Veliaj: 184 komuna të PD vonojnë pagesën për shtresat në nevojë

    406
    Sigal

    TIRANE – Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj i ka bërë thirrje 184 komunave demokrate që të mos vonojnë më pagesat  e ndihmës ekonomike dhe të shtresave në nevojë, pasi siç theksoi ai fondet u janë dorëzuar në kohë.

    Deklaratat Ministri Veliaj i bëri gjatë konferencës së organizuar në kuadër të Konventës së Shërbimeve Sociale. Veliaj nënvizoi se këta komuna zgjedhin të kryejnë vonesa në pagesat për shtresat në nevojë, pasi zgjedhin të bëjnë politikë.

    Në këtë drejtim, Veliaj ka kërkuar që paratë të shpërndahen, duke shtuar se mjafton që ata të ngrenë dorën pasi fondet u janë dorëzuar.

    “Janë 184 komuna ku kemi pasur vonesa të ndihmës sociale, dhe vetëm prej faktit se po bëjnë politikë, u kërkohet vetëm ngritja e dorës që të disbursohen paratë. Nuk ka pasur asnjë vonesë në fonde. E vetmja gjë që kërkohet është ngritja e dorës që fukarenjtë të marrin paratë. Të mbledhim këshillat e komunës që të mos vonohen paratë. Ju duhet të tregoni një alternativë më të mirë se ajo që është në pushtet prandaj ju bëj thirrje të mos vonohet pagesa.” u shpreh në fjalën e tij Ministri i Mirëqënies.