Valbona e mrekullive të alpeve tona

    614
    Sigal

    Ditë pranvere mesprilli. Pranvera ka trokitur herët edhe këtu në lartësitë mbi 1000 metër, mes Alpeve të Shqipërisë Veriore. Ndonëse është folur e shkruar shumë e shumë për Valbonën si fshat e Valbonën si lumë, fjalët nuk mbarojnë e si valët e saj të bardha vërshejnë në kompjuter kush e kush të skicojë më bukur, se edhe vetë emri Valbonë, mendohet se është huazuar nga togfjalëshi  “valë e bukur”. E në një mëngjes me diell morëm rrugën grykës së Dragobisë, kah Valbona, e cila kohët e fundit ka hyrë në guidat turistike, si një oaz lakmues për turistët mes bjeshkëve në Alpet e Veriut. Këtej shtrihet edhe Eposi i Kreshnikëve. Në hyrje të fshatit Klisyrë, mbeti njëri prej 7 Omerëve të Mujit, e Ajkuna mallkoi  bjeshkët për varrin e pagjetur.

    Lugina e Valbonës, përgjatë së cilës gjarpëron paralel lumi me të njëjtin emër, me pamjen e një kanioni, ku zgjerimin e parë e bën në Klisyrë e ku degëzohet rruga këmbësore që lidh fshatin e Bradozhnicës. Në të majtë shtrihet Shpaniku, shpellë karstike, që në periudhë shirash, ose të shkrirjes së dëborës në pranverë ka prurje ujore sa të lumit Valbona.

    Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë ( fshati që ka marrë emrin e lumit Valbona), udhëtimi kalon nëpërmjet luginës së ngushtë, në të dy anët e së cilës ka shpate malesh shkëmbore, pyje ahu e bredhi, duke u shpalosur pamje të mahnitshme që zëvendësojnë njëra-tjetrën përgjatë rrugës automobilistike që gjarpëron luginës.

    E në njërën prej Shtatë Grykave shtrihet Dragobia, mes maleve, në rrjedhën e sipërme të lumit Valbona. Fshati Dragobi shfaqet me mbi 20 kulla karakteristike prej guri deri 200 vjeçare, me ujëvarën që rrjedh pingul nga shpati i malit. Një peizazh nga më të rrallët e Shqipërisë Veriore, ku malet janë thikë drejt qiellit, thua bien mbi kokat tona. E këto janë vargmalet e Bjeshkëve të Nemuna.

    Udhëtimi i fundmë është Valbona, Fusha e Gjesë. Fshati mahnitës turistik shtrihet 25 km larg nga Bajram Curri, i ndodhur  900 m mbi nivelin e detit, ku banorët tashmë janë kthyer dhe sidomos gjatë verës numri i tyre dyfishohet e trefishohet, pasi ata  kthehen në kullat e tyre, ku ndiejnë gurgullimat e zhurmshme të lumit, thithin ajrin e pastër të vendlindjes, sodisin gjelbërimin, majat e maleve të thepisura që rrethojnë luginën në formën e një hauzi të madh. Lugina e Valbonës shtrihet në lindje të masivit malor të bjeshkëve të Tropojës, duke nisur nga qafa e Valbonës në perëndim e përfundon në luginën e Drinit, në jugperëndim. Karakteristikë e lumit Valbona është se fill pas burimit fluturon në një ujëvarë mbi 50 metër lartësi, humbet në zallishten e Rrogamit 5 km dhe riburon në fshatin Valbonë. Herë e qetë e herë e zhurmshme zbret përgjatë luginës, për t’u shtruar përfundimisht pas kanionit të Shtrenjtit. Gjatësia e saj është 51 km deri në lumin Drin, e kjo është zona turistike më e vizituar në Tropojë e në krejt Alpet shqiptare pas luginës së Thethit.

    Në Kika, në të djathtë ndahet rruga automobilistike e Çeremit, fshat që shtrihet 1800 m lartësi e në të majtë, në mes pyllit me ah e pisha, ndodhet shpella e Dragobisë, ku njihet në histori si shpella e Bacë Bajramit. E prej këtu fillon fshati Valbonë.

    Valbona ka 40 shtëpi tip alpin dhe shtrihet nga Kikat deri afër Fushës së Gjësë. Ajo ciklohet nga maja që bien pingul mbi luginë e në qendër të fshatit lugina merr hark në drejtim të jugperëndimit. Kjo paraqet pamjen e një zallishteje të pyllëzuar. Djathtas shtrihen 30 shtëpitë e fshatit Rrogam, nga Fusha e Gjësë deri te ujëvara e Valbonës me ambiente për pushim e argëtim dhe pamje mahnitëse.

    Banorët tashmë e kanë kuptuar se turizmi malor me krijimin e mundësive në infrastrukturë, është një mrekulli që u ka dhuruar natyra e që duhet shfrytëzuar për të siguruar të ardhura thotë për “Telegraf” Lulash Zefi, banor i Rrogamit të Shalës. Çdo vit  numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka pësuar rritje. Shtëpitë e banorëve  janë të hapura për “mysafirët”, siç dëshirojnë t’i quajnë turistë dhe vizitorët, banorët vendas. Tashmë  kullat janë restauruar dhe akomodohen  vizitorët e shumtë që shkelin Valbonën edhe në këto ditë prilli.

