Varfëria dhe papunësia. Rrjetet e trafikut po boshatisin Elbasanin

    426
    Prej disa muajsh, në Elbasan funksionon një rrjet i organizuar që është pajisur me logjistikë të mjaftueshme, duke dërguar pothuajse çdo ditë drejt Gjermanisë, duke i sistemuar madje në kampe, deri në 10 të rinj, e duke u marrë atyre nga 300 euro. Ky fenomen ndodh ditën me diell, pasi sekserët kanë arritur të organizojnë, tu mbushin mendjen dhe të caktojnë edhe pikat e takimit me grupet e të rinjve, duke i sistemuar ata në minibusë komodë, e duke ndjekur itinerarin , Elbasan-Tiranë-Shkodër-Mal i Zi-Bosnje-Kroaci-Austri , e më pas duke përfunduar në kampet e grumbullimit në Gjermani. Një i afërm i një djali të nisur 2 javë më parë nga Elbasani thotë: “Ne fillimisht na ka lidhur me sekserin një komshi, ai erdhi dhe na caktoi datën, dhe vendin ku nisej minibusi, na mori edhe pasaportën e vëllait, kurse 300 eurot ja dhamë përsëri sekserit kur u bë telefonata nga Gjermani me vëllain”. Por si ky rast, në Elbasan dhe jo vetëm nga qyteti, por edhe nga fshatrat duke nisur nga Labinoti, Shushica, Gjinari, Shmili, zona e Beleshit, Cerriku, Funari, e deri Lugaxhiu i largët e Labinoti Mal, që marrin takime me sekserët e rrjetit të klandestinëve, organizojnë dhe caktojnë datën dhe orën e nisjes, dhe japin 300 euro për person. Ky rrjet trafikantësh, ka kohë që funksionon, dhe burime të sigurta edhe nga të afërmit e atyre që largohen thanë se “lidhjet t tyre janë edhe me policinë në rrethe dhe ato në kufij, sepse nuk u ndalon asnjeri mjetin e tyre derisa dalin nga kufiri ynë”. Ky është një skandal i madh, një rrjet trafikantësh që ka lidhje me Policinë e Shtetit, por edhe me rrjetin e trafikut jashtë kufijve tanë, duke tentuar boshatisjen e qyteteve tona nga rinia. Duke përfituar nga rritja e numrit të të papunëve, problemet ekonomike dhe sociale të qindra familjeve në Elbasan, ata kanë nisur madje hapur propagandën e tyre edhe në ambiente publike. Largimi dhe mashtrimi që ata po i bëjnë të rinjve se “Gjermania kërkon shqiptarë, fillimisht i grumbullojnë në kampe dhe pastaj i legalizojnë” duket se ka krijuar terrenin për të mashtruar qindra të rinj. Vetëm në 3 muajt e fundit mendohet se janë larguar nga Elbasani dhe zonat rreth tij mbi 1200 të rinj, fati i të cilëve nuk dihet se si do të shkojë, pasi ata aktualisht janë grumbulluar në kampe vërtetë, por nuk dihet koha e qëndrimit atje. Ndërkohë organet policore gjermane, dhe strukturat e tjera të shtetit gjerman, kanë deklaruar dhe janë shprehur qartazi se “nuk do të ketë azil politik dhe ekonomik për ata që vijnë në rrugë klandestine”, duke nënkuptuar kthimin e tyre. Por kjo siç duket se nuk ka trembur rrjetin e trafikut të klandestinëve, dhe nuk po i mbush mendjen atyre që po mashtrohen çdo ditë nga ata, dhe që halli dhe fukarallëku i detyron të largohen. Ajo që ndoshta nuk po bëhet dendur me rrugë detare, po bëhet dendur dhe fare hapur, nën hundën e policisë, duke mashtruar dhe nisur drejt “parajsës” qindra të rinj shqiptarë.
    Sigal