëm që do të ofrojë një zgjidhje afatgjatë për dy problemet e sipërpërmendura, por do të garantojë edhe pensione të larta në përputhje me nivelet e kontributit të gjithsecilit në këtë skemë.

    Heqja e kufizimit të pensionit maksimal

    Për këtë qëllim, ne do të heqim çdo lloj kufizimi të pensionit maksimal duke e lidhur masën e pensionit vetëm dhe vetëm me kontributet e derdhura. Kush do të kontribuojë shumë do të marrë shumë dhe kush do të kontribuojë pak do të marrë pak.

    Pensioni social

    Për ata që s’kanë pasur mundësi të kontribuojnë fare, ne do të propozojmë vendosjen e një pensioni social. Më lejoni tani të trajtoj keqkuptime të mundshme që mund të kenë lindur në lidhje me këtë pension, si përsa i përket moshës së përfitimit, kritereve dhe masës. Së pari, ky pension social nuk ka për qëllim dhe nuk mund të zëvendësojë pensionin që rrjedh nga skema kontributive për sa i përket masës dhe moshës së përfitimit. Qëllimi i tij i vetëm është që të sigurojë që në të ardhmen një person në moshën 70 vjeçare, i cili e gjen veten jashtë kritereve të përfitimit të skemës kontributive të pensionit, të mund të mbështetet në solidaritetin e shoqërisë për të siguruar nevojat e tij minimale. Në lidhje me kriteret e përfitimit, do të jetë një pension i cili përfitohet vetëm pas vërtetimit të nevojës së pensionit, mungesës së të ardhurave alternative, i ngjashëm me kriteret e përfitimit në skemën e ndihmës ekonomike sot. Kështu që nëse keni një punë dhe dëshironi që në pleqëri të keni të ardhura dinjitoze, atëherë të gjithë bëjmë mirë që të sigurohemi që kontribuojmë në sistemin e pensioneve.

    Mosha e daljes në pension

    Sigurisht, çështja më e ndjeshme lidhet me moshën e daljes në pension. Sërish, dua të sqaroj se rritja e moshës së pensionit nuk do të përfshijë ata që janë në prag të daljes në pension. I gjithë ky diskutim ka për qëllim që të sigurojë përshtatjen e skemës së pensioneve me rritjen e jetëgjatësisë në vend dhe viteve të kontributeve që nevojiten për të siguruar stabilitetin afatgjatë të skemës së pensioneve. Sot është fakt që njerëzit jetojnë më gjatë dhe se për shkak të angazhimeve universitare, ata hyjnë në një moshë më të madhe në tregun e punës. Prandaj është e domosdoshme që mosha e pensionit të rritet me të njëjtin ritëm me rritjen e jetëgjatësisë.

     Dialogu me grupet e interesit

    Së fundi, dua t’ju them se specialistët pothuajse e kanë përfunduar dokumentin e politikave, dhe pasi të përcaktohen edhe detajet finale, ai do të bëhet publik duke synuar një dialog të gjerë me opozitën, partnerët socialë, grupet e interesit etj. Një reformë kaq e rëndësishme kërkon jo vetëm konsensus politik, por edhe Konsensus Kombëtar ndaj ne jemi të vendosur që të marrim parasysh çdo opinion.

    Rezoluta/ Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet

    ERE nuk do të marrë asnjë vendim për rritjen e çmimit të energjisë deri në momentin që të ulë humbjet në një nivel të pranueshëm dhe të rrisë arkëtimet. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miratoi sot një projekt-rezolutë, e cila ka marrë të gjitha votat nga deputetët. Kreu i këtij komisioni, Eduard Shalsi iu drejtua Entit Rregullator të Energjisë elektrike me një kërkesë zyrtare në lidhje me këtë çështje. “ERE nuk do të marrë asnjë vendim për rritjen e çmimit të energjisë deri në momentin që të ulë humbjet në një nivel të pranueshëm dhe të rrisë arkëtimet. Qytetarët e ndershëm nuk kanë pse të pësojnë për ata që nuk pse paguajnë energjinë elektrike”, theksoi Shalsi. Kjo projekt-rezolute është përkrahur si nga opozita po ashtu dhe nga maxhoranca.

     Ja kujt dhe sa i rimbursohet TVSH-ja

    Zbardhen ndryshimet në udhëzimin “për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Ministri i financave Shkëlqim Cani ka përcaktuar rastet se kur kreditohet TVSH dhe përqindjet sipas peshës specifike. Në pikën 19.4, paragrafi 1 zëvendësohet me këtë përmbajtje:

    “1) Shpenzimet e karburantit, përveçse kur qëllimi i veprimtarisë ekonomike është blerja e karburantit me qëllim për ta shitur atë. Për qëllime të veprimtarisë ekonomike të tatueshme, kreditimi i TVSH-së së gazoilit të blerë për këtë qëllim, është i lejueshëm deri në normativat e listuara më poshtë, mbi bazën e treguesit të përcaktuar sipas peshës specifike që blerjet për gazoil zënë në raport me qarkullimin e kryer për qëllime të veprimtarisë ekonomike.

    Normativat e kreditimit të TVSH-së së gazoilit

    I. Ndërtim

    a) Prodhim materiale inerte deri më 33%;

    b) Ndërtim shtrim rrugësh deri më 32%;

    c) Ndërtim banesash dhe objektesh të ndryshme deri më 8%;

    ç) Prodhim betoni deri më 14%;

    d) Gërmime/shpime deri më 25%;

    dh) Prodhim tullash dhe tjegullash 33%.

    II. Transport

    a) Transport udhëtarësh deri më 43%;

    b) Transport mallrash deri më 38%;

    c) Transport mallrash me mjete teknologjike 78%.

    III. Shërbime

    a) Autoshkolla deri më 25%;

    b) Shërbime pastrimi qyteti deri më 30%;

    c) Peshkimi deri më 10%.

    III. Tregti deri më 3%

    IV. Të tjera (të palistuara më lart) deri më 2%

    Barra e provës për të provuar qëllimin e përdorimit të gazoilit për qëllime të veprimtarisë ekonomike të tatueshme, bie mbi personin e tatueshëm. Nëse nga kontrolli i thelluar konstatohet që personi i tatueshëm me pa të drejtë ka kredituar TVSH-në lidhur me blerjen e gazoilit, duke mos e justifikuar atë, Drejtoria Rajonale Tatimore aplikon të gjitha sanksionet që parashikon legjislacioni tatimor në fuqi”.