    Në shpatet e thepisura të maleve të Kollatës, majës së Bardhë bora qëndron përjetësisht si një qeleshe e bardhë mbi kokën e malësorit, ndërsa ujëvara e Rrogamit pranë fshatit Valbonë, ku buron lumi me të njëjtin emër, ku prindërit nxitojnë t’i pagëzojnë vajzat e bukura kur lindin, është një sfidë për çdo alpinist profesionist.

    Valbona është një mrekulli. Banorët e saj janë vëllezërit e Omerit që tash njëmijë vjet motra e tyre kërkon varrin e pagjetur bjeshkëve të Zhaborres e Grykave të Hapuna. Kjo është Valbona me banorët e saj zemërmirë dhe bujarë, si vetë bjeshkët kreshtëbardha.

    Për të shkuar në “Fushën e Gjësë”, në Valbonë, duhet të udhëtosh deri në 6 orë nga kryeqyteti, në çfarëdo drejtimi që të nisesh. Nga Bajram Curri për në “Fushën e Gjësë” janë 25 kilometra përgjatë luginës së lumit Valbonë. Në aksin Tiranë-Bajram Curri, turistët kanë mundësinë të shijojë një udhëtim me traget nëpër liqenin e Komanit, por fatkeqësisht ky udhëtim është ndërprerë prej kohësh, por mendohet se së shpejti do të rifillojë. Pamjet fantastike të shpateve malore që bien thikë mbi ujin kristal të liqenit të Komanit, janë të paharrueshme. Në ditët e dimrit, bardhësia e dëborës mbi majat përgjatë liqenit, një peizazh i rrallë dekori natyror.

    Fshatrat në të dy anët e liqenit dhe kullat e vetmuara prej guri, banorët e të cilave lidhen me njëri-tjetrin vetëm nëpërmjet varkave të vogla, janë një tjetër dekor interesant i udhëtimit. Përrenjtë që gjarpërojnë dhe luginat e vogla që lidhin liqenin me pellgun e Drinit, krijojnë fjorde të vegjël që futen në brendësi të masiveve malore. Gjatë udhëtimit me traget shikon dhe dy digat gjigante të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Udhëtimi me traget zgjat dy orë.

    Mes pamjeve befasuese arrin në Dushaj, vendi ku Valbona përzien ujërat e saj me ato të Drinit. Gjatë Luftës së Parë Botërore, një ushtarak i lartë austriak ka shkruar në kujtimet e tij se, “nëse Zoti do të kishte shtëpi në tokë, patjetër do ta kishte ndërtuar aty ku bashkohet Drini me Valbonën, pra në Dushaj”.

    Për në Tropojë, tashmë udhëtohet edhe nga qafa e Malit, natyrisht kur nuk ka dëborë, duke soditur natyrën e bukur të bjeshkëve të Pukës. Udhëtimi tjetër kryhet nëpërmjet autostradës,”Rrugës së Kombit”, nëpër Kosovë, duke udhëtuar nëpër tunelin e Kalimashit, nga ku soditet peizazhi i bukur alpin nëpër bjeshkët e Mirditës dhe kullat karakteristike të atyre anëve. Nga Bajram Curri në drejtim të Valbonës shkohet me furgonë të linjës. Këto zona kanë një gjuhë karakteristike mes gegnishtes së vjetër dhe shqipes standarde.

    Asfaltimi i rrugës i mbetur përgjysmë prej kohësh, ka rifilluar e së shpejti do përfundojë.

    Turizmi

    Veçojmë se bujaria nuk e braktisi kurrë Tropojën. Në Valbonë ka dy-tre vjet që banorët e atyshëm kanë ndërtuar hanet e tyre, ku strehojnë gjatë stinës së verës turistët e shumtë të huaj që vërshojnë atje, por edhe vendas nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe nga Kosova. Arben Selimaj, njëri nga pronarët e suksesshëm në Valbonë, thotë për “Telegraf” se  vitet e fundit kanë vërshuar vizitorët edhe në stinën e dimrit. Kurse nusja amerikane e martuar në Valbonë, Catherine Bohne, shprehet se këtu, mes këtyre bjeshkëve mahnitëse, turistët mahniten jo vetëm me peizazhin alpin, por edhe me kafshët e egra që rriten në këtë zonë, ku pothuajse janë bërë të buta, si ketri, lepuri, ariu, etj. “Unë, -thotë ajo, – disa prej tyre do mundohem që t’i zbus”.

    Fshati turistik  në Fushë të Gjësë ka thithur turistë të shumtë, ndonëse akoma shërbimi, akomodimi dhe hoteleria janë në hapat e para për këta biznesmenë të turizmit malor.

