Vasil Premçi/Në amfiteatrin natyror të Lurës, së shpejti konkursi ndërkombëtar i poezisë

594
Sigal

 Mbresa nga vizita me Pandeli Koçin mes mrekullive natyrore të Lurës, ku ëndrrat dhe realiteti janë pranë

Me ftesën e shkrimtarit dhe poetit që është miku ynë, së bashku me Pandeli Koçin, udhëtojmë për në Lurën piktoreske duke përshkuar bukuritë e pasosura të natyrës. Nuk mund t’i  fshehim ndjesitë e këtij udhëtimi nëpër bukuri! Në një nga ditët në vijim, nxënësit e shkollës 9-vjeçare të Lurës  do të diskutojnë tri librat e Pandeliut, “Turbull”, “Trekëndëshi i qiellit të zi” dhe librin “Unë jam unë”.  Për fat të keq, për Pandeliun, ky udhëtim bëhet pa Faik Ballancën, tregimtarin e  njohur,  i cili  ndërroi jetë afro tre dekada më parë. Në raste të tilla, si ky,  shoku dhe miku i tij i vjetër Pandeli Koçi, sjell me një kënaqësi të veçantë copëza kujtimesh nga udhëtimet e tyre të hareshme  nëpër Shqipëri. Në këtë udhëtim në gjirin natyrës Faiku nuk do të mungonte,- flet Pandi.- Do të vinte jo vetëm për librat e mi, për  të cilat do të  gëzohej  si për librat e tij, por edhe për shkak të shpirtit të tij  kërkues. Kur bulevardet e Tiranës gumëzhinin në verë, Faiku këmbëngulte t’ia thernim vrapit drejt  vendeve dhe njerëzve për të cilët kishim biseduar me zjarr e pasion korridoreve të auditorëve dhe redaksive. Nuhatja e tij prej shkrimtari e ndillte  drejt temave të reja. Në një udhëtim si ky, në malet e Labërisë,  lindi  novela e më pas romani i tij “Nomeja e largët”. Për t’u bërë një shkrimtar i mirë, nuk mjafton vetëm talenti. Nëse nuk e mbush kovën e krijimtarisë me ujin e freskët  të  pusit  të  thellë të jetës, nuk mund ta ushqesh krijimtarinë letrare. Në çdo udhëtim, edhe  nëse nuk sheh vende të bukura, njihesh me vende të reja…Troshitjet e rrugës plot gropa me ujë për në Lurë të kujton procesin kur rrihet kosi dhe  nxirret gjalpi e dhalli. Por natyra bujare kompenson stërmundimet që na shkaktojnë  gropat me ujë, çdo dhjetë-pesëmbëdhjetë metra, me peizazhet e pamjeve mahnitëse të natyrës. Në Lurë mbërritëm në mbrëmje, ndaj iu dorëzuam shpejt gjumit çlodhës. Të nesërmen, të dielën, dëshirës tonë për t’u gjendur pranë liqeneve të Lurës, moti iu përgjigj me një refuzim të egër. Gjatë natës kishte rënë borë. Nga rruga e asfaltuar në qendrën e  komunës së Lurës, dukeshin majat e maleve të Runjës dhe Nezhës që ishin zbardhur dhe dukeshin sikur kishin venë mbi krye qeleshet  e bardha. Lleshi, si të ishte përballë dy fëmijëve tekanjozë, kërkoi të ledhatojë dhe të marrë me të mirë malet:

– Rrallë herë ka ndodhur të bjerë borë në fund të majit,- na u drejtua ai.-Me sa duket, është një dhuratë e natyrës, për ju.

Poeti dhe shkrimtari Llesh Doçi ka një ëndërr: të zhvillojë  në mjediset e godinës së arteve, në gjirin e amfiteatrit të maleve të Lurës, konkursin mbarëkombëtar letrar  “Kurora e Lurës” dhe  ndarjen e çmimit të këtij konkursi,  “Pena e thyer”, pra një penë mjeshtri e thyer nga puna stërmunduese …

Në fasadën që sapo ka ngritur kokën nga themelet e godinës së ardhshme, përballë rrugës kryesore janë lënë vend qysh tani për 14 stenda në të cilat do të afishohen portretet e shkrimtarëve dhe njerëzve të shquar të letrave shqipe.

