Vazhdon masakra në pyllin e Golemit, një firmë private sharron pishat shekullore

    396
    Sigal

    Rreth 100 pisha përfunduan në dru zjarri. Në vend të tyre janë ngritur vila e pallate banimi

    Ajo që vazhdimisht është paralajmëruar dhe njoftuar edhe në media se: “Golemi është betonizuar duke prerë pishat 120 -vjeçare”, duket se është bërë sinjal alarmi për pushtetin vendor në zonën, ku natyra mbetet e masakruar. Prerja e qindra e qindra pishave shekullore dhe ndërtimi i objekteve shumëkatëshe mbi rrënjët e tyre, ka dëmtuar dhe falimentuar një pjesë të mirë të bizneseve, të cilat me leje të rregullt kanë ndërtuar komplekse turistike, duke mos dëmtuar një degë dhe jo një pishë gjigande siç është vepruar në rastin konkret. Disa banorë të Golemit deklaruan për “Telegraf” se, “një firmë fantazmë, prej 2 javësh ka zënë tokën që posedon në mënyrë të ligjshme, që është shoqëruar me rrethime llamarinash, ndërtime muresh prerje të pishave e veprime të tjera, duke dëmtuar natyrën, e cila gjendet vërtetë e rrënuar atje”. Banorët u shprehën se, “si ne kanë reaguar këto ditë edhe pronarë të një fshati turistik dhe kompleksi vilash, pasi ata janë si edhe ne, posedues të ligjshëm të një toke me certifikatë pronësie lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Kavajë datë 23 -07- 1999. Kjo pasuri i është dhënë për 49 vjet një pronari me të drejtë “ripërtëritje të kontratës nga Ndërmarrja Pyjore Kavajë”. Kjo pasuri është dhënë me qëllime pushimi, argëtimi nevojash shëndetësore , klimaterike e turizmi. Por firma fantazmë prej disa javësh ka cenuar të drejtën dhe posedimin të ligjshëm të tokës duke e zaptuar sikur të ishin pronarë të ligjshëm. Banorët e asaj zone deklaruan se, “kemi vënë në dijeni strukturat e pushtetit vendor e qendror, madje kemi bërë dhe padi në Gjykatën e Shkallës së Parë Kavajë, por me gjithë kërkesat e njëpasnjëshme për të liruar këtë truall përsëri firma pa emër nuk ka bërë asnjë hap për lirimin e pronës së ligjshme dhe jo vetëm kaq, por aty ka nisur të bëhen punime dhe të priten pisha shekullore”. Deri tani sipas banorëve, janë prerë 100 pisha, por në të gjithë zonën e okupuar janë 813 pisha, prerja e të cilave është një masakër e rëndë ekologjike. Banorët kanë kërkuar nga Gjykata Kavajë dhe Policia Ndërtimore, të pezullojë punimet e firmës pa emër, të caktohen ekspertë për të konkretizuar sipërfaqen e zënë, të hiqen rrethimet dhe prishen punimet e bëra duke i detyruar cenuesit e pronës që të dorëzojnë tokën e ligjshme. Në mënyrë flagrante po priten pishat që duan gjysmë shekulli të rriten në këtë nivel, të dhëmb shpirti kur sheh të masakrohen frytet e natyrës, këto pisha e kanë zanafillën e tyre që në kohën kur në Golem është ngritur Shkolla e Fullcit në vitet ‘30”. Ky është shkatërrim i ekosistemit dhe ekologjisë. Pronarët e ligjshëm të kësaj toke kanë në projekt të ngrenë vila me arkitekturë europiane në shërbim të turizmit bregdetar, por duket se përfaqësuesit e anti-ligjit po sfidojnë shtetin dhe po vendosin hegjemoninë e tyre pasurore në zonën, e cila njihet për dëmet e shkaktuara në 24 vitet e fundit dhe që nuk ka gjasa të rikthehet në asnjëherë në identitet.