Valbona Ylli/ Nazifja dhe Hidija, dy nga përdorueset e pyllit që kanë thyer tabutë

    424
    Sigal

    Vullneti, një rrugë pa kthim 

    Rrugëtimi nga Kukësi deri në fshatin Petkaj kaloi në shoqërinë e këndshme të Anilës dhe Mirandës, vajza të zonës dhe bisedat e këndshme na e kanë bërë kaq të shkurtër këtë rrugë. Diku, diku kemi rënë dakord se trajtimi i çështjeve gjinore është e nevojshme të fillojë me edukimin e fëmijëve në shkollë; se mjedisi dhe pyjet mund të jenë pjesë e kurrikulave shkollore; se ka një mentalitet që shpesh i ndrydh gratë në zonat rurale të shpalosin aftësitë e tyre sipërmarrëse; se secila prej nesh do të donte të kishte disa kilogram më pak mbi kurriz; se klima në këto zona është më e shëndetshme e ajri më i pastër; se Tirana është e zhurmshme, e bukur, e lodhshme, me jetë të gjallëruar, nuk ka mundësi parkimi; se të paktën në zonën që kemi përshkruar, pyjet janë ruajtur shumë mirë; se… se…, e kështu kemi arritur në qendër të Komunës Malzi.

     Petkaj është zona pilot e projektit, ku jo vetëm ka ndodhur procesi i transferimit të pyjeve, por dhe regjistrimi i tyre në pronësi të komunës. Gjithsesi vëmendja jonë sot është tek Nazifja dhe Hidija, dy nga përdorueset e pyllit që kanë thyer tabutë dhe kanë shprehur vullnetin e tyre për të nënshkruar kontratën e përdorueseve me komunën. E ky rast është për t’u shënuar, pasi ato janë dy përdorueset e para gra që nënshkruajnë kontrata të tilla për herë të parë në Shqipëri. Është e dukshme se stafi i CNVP Kukës, Komuna, shoqata dhe zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në rreth janë mirëkuptuar dhe kanë çuar gjërat përpara. E ndaj, kur ka një dëshirë të mirë dhe mirëkuptim gjërat mund të jenë të realizueshme.

    Pasi jemi njohur me procedurat zyrtare të regjistrimit, kemi ndjerë në letër zonën ku do të lëvizim më tej – 1786b. Tashmë grupit tonë i është bashkuar edhe Hijdije Sejdija e Nazife Hasani që, tek lëvizim më tej drejt pyjeve me gështenja në përdorim të tyre, na tregojnë se gjendja e grave në këto zona rurale është më e pafavorshme, si rezultat i kufizimeve që ato kanë lidhur me pronësinë, mundtë për njohuri, zhvillim biznesi, tregtim, marketim, përdorimin e tokës për qëllime të zhvillimit të mëtejshëm të kapitalit, kufizime në momentet e vendim marrjes, etj. Vetëm falë projektit CNVP u bë e mundur që ato të ndërgjegjësohen mbi të drejtat e tyre të pronësisë e të përdorimit. Marrëdhëniet e gruas me tokën janë të lidhura me pronësisë mbi tokën apo zotërimin e titullit të pronësisë, kjo pasi është e lidhur drejt për së drejti me pozitën e gruas në familjen rurale dhe në komunitet, me përdorimin e burimeve natyrore, fuqizimin e tyre ekonomik si dhe pozicionin e tyre në vendim marrje në të gjitha nivelet.

