Valixhja me 500 milionë për ministrin e Rilindjes

427
Sigal

Akuzat dhe premtimet në fushatë u harruan. Fazlliçi nga armik u bë mik, koncesionet e së Djathtës, sot miq të qeveritarëve aktualë

 “Fakti është që vërejmë një prirje shqetësuese në shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore si dhe në Ballkan. Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarkie, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit, si dhe të drejtat e organizatave jo qeveritare”. Me këto fjalë do i drejtohej sekretari amerikan Kerri popujve të këtyre vendeve dhe qeverive të pranishme në Konferencën e Mynihut rreth një muaj më para. Shkak i kësaj analize ishte revolta popullore  dhe jeta luksoze në të cilat jetonte ish-kreu i shtetit Ukrainas Janukoviç. Nëpërmjet këtij fjalimi jepej alarmi se askush nuk do të mund të përfitonte dhe gëzonte paratë e pista duke përdhosur demokracinë e re në Ballkanin e trazuar. Koncesionet dhe tenderat marramendës të dhëna grupeve dhe individëve të lidhur me shtetin, ku ortakët kryesorë ishin familjet e pushtetarëve të djeshëm të qeverisë së djathte do të shkatërroheshin sipas  socialistëve sapo këta të fundit të vinin në pushtet. Madje, faktet tronditëse që deputetët Braçe, Balla dhe shumë të tjera nxirrnin në konferenca shtypi bënë që shqiptarët në mënyrë plebishitare të votonin për programin e rilindjes. Nuk do të lejojmë që të luhet me jetën dhe shëndetin e qytetarëve të cilëve, kjo qeveri thoshte dikur e Majta po i merr edhe Spitalin Ushtarak, i destinuar për traumat dhe trajtimin e Forcave të Armatosura, punonjësve të policisë, SHIK-ut dhe familjarëve të tyre. Por shpejt ky fakt u harrua pasi drejtuesi i spitalit të “ashtuquajtur amerikan” shoqëronte dhe përkthente këmbëkryq bisedat kofidenciale mes Kryeministrave Rama dhe Erdogan. U deklarua se do rikthejmë Shtëpinë e Ushtarakëve, që u mor në mënyrë antiligjore nga PD-ja, madje, u fol që do kthehej në Kryesinë e Kuvendit pasi deputetët janë bërë gazi i botës dhe po vijnë vërdallë për të parkuar një makinë. Dhe vend më të mirë për Kryesinë e Kuvendit me parkime, shërbime, madje, edhe dhoma hotelerie sesa SHQUPI nuk kishte. Por edhe kjo u harrua. Do heqim koncesionet e minierave, naftës me të famshmen Bankers Petrolium që po shkatërron shtëpitë e fshatarëve nga shpërthimet dhe përsëri asnjë veprim. Ka dhe shumë dhe shumë raste të tjera skandaloze që do jenë, sigurisht, objekt i diskutimeve dhe komenteve të mëvonshme, por qeveria e Rilindjes  justifikohet se janë kontrata që na penalizojnë etj., etj.. Po mirë more zotërinj kush ju tha të mashtronit qytetarët dhe votuesit apo karrigia dhe menderet tuaja janë më të shtrenjta se varfëria dhe barku bosh me të cilën shqiptarët po flenë gjumë çdo natë!? Pse nuk thoni që jemi të paaftë ta bëjmë dhe t’i kërkoni falje shqiptarëve, duke u larguar?  Por e vërteta është se Ju jeni kthyer në ortakë me ish-  grabitësit dhe koncesionarët e Djathtë.  