Valentin Macaj: Ligji i ri, pushtet të pakufishëm Policisë mbi të dhënat personale të individëve

    412
    Sigal

    Flet Valentin Macaj, kreu i Sindikatës së Policisë së Burgjeve: Krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, përplasje me kompetencat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda

     Krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, sipas projektligjit të ri “Për Policinë” do sjellë një “përplasje ligjore” me kompetencat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kështu është shprehur në një intervistë për “Telegraf”, z. Valentin Macaj, kreu i Sindikatës së Policisë së Burgjeve. “Ne si sindikatë kemi orientuar disa herë politikën e vendit në krijimin e Agjencisë Antimafia të Shqipërisë, pasi vetëm kështu i nxjerrim në dritë të diellit ata që japin drejtësi”, shprehet z. Macaj. Sipas tij ky projektligj krijon një supremaci policore, ku ligjin e bën Policia e Shtetit dhe të tjerët vijnë nga pas, gjë e cila mund të krijojë dhe dualitet policor, sipas Macaj. Gjithashtu ai shprehet se “pushteti i pakufishëm mbi të dhënat personale që policia do të ketë mbi individët dhe institucionet shtetërore, bie ndesh me Kartën e të Drejtave Themelore dhe passjell reagime të qytetarëve në Gjykatën e Strasburgut”. Më pas z. Macaj shpjegon sistemin e ri të gradave, si dhe përfitimet mujore financiare, sipas këtij projektligji.

     A keni ndonjë vërejtje për projektligjin e ri të Policisë?

    Normal, si çdo ndërhyrje ligjore me pasojë juridiko-ekonomike, edhe ne si përfaqësues të një pjese të madhe të punonjësve të policisë, kemi vërejtjet tona thelbësore. Përgjithësisht, jemi mësuar me “përkëdheljen” politike që i bëhet rast pas rasti Policisë së Shtetit, duke lënë mënjanë shërbimet e tjera policore që operojnë në vend. Përmend këtu, Policinë e Burgjeve, e cila vazhdon të vuajë pasojat e keqadministrimit 8-vjeçar në fushën logjistiko-financiare si dhe në mos përfitimin e shumë bonuseve që kolegët e tyre i kanë të garantuara me aktet ligjore përkatëse. Kam lexuar edhe reagimin e kolegut të sindikatës “mono” të Policisë së Shtetit dhe mendoj se disa nga vërejtjet e paraqitura qëndrojnë, por një sindikatë duhet më shumë të përqafojë reformën e thellë në këtë shërbim, sesa gjendjen rutine dhe pasjen e një target-grupi joprofesional në polici.

    Vërejtjen thelbësore në këtë projektligj e përcjell, lidhur me mos ndryshimin e Nenit 82, ku ngelet e sanksionuar monoteizmi sindikal, gjë e cila bie ndesh me rekomandimet e BE-së si dhe me Kushtetutën, kryesisht Neni 50 i saj. Nuk mundet të përfaqësojë një sindikatë interesat e mijëra punonjësve të policisë së shtetit, kur një pjesë e mirë e saj duan dhe janë anëtarë të sindikatës sonë dhe që kërkojnë pasjen e një kontrate gjithëpërfshirëse kolektive. Sindikata jone ka një ndër themeluesit e saj në radhët e Policisë së Shtetit dhe nuk gjejmë hapësirë që të ushtrojmë aktivitetin normal si në një shtet kandidat për në BE. Kjo është vërejtje primare e sindikatës sonë dhe mendojmë që Ministri i Brendshëm me stafin e tij të sjellë hapjen demokratike të policisë në dialog social të vlefshëm dhe të mos qëndrojë në monolog social me paracaktim sindikate. Këtë vërejtje e kam shprehur vjet në Parlamentin Europian dhe do vazhdoj ta denoncoj në takimin e radhës së muajit Shtator.

