Vangjush Saro/ Shiu…

    402
    Sigal

    Tregim humoristik

     Duke u kthyer në shtëpi çalazi, ndërsa mbante me njërën dorë gruan dhe me tjetrën çadrën e shkalafitur, Turhan Farka, nëpunës i Ministrisë për Zhvillim, Punësim dhe Demokraci, po përpiqej të gjente shkakun e episodit që ia kishte “nxirrosur” gjithë mbasditen. Shiu, mendoi ai për së pari. Ia kishte behur krejt papritur si ndonjë leshko dhe e kishte bërë sakaq të dimërt këtë ditë vere. Po po. Shiu. Ai ishte fillimi dhe mbarimi i asaj llapashitjeje pa fund. Por mbase edhe puseta e shqyer. Ose ai që kishte dashur ta shqyente e ta shiste për skrap. Po fundja, ç’faj kishte edhe ai? Mbase gjithçka kishte ndodhur për shkak të varrimit të njeriut të afërm të drejtorit të ri. Turhani edhe mund të mos kishte shkuar atje; mirëpo, nëpër zyra ishte bërë mjaft bujë për atë varrim. E si të mos shkonte! A, po. Ndoshta gruan s’duhej ta kishte marrë me vete. Gruan e tij të bukur dhe delikate. Ajo ishte shkaku, sepse ajo kishte rënë te puseta… Epo, kishte menduar të bënin një figurë sa më të mirë, ndaj e kishte marrë me vete. Sepse ndërkaq, po flitej për shkurtime. Ja, këtu s’i kishte shkuar mendja. Ato, shkurtimet, ia shkatërruan atë mbasdite. Ai mendonte pareshtur për to. Në momentin e parë, kur gruas së tij i shkoi këmba te puseta, ai s’i dha shumë rëndësi asaj që po ndodhte. Mirëpo ndërkaq, i ra çadra dhe ai bërtiti si i ndërkryer: “Kape!” Çfarë duhej kapur? Te streha e shitores përballë, një djalë i ri pinte cigare më nge. Ai doli sakaq në rrugë dhe i hodhi duart gruas. Për ta ngritur. Por nuk e kuptoi kështu Turhani. -Jo gruan, o zotëri… Çadrën! -Sandalen!, – klithi ndërkaq e shoqja. Me të vërtetë, njërën nga sandalet e saj, po e merrte përpara vija e rrëmbyer e ujit. Edhe, nuk se qenë sende të Gabit. I kishin blerë kur vizituan të kunatin në Itali. Te “Zara”. Tani Zara po lundronte tatëpjetë. Turhan ziu vrapoi ta kapte atë sandale. Ajo rrezikonte të vidhej nga puseta më e afërt; gjithashtu kapakvjedhur. Ai vraponte duke menduar se për ç’motive duhet jetuar… Dhe sytë i mbante te puseta e parë, ku kishte ngecur e shoqja. Nuk kishte sy për mbarësi. Në përpjekje për t’u ngritur, ajo u lëkund prapë dhe tani i tregoi rrugës dy këmbë shumë të bukura.

    -Mbulohu, moj!, – bërtiste ai nga puseta tjetër – Se… ftohesh…

    Ai djali prapë u gjend atje për ta ndihmuar. Gruan. Por Turhani sokëlliu pothuaj: -Erdha! Ikë!… S’dukej fort i qartë. Ani. Mendonte se mund ta ndalte. Djali i qe dukur për një çast si drejtori i ri. T’ëmën! Fundja, pse duhej të angështohej kaq shumë për shkurtimet? Me 3 gjuhë të huaja, me trembëdhjetë programe kompjuteri, asnjëherë i angazhuar në punët e partisë që tani ishte në opozitë… Megjithatë, kudo flitej papushuar për këtë temë. Ajo ishte cekur madje edhe nga folësja më e bukur e Tiranës, në një debat televiziv, ku të ftuarit e kishin mendjen më shumë te gjoksi i saj, se sa te argumenti. Atje, njëri prej të këtyre birbove, me vështrime të lëngëzuara, thoshte herë pas here: “Ku e lamë?” Ku të të pëlcasin, t’i thoshe… Vrapo, Trahan, i dha zemër vetes ai. Turhan. Epo, ja, ai nuk e kuptonte edhe këtë. Pse duhej t’ia ngatërronte emrin ky drejtori i ri! Trajan i kishte thënë njëherë. Mirë kështu, se e ka pasur emrin një perandor romak. Por njëherë tjetër, ai i kishte thirrur Trahan. Vërshima e ujit mori përpara edhe një tufë mbeturinash dhe sandalja e gruas së tij pothuaj humbi në atë lojë. Atij i shkau këmba dhe e pa veten me fytyrë nga qielli që rigonte pareshtur. Dhe sekush thërriste nga trotuari: “U vrave, mo?”. Doemos që kishte shembur njërën ije. Por u ngrit më në fund. Dhe ishte bërë helaq. Veç me atë rast, e kishte kapur sandalen. Tani u kthye të merrte gruan, të cilën u përpoq ta fshihte brenda çadrës së shkalafitur. U nisën me një frymë. Nuk arriti t’i thoshte falemnderit atij djalit. Fundja, tjetri nuk kishte kapur as çadrën, as sandalen. Dhe ky shi që nuk pushonte… Ndonjë makinë e pakujdesshme ua dërgonte ujin çurg herë pas here. Deri te shtëpia, ishte për t’u bërë edhe një copë rrugë. Të kishim marrë një taksi, tha gruaja. Arritëm tani, zemër. Një mbasdite si kjo… Vetëm shkurtime mos ketë. Durim, Trahan, i tha vetes. Turhan. Mbrëmja po binte…