Qytetarët e dinë shumë mirë se përse opozita e sotme hesht për naftën, cigaren, energjinë, minierat, spitalet private etj.. Heshtin sepse janë bashkuar të Majtë e të Djathtë sipas parimit “përtej së Majtës dhe së Djathtës” dhe si një trup (TURP) i vetëm po rrjepin në çdo cep pasurinë e shqiptarëve. Po e grabisin në ajër dhe shikoni skandalet e Trafikut Ajror, shikoni masakrën në porte, shikoni babëzinë në blerjen e energjisë dhe në koncesionet e harruara për hidrocentralet. Ushtarakët u dergjën nëpër gjykata sepse ISSH-ja dhe Drejtore Vjollca Braho i shihte si armiqtë e klasës. Dhe po kjo Drejtore, që deri dje dilte në konferenca shtypi me Boden e Financave, sot del me Erion Velinë e Socialistëve të G-99. Ja pra këto janë maskaradat dhe maskarallëqet e Rilindësve që shkelën besimin e qytetarëve të cilëve për tetë vite rresht ju tha me zë dhe figurë se një serb me emrin Fazlliç, i lidhur me qeverinë dhe familjen Berisha po grabit shqiptarët. Po ç’dodhi më tej. Një ditë të bukur Fazlliçi na u kthye në Tiranë dhe na mori një tender të fuqishëm të linjave energjetike të tensionit të lartë që lidhin Kosovën me Shqipërinë dhe më këtë rast Kosova lidhet me sistemin europian nëpërmjet vendit tonë. Por veç linjave aty ka fitime marramendëse sepse do kalojë linja e internetit dhe kjo është shumë herë më e leverdishme se vetë energjia. Dhe kjo për faktin sepse linja është gati për energjinë dhe vetëm një kabull apo edhe antenat në disa vende janë me kosto minimale dhe fitime marramendëse. Po kush e solli Fazlliçin, njeriun që PD-së e fuste nga dera, socialistët e rinj të Ministrisë së Energjetikës i hapën dyer dhe dritare. Arsyeja e vërtetë do dalë më vonë dhe do jetë shokuese për të gjithë ata që për shumë vite dëgjonin në Parlament, në konferencat e partisë dhe podiumet elektorale të kundërtën. Por le t’i kthehemi miqësisë Shqipëri-Kosovë, linjës së re energjetike, e cila ju shtua rrugës së kombit dhe kufijve të lirë. Por para pak muajsh qeveria shqiptare bëri një takim të përbashkët me atë kosovare në Prizren. U fol dhe çfarë s’u fol por gjë në dritë nuk na sollën. I gjithë ky shohë më shumë se sa prodhojë të mira për shtetasit e të dy anëve solli një shkëputje të vëmendjes nga kriza ekonomike, korrupsioni, papunësia dhe emërimet nepotike. Por ky takim pati edhe një risi. Një ministër është takuar në një nga hotelet e Prizrenit, madje në katin e dytë të një hoteli, ku i janë dhënë jo pak, por plotë 500 milionë lekë si kapar (fillim) për nënshkrimin e një kontrate të fuqishme, e cila kishte vite që mbahej pezull. Pas kësaj, kontrata u firmos dhe pjesa tjetër ishte edhe tre herë më e madhe. Ministri i babëzitur që qeverisë popullin më të varfër në Ballkan sigurisht që, nuk i ka marrë pa dijeninë e të tjerëve. E rëndësishme është që babëzia e të djathtëve që u shfaq në vitin e gjashtë të qeverisjes së tyre tek e socialistët ka filluar që ditën, kur ministrat ulën të ndenjurat në kolltukun e ngrohtë dhe të menderosur të paraardhësve të tyre. Ka, edhe të tjera raste ku një drejtues i lartë nga Tirana i kërkon “kafe” vartësit të tij, ndërkohë që, shqiptarët nuk kanë lekë të paguajnë faturat e kripura të energjisë elektrike. Dhe kjo kafe, sipas “shefit”, ishte rreth 20 mijë euro. E pra, si ky akt i kryer nga njerëz shumë afër kupolës së Rilindjes  ka me qindra dhe ne do i pasqyrojmë vazhdimisht për t’u thënë shqiptarëve se, deklaratat e Departamentit Amerikan të Shtetit, Sekretarit të saj Kerry, Institutit Demokratik  Amerikan, Drejtorit të Departamentit MOORE, Freedom House, Komisionerit për të Drejtat e Njeriut në KE si, raport progresit të KE-së bashkë me 5 kushtet etj., kanë qenë dhe do të jenë udhërrëfyes të demokracisë së vërtetë.