    Një sugjerim tjetër ka të bëjë me krijimin e një supremacie policore, ku “ligjin” e bëjnë vetëm policët e shtetit, ndërsa të tjerët vijnë në radhë. Kjo nuk mund të shkojë, pasi do ketë konflikte dhe dualitet të panevojshëm. Përvoja e hidhur e dualiteteve policore ka dalë në pah në Italinë fqinje dhe në Francë, ndërsa Gjermania e pjesa tjetër europiane e ka zgjidhur me kohë këtë çështje. Desha të shtoj edhe pushtetin e pakufishëm mbi të dhënat personale që policia do të ketë mbi individët dhe institucionet shtetërore, i cili bie ndesh me Kartën e të Drejtave Themelore dhe passjell reagime të qytetarëve në Gjykatën e Strasburgut. Ne mendojmë se duhet diskutuar edhe një herë kjo çështje sensibël.

    Duhet me të vërtetë “Një Shtet, një Polici!” për të gjithë shërbimet ligjzbatuese në vend.

     Si e shihni krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit?

    Krijimi i BKH-së, kam frikë se do sjellë një “përplasje ligjore” me kompetencat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, si dhe do sjellë një rreth vicioz në sensin e presionit politik-policor ndaj 90% të shtetasve të mirë me ligjin. Ndoshta do ketë efekt negativ në shoqëri, pasi jemi mësuar me agjencitë e panumërta ligjzbatuese, të cilat në jo pak raste kanë shkelur të drejtat e njeriut. Nuk jemi gati për të patur një organizatë të tillë ligjore, pasi edhe burimet njerëzore nga ku do rekrutohet stafi, janë të kontestueshme. Ku do gjejmë një Prokuror të “pastër” që jeton vetëm me pagën e tij dhe që do drejtojë BKH!? Ose më mirë, le të më gjejnë personel që është “me duar të pastra” në këtë agjenci ligjzbatuese. Përvoja 24 vjeçare është e hidhur në këtë drejtim.

    Është rasti për të denoncuar korrupsionin e shfrenuar në sistemin e drejtësisë, a thua se gjykatësit e prokurorët janë në garë me njëri-tjetrin se kush pasurohet më shumë! Ne si sindikatë kemi orientuar disa herë politikën e vendit në krijimin e Agjencisë Antimafia të Shqipërisë, pasi vetëm kështu i nxjerrim në dritë të diellit ata që japin drejtësi, ata që na kanë qeverisur në pushtet qendror e lokal, si dhe ata që kanë marrë përsipër të na drejtojnë vitet në vijim. Në këtë pikë kemi arritur, ani pse duam ta largojmë termin “mafia”, por ajo ekziston . Ndaj i shërben më shumë qytetarëve një Antimafia e pavarur me njerëzit më të ndershëm në përbërje të saj, sesa një BKH e cila rekruton staf nga radhët e drejtësisë së kalbur. Dhe, nëse në krye të Antimafias do të vihej një njeri të ndershëm, nuk do të kishte kapacitete burgjesh që të përballojnë fluksin e të dënuarve për evazion fiskal, korrupsion pasiv e aktiv, pushtetarë lokale e qendrore, policë e shefa të kamur nga mafia e gjobat, gjykatës e prokurorë që shesin me çmim pakice drejtësinë, deri edhe pedagogë mediokër që kanë mbushur rrugët me të diplomuar sipas vlerës së paguar. Nga hulumtimet e sindikatës tonë, kanë nxjerrë në pah pasuritë me miliona euro që zotërojnë policë e komunarë, doganierë e zyrtarë, deputetë e ministra. Janë pastruar para të krimit e korrupsionit, ndaj vetëm Antimafia sjell zbatim korrekt të ligjit, mënyrat e tjera janë nën presionin e politikës së shkuar dhe segmenteve aktive të saj. Qeveria ka vullnet të hekurt në luftën ndaj krimit e korrupsionit, por duhen instrumente efikase për të arritur qëllimin europian. Ndaj ne, i qëndrojmë ngritjes së Antimafias, për të qenë më efikas në zbatimin e ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe integrimit në BE.

    A është e drejtë, ajo çka përcaktohet në këtë projektligj se në mbarim të mandatit, Drejtori i Policisë së Shtetit nuk rikthehet më në polici ?

    Kjo është e drejtë, pasi atë çfarë kishte për të dhënë si drejtues madhor, e jep në mandatin e tij dhe nuk është normale që nga “drejtues” të kthehet në “vartës” pasi vë në siklet pasardhësin e tij. Por, do të isha për një mandat më të gjatë, të pakt

    ën 10 vite duke patur në çdo moment një elitë kontrolluese në punën e tij.

