Varfëria e Korçës, si një shekull më parë

    375
    Sigal

    Protesta e lypsarëve të Korçës:

    Lutje qeverisë, të presë para të vogla, që njerëzit të kenë ç’të na dhurojnë!

    KORÇË- Një lypsar doli rrugëve të Korçës me shpresën se dikush do t’i dhuronte ndonjë gjë të vogël. I brodhi të gjitha rrugët, por nuk mundi të siguronte dot asnjë qindarkë. Që të gjithë i shmangeshin, ndërronin rrugën dhe bënin tutje. Nuk donin të përballeshin me të. Kishte nga ata që i përgjigjeshin: “Zoti të dhëntë!”, pa i hedhur as vështrimin. Bënte ftohtë. Ndoshta po kaq të ftohtë po i dukeshin edhe njerëzit e qytetit të tij. Shumica iknin pa i dhënë asgjë. Kishte edhe nga ata që e vështronin me përbuzje, por ai përsëri u zgjate dorën. Rrugët e Korçës mbajnë emra bankierësh, emra bamirësish e dhuruesish të mëdhenj, por edhe në këto rrugë nuk gjeti ndonjë ndryshim nga rrugët e tjera, si rruga e “Serenatave”, rruga “e bilbilave” etj. Mendoi të kalonte nga bulevardi “Shën Gjergji” në rrugën më luksoze të qytetit të Korçës, Në atë rrugë gjithçka ndrit, vetëtin dhe shkëlqen. Lokalet janë të shtrenjta, aty pinë kafenë zakonisht ata që kanë 100 lekë në xhep, kurse ata që mbajnë me vete vetëm 50 lekë, e pinë kafen në periferi. Edhe aty ka lypsarë. Lypsarët e Korçës i gjen në çdo rrugë. Kështu ka qenë edhe 100 vjet më parë. Por atëherë ata dolën në protesta, kërkonin që qeveria të priste para të vogla që njerëzit të kishin çfarë t’u dhuronin. Këtë histori do ta tregojmë më poshtë. Tashmë le të shohim çfarë do të ndodhe me lypsarin tonë.

    Lypsari

    Lypsari që kishte dalë për herë të parë të lypte nuk po fitonte dot asgjë. E vetmja shpresë e tij mbetej bulevardi “Shën Gjergji”. E përshkoi disa herë poshtë e lartë, shkoi edhe te kulla “e famshme” e Korçës, kaloi edhe përqark pistës së patinazhit në akull. Korça iu duk si “ Paris i Vogël”, por sërish përfundimi ishte i njëjtë, asnjë qindarkë në xhep të tij.  Kishte nga ata që i përgjigjeshin gjithë turp: “Nuk kemi asnjë lek në xhep”.  Trishtimi ishte rrëqethës. Në kullë nuk ngjitej askush, te pista e patinazhit nuk lodronte asnjë. Gjithçka dukej si e vdekur prej kohësh. Atëherë lypsari vendosi të rikthehej përsëri te bulevardi “Shën Gjergji” dhe t’ua merrte me forcë. Nxori thikën. Tashmë nuk po lypte më. Kërkonte lekë me dhunë. Ndoshta mendonte se ishte në të drejtën e tij. Njerëzit mbetën të trembur. Si ishte e mundur që njeriu të rebelohej ashtu! Ai u shndërrua në një përbindësh. Askush nuk e di çfarë mund të kishte ndodhur. Nuk vonoi shumë dhe policia mbërriti. Lypësi nuk dëshironte të dorëzohej. Përpiqej t’i rezistonte gjithkujt. Gjithsesi, më në fund arrestimi i tij u bë i mundur. Njerëzit morën frymë thellë. Më pas u tha se lypsari ishte njeri me probleme mendore, ndaj ishte lënë i lirë. Jo të gjithë patën fatin ta shihnin nga afër lypsarin e çmendur, ndaj tashmë sa herë shohin që dikush u afrohet për lypje mendojnë se do të jetë i sëmuri mendor. Lypsarët janë të shumtë. Nuk është çudi që edhe ndonjëri prej tyre të përfundojë në çmenduri, kur sheh se nuk mundet të çojë asgjë në shtëpi dhe fëmijët nuk kanë as bukë dhe as ngrohje. Ndoshta ngushëllohen nga fakti se lypsarë ka kudo, jo vetëm në Korçë që njihet si “ Paris i Vogël”, por edhe në Parisin e vërtetë e të madh të Francës.