-Sigurisht, në stendën e parë e meriton të vihet Nikollë Kaçori, biri i shquar i Lurës dhe i të gjithë Shqipërisë, nënkryetari i qeverisë së parë pas shpalljes së Pavarësisë dhe bashkëpunëtori i ngushtë i babait të kombit tonë, Plakut të Vlorës, Ismail Bej Vlorës. Kurse në stendën e dytë  mendoj të vihet portreti i shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, jo vetëm për ndihmesën që po jep sot brenda dhe jashtë vendit, por edhe për shkak të një rastësie të këndshme. Duke shkruar një reportazh për gazetën, ai është edhe shkrimtari i parë që ka vizituar Lurën. Gjyshi im, më ka treguar se Kadare ka qenë mik i kullës së familjes time për rreth shtatë ditë në vitin 1967. Dhe, përveç qëllimit për të cilin kishte ardhur me shërbim, ai këtu  është frymëzuar për një pjesë të poezive të librit “Motive me diell”. Duke e dëgjuar në heshtje dhe të rënë në mendime, na erdhi mirë për koincidencën e bukur letrare.

-Atëherë vendi i parë dhe i dytë janë plotësuar , – ia ktheva unë me të qeshur,- por edhe ti Pandi e ke hedhur një hap të suksesshëm para, sepse nesër nxënësit e shkollës do të diskutojnë librat e tu. Janë këta nxënës që nesër do të jenë kolegët e Lleshit ose drejtuesit e komunës së Lurës që do ta çojnë më përpara projektin e mësuesit të tyre.  Për një çast Lleshi bie në mendime. Në ballin e tij   shfaqen disa rrudha të lehta në të cilat  nuk e kemi  të  vështirë të lexojmë indiferencën, vështirësitë  dhe pengesat që duhet të kapërcejë.

-Nëse do të kisha edhe  mbështetje, ky konkurs i shumëndërruar do të organizohet më shpejt nga sa mendoj,- tha ai.  Ashtu sikurse pasqyrohet shkëlqimi i diellit në sipërfaqen e ujërave të liqenit, tek analiza letrare, esetë dhe refleksionet e nxënëseve të tij të talentuara, Jola Kaçi, mbi libri “Unë jam unë”, Silvana Skana, mbi librin “Turbull” dhe Xheni Doçit, mbi librin “Trekëndëshi i qiellit të zi” të Pandeli Koçit, shpërfaqet puna e mësuesit të tyre, poetit dhe shkrimtarit Llesh Doçi. Në vizionin tonë, portreti i tij  tani është më i plotë. Sigurisht, në peizazhin që tani për tani borëzon nuk e kemi të vështirë të fantazojmë mbrëmjet artistike kushtuar poezisë, në livadhet e Lurës, pranë liqeneve si ca sy magjikë,  kur dielli zhduket në horizont dhe reflekset e tij të purpurta ngjyrosin dremitjen ujërave dhe të vetë qiellit. Ndërsa atje lart, në qiell, sikurse edhe  atje poshtë,  në pasqyrimin e ujërave të liqenit,  retë, vallëzojnë kundrejt perëndimit të Diellit. Na bëhet sikur dëgjojmë të bjerë këndshëm një zile elektrike që vjen nga salla e lektorëve të letërsisë dhe një zë i ngrohtë që na fton:

-Ju lutem hyni brenda! Pas disa minutash fillon konkursi i madh letrar “Kurora e Maleve”!

Dhe, poetët e shkrimtarët nga të katër anët e atdheut dhe të globit, të kapur krah për krah zënë e ngjiten shkallëve të mermerta, duke biseduar me zë të ulët. Një spikere e bukur si një shtojzovalle që sapo ka dalë nga ujërat e liqeneve të Lurës, fton pjesëmarrësit të recitojnë krijimet e tyre…Ne e dimë fort mirë; çdo ëndërr e bukur vjen me ngrohtësinë dhe gjelbërimin e pranverës që presim.