Vajushi, gol në Bullgari; Januzi shënon në Ukrainë

474
Sigal

Mesfushori shkodran shënon në fitoren 5-0 të Liteksit, ndërsa sulmuesi kosovar në humbjen e Vorkslës

Armando Vajushi çeli serinë e golave në fitoren e bujshme 5-0 të Liteks Loveçit ndaj Pirin Gotse Delçevit, në takimin e vlefshëm për javën e 13-të të kampionatit bullgar, A PFG (apo Bulgarian A Profesional Football Grup). Mesfushori i avancuar shkodran, i cili pati një mundësi të artë për të shënuar golin e tij të parë me Kombëtaren, në miqësoren Kamerunin (0-0), realizoi në minutën e 37-të pas një diagonaleje të bukur nga e djathta nga rreth 13 metra, pas pasimit të Georgi Milanovit, ndërkohë që dy minuta më pas, Ismail Isa i çoi shifrat në 2-0. Në minutën e 54-t, Vajushi pati një mundësi të mirë për të realizuar golin e dytë të tij, por portieri kundërshtar Adikov nuk ia dha kënaqësinë. Ish-lojtari i Vllaznisë u zëvendësua në minutën e 69-të nga trajneri Hristo Stojçkov, kur rezultati ishte 3-0, dhe kur fati i ndeshjes ishte vendosur tashmë. Vajushi është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm te skuadra bullgare. Golat e tjerë në fitoren e dytë me shifrat 5-0 të Liteksit në këtë sezon, pas asaj kundër Slavias së Sofies (29 shtator, dopjetë e Vajushit në atë takim) u shënuan nga Ismail Isa, Galin Ivanov dhe Gerazim Zakov. Për 20-vjeçarin Armando Vajushin ky ishte goli i tij i katërt sezonal, në 13 ndeshje (12 prej tyre nga minuta e parë). Pas kësaj fitoreje, Liteks Loveç u ngjit në kuotën e 23 pikëve (vendi i 6-të), nëntë më pak se kryesuesi Ludogorets (32 pikë).

Januzi

Sulmuesi kosovar, Ahmed Januzi, e festoi me gol rikthimin e tij, pas një mungese 50-ditore (mungonte nga 30 shtatori), por Vorskla Poltava e tij dhe e Armend Dallkut humbi 3-2 në transfertën me Krivbasin, në javën e 18-të të kampionatit ukrainas. Ndeshja në “Stadion Metalurh”, pati emocione të mëdha, për vetë rrjedhën e shënimit të golave. Antonov realizoi për Krivbasin në minutën e 30-të, ndërkohë që Vorsklës dhe Januzit iu deshën 22 minuta për të barazuar shifrat. Ky ishte goli i tretë në kampionat për sulmuesin Januzi. Kënaqësia e skuadrës së dy kosovarëve zgjati vetëm pak sekonda, pasi Antonov i çoi shifrat në 2-1 në minutën e 53-të, ndërkohë që katër minuta më pas, Prijomov regjistroi golin e tretë për vendasit. Për t’i shtuar më shumë emocionet e takimit, mendoi Bezus i Vorklës, i cili shkurtoi diferencën në 3-2 në minutën e 83-të, ndërkohë që në skedën e ndeshjes është dhe një karton i verdhë i Armend Dallkut në minutën e 94-t.

____________________________________________________________________________________

LORIK CANA: “ËNDËRROJ NJË KOMBËTARE TË PËRBASHKËT”

