Vazhdojnë faturat marramendëse për energjinë elektrike.Qytetarët: S’gjejmë zgjidhje!

    412
    Sigal

    Edhe pse kemi dëgjuar deklarata të shumta për zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me energjinë elektrike, në realitet asgjë nuk ka ndryshuar. Këtë fakt e bëjnë të ditur qytetarët e shumtë që kanë ankesa të pafundme dhe që nuk kanë gjetur zgjidhje. Çdo ditë qytetarët paraqiten pranë zyrave të energjisë për të paguar fatura të larta që u vijnë në adresë të tyre, por që ato shprehen se janë koshient që nuk e kanë konsumuar aq energji sa u vijnë faturat. Kjo vërteton që situata në sektorin energjetik në Shqipëri nuk ka marrë ende zgjidhje. Qytetarët shprehen se nuk kanë rrugë tjetër, përveç asaj të pagesës së faturave të larta që u vijnë, pasi në të kundërt u ndërpritet energjia nëse nuk paguajnë. Në menaxhimin e energjisë është krijuar një situatë kaotike, pasi ende nuk janë çuar në vendin e duhur gjërat. Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga kalimi i energjisë nën administrimin e shtetit, sërish situata mbetet problematike. Një pjesë e qytetarëve shprehen se ka dhe raste që u vijnë faturat bosh dhe një pjesë të qytetarëve u vijnë fatura mbi njëqind mijë lekë që duhet ti paguajnë. Qytetari Bilal Samarxhi, nga kryeqyteti, është shprehur për “Telegraf” se: “Me energjinë kemi pasur probleme herë pas here, më parë na vinin faturat shumë të larta, por situata vazhdon e njëjtë edhe tani. Këtu shkohet nga ekstremi në ekstrem, nuk merret vesh nëse ka shtet apo nuk ka. Mua për muajin janar më erdhi një faturë marramendëse, që unë vetëm një person jam në shpi dhe për këtë mund të verifikohet që unë se kam harxhuar asnjëherë atë energji. Fatura mua më ka ardhur njëqind e tridhjetë e tre mijë lekë”. Por ka dhe raste të tjera ekstreme që u kanë ardhur fatura bosh për muajt e parë të vitit dhe më pas i kanë paguar me kamatëvonesa, por as për këto raste nuk ka pasur ndonjë masë të marrë nga administruesit e kompanisë energjetike. “Më erdhi fatura bosh për muajin janar dhe shkurt dhe erdha të interesohem për këtë pasi nuk mund ti paguaj dy muaj njëherë” është shprehur për “Telegraf”, Alma. Xh nga Tirana. “Kam librezën në të cilën më shënuan që s’ka dhe tani më duhet që të paguaj dy muaj rresht, por nuk e kam aspak të lehtë, më duhet të lë ushqimet mangët fëmijëve, për të paguar për kapriçot e këtyre”, vijoi më tej zonja Eriselda. B.

    Qytetarët paguajnë energji të pakonsumuar

    Çdo ditë pranë zyrave qendrore të CEZ, paraqiten qytetarë për të bërë pagesa të energjisë së pakonsumuar prej tyre. Ka shumë raste që qytetarët jetojnë jashtë shtetit dhe kur vijnë ndeshen me një super faturë energjie që duhet të paguajnë nga CEZ. Nuk u jepet asnjë alternativë tjetër përveç pagesës së faturës, pasi në të kundërt u ndërpritet kontrata. Nëse u duhet të marrin sqarime e kanë të pamundur pasi është e vështirë. Bëjnë ankesa të pafundme, por ato mbeten në sirtarët e zyrave energjisë dhe s’është e thënë që të jepen sqarime. “Unë kam shtëpinë e vajzës, dhe jeton në Greqi, dhe unë duhet të paguaj realisht faturën prej 340 lekësh në muaj. Por ajo që na çudit është se faturat çdo muaj vijnë mbi 2 mijë lek të reja edhe pse nuk jeton njeri në shtëpi. Madje para disa muajsh ishte njëqind e njëzet mijë lekë”, tregon zonja. Selvie. M. Por ajo që i shqetëson më shumë qytetarët është se bëjnë ankesa dhe nuk marrin përgjigje. Ndërkohë që një problem tjetër prezent është edhe ardhja e faturave gati të dyfishuara për qytetarët të cilët gatuajnë me gaz, dhe nuk e konsumojnë korrentin. Ali .C, shprehet për “Telegraf” se: “Më ka ardhur fatura afërsisht 62 mijë lekë, ndërkohë që, më parë kam paguar deri në 24 mijë lekë dhe nuk kam gatuar as nuk jemi ngrohur me korrent. Të njëjtin konsum energjie kemi bërë edhe tani, sepse jemi vetëm dy pensionistë dhe jemi munduar në maksimum që të kursejmë”.

    Qytetarët: Ankesat tona asnjëherë nuk janë dëgjuar

    Qytetarët shprehen të  revoltuar për “Telegraf”, se, “Nuk kemi ku të ankohemi, ne asnjëherë nuk na janë dëgjuar ankesat tona, si në kohën që ishte CEZ, ashtu edhe sot që administrimi po bëhet nga shteti”shprehet Iliaz. B. Por përkrah faktit që ankesat e qytetarëve nuk marrin zgjidhje, qytetarët nuk po dinë as ku ti bëjnë këto ankesa për disa arsye. Pasi kur qytetarët shkojnë për të bërë ankesa se nuk u vijnë faturat, apo shkojnë për të bërë ankesa për fatura marramendëse që ato as nuk i kanë harxhuar, marrin si përgjigje nga punonjësit: “që bëjini tek x zyrë, apo bëjini tek x person”. Për këto arsye qytetarët shprehen të irrituar, sepse dëgjojnë vetëm deklarata për ndryshim të situatës, por realiteti ka mbetur i pandryshuar ende. Edhe pse largimi i CEZ, duhej bërë më parë përsëri nuk ka zhvillime pozitive sipas qytetarëve. Ata shprehen se kjo kompania CEZ, nuk duhet të mbahej aspak në Shqipëri, por fakti që ajo ishte nën ombrellën e qeverisë, rezistoi aq gjatë. “Ende nuk i kemi harruar padrejtësisë që na ka bërë CEZ, me ditë të tëra pa drita, me fatura të kripura, por kjo qeveri do ta paguajë koston e asaj që mbajti CEZ në Shqipëri” shprehet Avni. S. Ankesat për abuzime dhe ndërprerje të energjisë kanë qenë të pranishme në çdo qytet të Shqipërisë, por asnjë institucion nuk i  mori në konsideratë me qindra ankesa që janë bërë për vite me radhë, por ajo që e rëndon situatën është se edhe sot situata nuk ka ndryshuar.