    Shumë mirë një ish-drejtues mund të japë kontribut në fushën e mësim dhënjes dhe të kulifikimit të stafit të ri policor. Projektligji i ri ribashkon gradën me funksionin dhe më pas funksionin me trajtimin financiar. A është më mirë kështu?

    Krejt normal, pasi krijohet një drejtësi për atë që ushtron detyrën sipas funksionit organic dhe nuk sjell efekte të turbullta financiare.

     Rishikimi i gradave në këtë projektligj, a parashikon shkurtime në polici?

    Duhen rishikuar dhe madje duhet një reformë e thellë në Policinë e Shtetit. Kemi punonjës që kanë kaluar 30 vite në karrierë dhe kanë mbetur të ndryshkur në gradën Kryeinspektor ,duke bllokuar stimulimin e elementit të ri policor. Duhet të ketë motivim për kualifikim “ a vita”, të përhershëm, pasi kështu një polic i thjeshtë shumë mirë mund të arrijë në gradë madhore. Nuk shtyhet më me policë partiakë, politikë e të mangët nga arsimi i gjithfarshëm. Sot polici europian shqiptar duhet të dijë përmendësh Kodin Penal, Kodin Civil, Kodin e Etikës Policore, Kartën Sociale, Kodin e Procedurave Administrative dhe gjithë fushën ligjore që normojnë punën e tij me të tretët. Jemi mësuar në të përditshmen me policë që njëkohësisht janë: “prokurorë”;“gjykatës” e “përmbarues”, duke i vërdallosur e vendosur në konflikte të ashpra qytetarët. Ka ikur koha e “Gateve” në polici, ndaj edhe ata që mendojnë se i qëndrojnë furtunave të reformave, kësaj radhe duhet të mbajnë krahun. Ka policë që nuk dinë të hedhin mirë firmën e tyre, jo më të shërbejnë në komunitet.

     Si e shikoni sistemin e ri të gradave, që përcaktohen në projektligj?

    Gradat e parashikuara në ligj, zbusin hendekun që ka ekzistuar më parë, pasi të gjithë punonjësit e rolit zbatues kanë të njëjtin vlerësim, pasi në të vërtetë janë në rol zbatues dhe nuk mund të ketë hierarki politike në të njëjtin nivel. Kjo nxit edhe shkollimin e kualifikimin e mëtejshëm, për të pasur mundësinë e ngritjes në gradë dhe nxit konkurrencën. Është demokratike dhe e njëjtë me përvojën europiane.

     Po përsa i përket trajtimit financiar mujor, a ka ndonjë të re apo rritje?

    Normalisht që “e përkëdhelura” në mes policive të tjera do ketë edhe rritje pagash, për arsye të ndryshimit të gradave dhe futjen e vjetërsisë së shërbimit në eficencë. Do ketë një ndrydhje page për një grup të vogël, por pjesa e madhe do ketë përmirësim. Deshëm të theksojmë se Policia e Shtetit i gëzohet edhe një rritjeje në pagë në fillim të vitit, si dhe kushteve më të mira logjistike në uniformë e mjete. Ndryshe nga kolegët e tyre në Policinë e Burgjeve, të cilët vazhdojnë prej 8 vitesh të blejnë uniformat me pagën e tyre. Dhe kjo nuk është normale, ndaj gjej rastin t’i bëj thirrje Qeverisë që sa më parë të kompensojë me një pagë mujore të gjithë stafin policor në burgje, pasi kështu i ulim shpenzimet për veshje, transport e ushqim, të cilat nuk po i përfitojnë si kolegët e tyre.

    Duhet të ndërhyjë Qeveria në buxhet, pasi DP Burgjeve është në të vërtetë në vështirësi financiare. Ministria e Financave duhet të aprovojë shtesën në buxhet për zërin e uniformave, transportit e trajtimit ushqimor. Ka vullnet të mirë nga drejtuesit aktualë për të përmirësuar situatën, por duhet financim për të arritur qëllimet e vëna.