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, duke folur pas barazimit pa gola me Kamerunin (në Gjenevë) tha për portalin “Presheva Jonë”, se pret që FIFA t’i japë dritën jeshile Kosovës për të luajtur ndeshje ndërkombëtare. “Kosova ditë e përditë po ecën në rrugë të mbarë me integrime në organizmat ndërkombëtare, procese këto politike që, besoj se edhe tek sporti dhe futbolli kosovar janë të ndërlidhura dhe do të reflektohet pozitivisht edhe pse ndoshta pak ngadalë. Jam optimist se sportin kosovar në përgjithësi e presin ditë të mira. Edhe bashkëpunimi i UEFA-s apo FIFA-s në raportet me Kosovën nuk ndërlidhen aq për talentin apo aftësitë e futbollit kosovar, kur dihet talenti dhe suksesi i tyre si në Kosovë ashtu edhe jashtë është dëshmuar me mjaft suksese, por problemi qëndron tek politika dhe me keqardhje e them se nëse kemi ngecje në Kosovë në fushën  e sporteve apo futbollit faji kryesorë është tek politika, sepse ne nuk mund të kapërcejmë politikën po edhe deshëm nuk na lënë. Por, megjithatë unë jam optimist se FIFA më 14 dhjetor  në takimi i radhës të KE-së në Tokio të Japonisë  do të marr më në fund një vendim të prerë, të favorshëm për Kosovën, çka besoj se këtu s’ka kthim mbrapa çka pas qëndrimeve të presidentit Blater, pro Kosovës, tash e tutje kanë mbetur ca detaje dhe formalitet që duhet  zbatohen me  vendimin e FIFA-s”. Në lidhje me idenë për krijimin e një Kombëtareje të Kosovës dhe më pas një të përbashkët me Shqipërinë, Cana tha: “Nëse kemi tërë këtë potencial, force të futbollistëve tanë shqiptarë qoftë ata nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia apo Lugina e Preshevës, që luajnë sot për ekipet e njohura të botës dhe krejt normale të na shtyjë të mendohet pse një ditë edhe ne shqiptarët në Ballkan të mos kemi një kombëtare të fuqishme që të zhvillojmë ndeshje dhe që do të pretendonte të garonte me skuadrat dhe ekipet më të njohura të kontinentit. Shpresoj se, në një të ardhme jo të largët ne do të kemi në hapësirat tona vetëm një kombëtare, një përfaqësim të futbollit shqiptarë në Ballkan me një flamur. Ky proces megjithëse ndoshta do të vazhdojë ende, po aq, apo paralel me zhvillimet dhe proceset politike të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

____________________________________________________________________________________

UJKANI DEL ME TË KUQE, PALERMO E MBYLL ME TETË LOJTARË DHE TRE GOLA TË PËSUAR

Samir Ujkani “shijoi” kartonin e parë të kuq në jetën e tij, teksa portieri shqiptar i Palermos u ndëshkua së bashku edhe me dy lojtarë të tjerë të skuadrës së tij, Barreton (dy të verdha) dhe Labrin (lojë të parregullt), në humbjen dramatike 3-0 ndaj Bolonjës (e mbylli takimin me dhjetë lojtarë: Taider me dy te verdha). Palermo e mbylli ndeshjen me tetë lojtarë, në një nga ditët më të errëta të saj. Gardiani kosovar e mori kartonin e kuq pas vetëm 10 sekondash nga fillimi i pjesës së dytë, duke shkaktuar penalltinë e fituar nga Alberto Xhilardono, ky i fundit u fut me zgjuarsi midis Donatit dhe Ujkanit. Gabim i rëndë i mbrojtësit të Palermos, që e detyroi portierin Ujkani të shkaktonte dhe penalltinë e shndërruar në gol nga Alesandro Diamanti, teksa në portë është Benusi. Në fund të pjesës së parë, Ujkani dhe Palermo kishin pësuar golin e dytë po me penallti (realizoi Manolo Gabiadini), ky fajtor ishte sërish mbrojtësi Donati, njëherësh i vlerësuar edhe si lojtari më i dobët i ndeshjes. “Të dyja penalltitë e ndryshuan plotësisht rrjedhën e ndeshjes”, – tha trajneri i Palermos, Gasperini. Portali siçilian Mediagol.it, i afërt me klubin e Palermos, e vlerësoi Ujkanin me notën 5: “Nëse goli i Xhilardinos ishte një kryevepër ndaj të cilit nuk mund të bënte asgjë, gafa në bashkëpunim me Donatin i kushtoi kartonin e kuq dhe penalltinë që mbylli praktikisht ndeshjen. Nuk jep kurrë ndjenjën e transmetimit të sigurisë në portë. Një ndeshje pushim, nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse t’i bëjë mirë”. Të shtunën Palermo do të ketë derbin kundër Katanias.