    Tashmë në Valbonë janë ndërtuar disa komplekse turistike, ku  gatuhet ushqimi tradicional i zonës, si mishi i kecit, i qengjit (ferlig), pastërma, fli (lloj byreku), pite me maze, maza, leqeniku, kaçamaku, qulli me tambël, petullat, trofta e freskët, kafe turke, raki rrushi, etj. Çmimet janë të pranueshme për çdo vizitor. Mishi i bagëtive të kësaj zone është ndër më të mirët në Tropojë. Aty serviret edhe mish i freskët i peshkut. Parkimi është i siguruar dhe janë ndërtuar  fusha volejbolli dhe kënde lojërash për fëmijë.

    Në Valbonë ka mbi 20 hane që u shërbejnë turistëve në çdo stinë të vitit. Dy vitet e fundit, thotë njëri nga pronarët e haneve, Lazri, ne po akomodojmë në çdo stinë vizitorë të shumtë nga brenda e jashtë vendit. Gjatë ditës organizohen piknik bjeshkëve, duke soditur majat e mbuluara me borë dhe duke shijuar ushqimet karakteristike të zonës në periudha të ndryshme të vitit, si pastërma, gështenja të ziera ose të pjekura (porogaça), e deri te turshitë karakteristike, domate, tranguj, speca, lakra e salcë kosi, duke mos harruar pijen tradicionale, rakinë e rrushit dhe të kumbullës (shlivën).

    Këtu  mund të shijojmë kënaqësinë që jep zierja e rakisë, një mënyrë tradicionale me kazanin prej bakri në vendin e caktuar me dru lisi, qarri ose frashri.

    Kjo është Valbona e mrekullive natyre të Alpeve shqiptare.

    Komuna Margegaj

    E kur flasim për Valbonën, patjetër duhet folur edhe për komunën Margegaj dhe kryetarin e saj, Rexhë Byberi, i cili na informon imtësisht për këtë perlë të Alpeve dhe për kompleksin turistik të komunës, tashmë funksional.

    Komuna Margegaj  ndodhet në veriperëndim të rrethit të Tropojës në qarkun e Kukësit. Kjo komunë është e njohur për Luginën e Valbonës, për pasuritë e bukuritë e veçanta natyrore, florën e faunën mjaft të pasur e të larmishme.

    Me objektet e saj natyrore si shpella e Shoshanit, Kanioni i Shtrenjtit në lumin Valbonë, ujëvara e Valbonës, pishat shekullore të Alpeve që përshkojnë këtë luginë apo bjeshkët e kësaj zone, e bëjnë këtë komunë nga më të vizitueshmet nga turistët vendas e të huaj gjatë gjithë stinëve të vitit

    Komuna Margegaj është një nga 16 komunat e Shqipërisë, të cilat u përzgjodhën në kuadër të programit “ Punët në Komunitet III” të financuar nga Banka e Këshillit të Europës (CEB) për përmirësimin e cilësisë e jetesës së popullsisë rurale të vendit, nëpërmjet hartimit të planeve të zhvillimit lokal si dhe investimeve në infrastrukturë.

    Kjo komunë ka përfituar disa investime nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit vitet e fundit me disa projekte të rëndësishme si  rikonstruksioni i dy segmenteve rrugore në fshatin Koçanaj dhe Shoshan, ujësjellësi i Komunës Margegaj si dhe ndërtimin e qendrës së zhvillimit të turizmit në Luginën e Valbonës, duke ngritur dy godina multifunksionale, ambiente të jashtme për gatim, ambiente çlodhëse, terrene sportive, ambiente të tjera në funksion të qendrës (pusi i ujit, parking etj.)

    Kjo qendër tashmë i ka ofruar mundësinë komunës Margegaj të shtojë llojin e shërbimeve për turistët si dhe të përmirësojë cilësinë e tyre.

    Qendra multifunksionale, e ngritur në pikën turistike të Valbonës, është kthyer në një qendër mikpritëse për turistët e huaj, të cilët gjejnë në të të gjithë informacionin e nevojshëm për Parkun Kombëtar Turistik të Valbonës.

    Kryetari i komunës së Margegajt, Rexh Biberi, pohon se qendra multifunksionale ka mjedise të jashtme për gatim, ambiente çlodhëse, terrene sportive dhe shpërndan informacion të larmishëm për Valbonën turistike.

    Kjo qendër po çon drejt zhvillimit cilësor turizmin, duke e bërë atë edhe më tërheqës për vizitorët e kësaj qendre turistike. “Vënia e qendrës multifunksionlae në funksion të turizmit, ka bërë që në pikën turistike të Valbonës të krijohet një klimë e re e njohjes së turistëve me vlerat e gjithanshme të rajonit turistik. Një gjë e tillë vërehet edhe gjatë këtyre ditëve, kur numri i vizitorëve në ditë arrin në mbi 150, kryesisht turistë të huaj, por edhe vizitorë ditorë që vijnë nga zona të ndryshme të Kosovës”, thotë kryekomunari i komunës Margegaj, Rexhë Byberi.