    “Parisi i Vogël”

    Korça, “Parisi i Vogël” i  Shqipërisë, ka pasur gjithnjë histori lypësish. Me kalimin e viteve ata nisën të bëhen gjithnjë dhe më të shumtë. Njëqind vjet më parë, ata u ndodhën pothuajse në këto kushte që gjenden sot lypsarët e Korçës. Dilnin rrugëve për të lypur dhe askush nuk u ofronte gjë. Që të gjithë iknin pa kthyer kokën pas. Edhe atëherë rrugët e Korçës mbanin emra njerëzish të shquar, por në asnjë prej rrugicave nuk kishte shkëlqim. Varfëria nxinte ngado. Të njëjtin trishtim gjenin edhe te rruga “Miss Durham” te lagja “Barç”, edhe te rruga “Hann” te lagjja “e Re”, edhe te “Rober Cecil” te lagjja “Penço”, edhe te rruga “D’estaurnelles Decosland”, te lagjja “Barç”, edhe në rrugën “Dodona” në lagjen “Radanec”, ashtu sikurse shihnin të njëjtën gjë edhe në rrugën “Lëmenjtë” te lagjja  “Kulla e Hirit”. Lypsarët nuk arrinin të kuptonin dot përse rrugët e qytetit të tyre mbanin emra kaq të vështirë për t’u lexuar, por dikush u kishte thënë se këto emra e bënin Korçën qytet evropian. Megjithatë, për lypsarët të gjitha rrugët ngjasonin si dy pika uji me udhët që përshkonin “Kullën e Hirit”. Këtë ngjashmëri kishin edhe ato rrugët që në atë kohë konsideroheshin si luksoze. Ata që kalonin sipër tyre ishin fukarenj e lypsarë. Të shumtë ishin edhe ata që hiqeshin sikur kishin ndonjë lek në xhep dhe merrnin bukën duke shënuar emrin në listë

    Protesta e lypsarëve

    Ditët kalonin, jeta e lypsarëve bëhej edhe më e vështirë. Njerëzit nuk u dhuronin asgjë. Dhe erdhi një ditë që ata u rebeluan. Ndoshta rrezikonin të shndërroheshin që të gjithë në të sëmurë mendorë. Për ta, fajin e kishte qeveria që nuk nxirrte në qarkullim para të vogla, që njerëzit të kishin mundësi të dhuronin ndonjë qindarkë. Në ato kohë në qarkullim ishte korona. Për shkak të vlerës së madhe që kishte, njerëzit nuk mund ta dhuronin veresie. Ndaj lypsarët u bënë të gjithë bashkë dhe shkuan në zyrat e qeverisë. Kërkuan daljen në qarkullim të parave të vogla, sepse qeveria nuk ishte e zonja t’u jepte punë. Ata nuk mund të pranonin vdekjen në heshtje për shkak të varfërisë së tyre. “Gazeta e Korçës”, e martë, 7 shtator 1926, e përshkruan kështu këtë moment: “Shumë lypës na u shfaqen në zyrë me këto fjalë: “Kemi kohë që kemi qesate. (Lypim pa fituar asgjë). Puna jonë e ka me para të holla, (të vogla). Të holla s’ka, se monedha më e vogël është çerek koronë. Punët nuk janë aq të mira sa (njerëzit) të mos e kursejnë çerekun dhe kështu na përcjellin me fjalët: “S’kemi të holla, Perëndia u dhëntë!” Ne kemi pritur gjer më sot të na japë Perëndia, por ajo na këshilloi të përpiqemi, që të dalim para më të vogla dhe aheraj, (njerëzia) do të na japë. Vërtet kanë të drejtë të varfëritë po ç’ tu bëjnë, (njerëzit), le ta shkëmbejnë ditën e pazarit të tyre, qe kanë të shtunën mbrëma dhe le ta bëjnë të diele në mëngjes dhe të venë në kishë se vetëm atje ka para të vogla”. Pra, edhe njerëzit e qeverisë kërkonin të gjenin një zgjidhje. Kur puna mungon, duket se lypja bëhet legjitime. Në të kundërt gjendja bëhet edhe më e vështirë edhe më e paparashikueshme, ashtu siç ndodhi me lypsarin në bulevardin “Shën Gjergji”

