Veliaj: 17 bamirës të gatshëm për të investuar në çerdhe

    367
    Pas shpalljes së nismës “Adopto një çerdhe” nga kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, mësohet se 17 bamirës janë shprehur të gatshëm për të kontribuuar për ndërtimin e çerdheve. Kryebashkiaku ka theksuar se duhen edhe 14 vullnetarë të tjerë, në mënyrë që të gjitha çerdhet këtë vit të jenë gati për të vegjlit me kushtet e nevojshme. “Kanë mbetur dhe 14. Nëse do të japësh një dorë ta kalojmë këtë situatë emergjence me çerdhet, kontribuo”, shkuan kryetari i bashkisë në rrjetet sociale. Gjendja e mjeruar në të cilën ndodhen një pjesë e mirë e çerdheve në kryeqytet ka nxitur kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj, të kërkojë ndihmën e bizneseve apo njerëzve të thjeshtë që duan të kontribuojnë për të investuar në to. 

    Bashkia aktualisht ka një borxh prej 30 milionë dollarësh dhe sipas kryebashkiakut është e pamundur të investohet në çerdhe, edhe pse nevojat janë shumë të mëdha. Përballë një situate të tillë, ai bëri thirrje për mbështetje financiare, pasi në fillim të shtatorit çerdhet duhet të funksionojnë me kapacitet të plotë, por asgjë nuk është gati. Këtë thirrje ai e bëri gjatë vizitës në çerdhen nr. 5 në kryeqytet, e cila ndodhet në kushte të mjerueshme. Ndër të tjera ka deklaruar se në këtë periudhë duhet të kishin përfunduar punimet në çerdhe dhe jo të diskutohej nëse ka apo jo para për të investuar në to.
    Sigal