Vangjush Saro: “Trumcaku ftillon ferrën”, libri më i ri i shkrimtarit humorist”

    443
    Sigal

    Pas librit “Dhelpra shpërblen lepurin”, shkrimtari Vangjush Saro vjen sërish te lexuesit me një përmbledhje tjetër me fabula. “Trumcaku ftillon ferrën” titullohet libri i tij i ri, me rreth 30 fabula që iu drejtohen lexuesve të një spektri të gjerë. Autori e shikon këtë lloj si një mundësi ideale për të komunikuar me lexuesit në lidhje me deformimet që vërehen në jetën e përditshme. Fabulat e këtij libri flasin me lexuesin në një gjuhë jo thjeshtë vetëm alegorike, por hera-herës edhe përmes një lirizmi që përkon me disa nga karakteristikat e stilit të tij letrar. Ndër veçanësitë e librit “Trumca kuftillon ferrën”, është edhe përcjellja e fabulës përtej subjekteve e botës së kafshëve, tani edhe te sende e dukuri të ndryshme të jetës, që përmes vargjeve personalizohen duke hyrë në marrëdhënie varësie a sjelljeje me njëra-tjetrën. Libri është botuar dhe vënë në qarkullim nga “ERIK Botime”.

     Fabula

     Përplasja

    Anija e vogël, e pafaj,

    Mbi Molin e vjetër u përplas;

    Dhe kaq mjaftoi që paskëtaj,

    Të zbrazeshin shtambat plot maraz.

    Dhe ndërsa zhurmonin dallgët e sherrit,

    (të gjenin shkaqet, së paku një,)

    Mbrëmjes së ftohtë dhe të errët,

    Mjegulla qeshte nën zë…

    E mbytur…

    Lopatat po e binin rrotull varkën,

    (mes dallgëve që s’kishin sy për paqe)

    ia linin njëra-tjetrës radhën

    dhe grindeshin si budallaqe.

    E në një çast që fjalën s’po e gjenin,

    Njëra voziti gjithë maraz dhe shpejt,

    Kështu që varka e mjerë gjeti vendin

    Në detin e heshtur dhe indiferent.

    Dhe s’ishte për të qenë as moti.

    Dikur dikush pyeti: “Po I zoti?”

    I treti

    Ndërkohë që mbrëmja e ëmbël troket

    dhe Era e Bredhi po sqarojnë diçka,

    një Korb i vonuar trazohet ndër fletë

    dhe çirret si dreqi:

    Krra-krra! Krra-krra!

    Tani Erë e Bredh e humbasin fillin,

    A thua se nuk janë më ata;

    Dhe s’ka dialog dhe shuhet idili;

    Dëgjohet veç Korbi:

    Krra-krra! Krra-krra!…

    Djerrina dhe Traktori

    Djerrina diellit përvëlohej furrë;

    Dhe veç gjinkalla I këndonte me nge.

    Heshtja ndehej përmbi shkurre e gurë

    Dhe mërzia, si të ishte e ve.

    Kur Traktori zuri të plugonte,

    Ajo thirri:

    “Ej! Po më lëndon…”

    Por ai ia preu: “Mjaft u kote,

    se do flasim ndryshe kohë më vonë;

    kur të gjelbërojë mërzia jote.”