     Shtimi i lypsarëve

     Shtimi i numrit të lypsarëve tregon qartë se për ku po shkon vendi. Ata bëhen trishtimi i qytetit, jeta e errët e tij. Pas kësaj, nis të flitet për vjedhje të shumta. Lypsarët bëhen edhe më të vrazhdë. Ata nisin ta  kërkojnë edhe një qindarkë me shumë ngulm. Nuk mund të kthehen në shtëpi duar bosh. Për shumë njerëz, lypsarët bëhen të padurueshëm. I konsiderojnë si pjesa më e shëmtuar e qytetit. “Gazeta e Korçës”, e shtunë, 28 prill 1928 e përshkruan kështu këtë situatë:  “… Ngado që të shkosh, kudo që të vesh do të rrethohesh prej lypsarësh. Më çdo çap një tok fëmijë do të të ndjekin dhe nuk është mjaft që të ndotin zemrën me pamjen e tyre, “me ndertë qelbur”, po shumë herë të tërheqin edhe për rroba…”. Që nga ky çast nisin ta shohin njeri tjetrin me ftohtësi, me përbuzje. Ata që kanë dhe ata që nuk kanë, bëhen gjithnjë e më të largët për njëri tjetrin. Nisin të mos kuptohen më. Prania e lypsarëve shndërrohet në një plagë të madhe që kërkon shërim. “Zëri i Korçës”, e shtunë 3 maj 1930, e shpjegonte pak a shumë kështu situatën e atyre viteve: Ka mjaft kohë tani, që me të vërtetë një plagë sociale është në qytet, plagë kjo që jo vetëm është një shqetësim, një shëmtim, por edhe një rrezik për urdhrin publikShpjegohemi: kemi parasysh lypësinë, e cila ka marrë dimensione serioze dhe ushtrohet lirisht dhe pa pengim në gjithë rrugët e qyteteve nën vështrimin e policisë”. Pra nga sa më sipër kuptojmë se vjen një moment që as policia nuk mund ti ndalë dot më.

     Paratë e vogla

    Megjithatë në Korçë, në “Parisin e Vogël” të Shqipërisë, lypsarët vazhdonin të kërkonin me ngulm daljen në qarkullim të parave të vogla. Dalja e parave të vogla ishte e vetmja shpresë për mbijetesën e tyre. Për shkak të këmbënguljes së lypësve ose jo, më në fund edhe paratë e vogla u prodhuan. “Më në fund u plotësua  mungesa e monedhave të vogla nikel, e cila këtu e 6 muaj më parë, kishte shkaktuar një krizë të përgjithshme në tërë shtetin, Që pardje, të mërkurë, arriti në degën e këtushme të Bankës Kombëtare një shumë e madhe, mjaftë monedha të reja prej një leku dhe gjysmë leku, të cilat shkëmbeheshin me bankënotë pa asnjë skonto. Tani me arritjen e lekëve të reja shpresojmë t’u vihet një çmim i caktuar sendeve me çmim, gjë që s mund të bëhej më parë nga përdorimi i koronës, kursi i së cilës ndryshonte dita-ditën (Zëri i Korçës, e shtunë, 6 dhjetor 1930). Megjithatë, thuhet se ata që u ndjenë më të lumtur nga gjithë të tjerët ishin lypsarët. Tashmë për ta ishte rikthyer shpresa se mund të fitonin ndonjë gjë të vogël dhe jeta e tyre mund të vijonte. Nga e gjitha kjo histori kuptojmë se njerëzit kanë nevojë për pak shpresë dhe jo për rrugë luksoze, kulla pa asnjë kuptim e “punë të mëdha”, por për gjëra të vogla që japin jetë dhe që nuk i lënë njerëzit të çmenden.

    Nga Vepror Hasani