    Pronësia në legjislacion

    E shohim problematikën më gjerësisht, çfarë prek jo vetëm gratë në Petkaj, por kudo ku ato ndodhen në zonat rurale. Pavarësisht ndonjë progresi, përgjithësisht vihet re një hendek midis të drejtave mbi tokën të ofruara me ligj dhe realitetit, sikurse dhe paqartësi brenda vetë ligjit dhe akteve nënligjore. Mjafton të përmendim këtu se legjislacioni Shqiptar njeh si të drejtat e pronësinë mbi tokën mbi baza familjare ashtu edhe atë mbi baza individuale. Kodi Civil p.sh. i kaluar nga Parlamenti Shqiptar në vitin 1994 dhe Ligji mbi Pronësinë Private Nr. 7512 i vitit 1991 njeh pronësinë private dhe individuale si dhe të drejtën e të gjithë qytetarëve për të zotëruar dhe trashëguar pronën. Pronësia familjare mbi tokën është përcaktuar mbi bazën e Ligjit të Tokës dhe Kodi Civil e klasifikon tokën bujqësore si një tokë në pronësi të familjes (Neni 222) dhe jo si pronë që mund të nëndahet më tej ndërmjet anëtarëve të familjes, me përjashtim të kushteve specifike (Nenet 226–228). Pra, ndërkohë që disa nga ligjet garantojnë të drejta individuale pronësie të barabarta si për burrat ashtu dhe për gratë, bashkëshortin dhe bashkëshorten, djalin dhe vajzën, disa nga dispozitat e të njëjtave ligje kanë përcaktuar familjen dhe jo individin si zotërues të tokës bujqësore.  Kështu, edhe pse ligji lejon një ndarje të barabartë të pronësisë midis burrit dhe gruas, në shumicën e rasteve toka trashëgohet vetëm përmes linjës mashkullore të gjakut në familje dhe titujt e pronësisë po ashtu figurojnë në emër të tyre (meshkujve), me përjashtim të rasteve kur të vetmit trashëgimtar të familjes janë femra. Ndër më të rrezikuarat në këtë situatë janë veçanërisht gratë e veja apo ato të divorcuara.

    Por, krahas efektit që ka tradita në këtë përqasje lidhur me pronësinë mbi tokën, ka edhe faktorë të tjerë ndikues të tillë si mungesa e njohurive mbi legjislacionin nga vetë gratë dhe tendenca e brendshme e tyre për të ndjekur zakonin, duke u bërë kështu në një farë mënyre pre e dominancës ekonomike të meshkujve. E duke mos pasur tituj pronësie, për pasojë gratë nuk kanë mundësi të marrin kredi, kanë pasiguri në investime, si dhe humbasin shanset e mbështetjes nga skema të mbështetjes financiare, siç janë skemat e subvencionit.

    Rasti

    Por, pikërisht rasti i sotëm në Petkaj shënon përpjekjet për ndryshimin e situatës me njohjen e së drejtës së bashkëpërdorimit apo regjistrimit të gruas si përdoruese. Certifikatat e përdorimit në Petkaj i janë dhënë të dyve, burrit dhe gruas si bashkëpërdorues. Ndërkohë, kemi arritur në parcelën me gështenja dhe tashmë rrugën na e drejtojnë dy zonja. Se çka në hapin e tyre një siguri tek shkelin përmes shtigjeve në thellësi të pyllit! Siguri që i lexohet edhe në sy, edhe në mënyrën se si bisedën e shoqërojnë me lëvizje energjike të duarve. Kjo copëz pylli i ka bërë ato krenare dhe të vetëdijshme se punojnë për vete, familjen dhe komunitetin. Kjo copëz pylli ndoshta u ka shtuar dhimbjen në duar nga fryti gjembaç i gështenjës, por përballimin e shoqërojnë me buzëqeshje. Eh, ka ende për të bërë, ato ëndërrojnë një dalje me volum më të madh në treg, e pse jo dhe të grupuar, ëndërrojnë ngritjen e emrit të zonës përmes produktit, pse jo të mos kenë dhe disa vegla pune të përshtatshme, e pse jo dhe doreza për të mbrojtur duart prej nëne, pse jo të mos e përdorin gështenjën për gatime tradicionale, e pse jo të mos mësojnë nga fqinjët për përdorime të tjera të saj. Tek ecim nëpër pyllin me gështenja, dallon se dhe vetë fryti i tyre me atë ngjyrën e kaftë të papërsëritshme sot se çka një buzëqeshje tek shpërthen nga lëvorja e çarë, ka diçka në ajrin e këtij pylli po ashtu, që të bën të mendosh se vullneti i njerëzve është një rrugë pa kthim.

     *Kryetare e Sh. Kombëtare të Blegtoreve Shqiptare (LEAA)