Vaçe Zela, zëri hyjnor, me mendjen tek Shqipëria

    451
    Sigal

    Intervista/Flasin: Luan Zhegu, Ema Qazimi, Alida Hisku, Pali Kuke, Gudar Beqiraj, Zyhdi Dervishi

    U shua (për të mos vdekur kurrë) dhe një zë hyjnor i muzikës shqiptare. Një zë që lindi si një yll i rrallë, në mbretërinë qiellore të muzikës shqiptare. Por ndriçimi i saj ishte i veçantë. Zëri i saj i kishte brenda, gurgullimën e burimeve të Frashërit, cicërimat e zogjve të Myzeqesë, fëshfërimat e pyjeve të Llogarasë,  këngëzimin e valëve të Bunës, jodin e Adriatikut, ëmbëlsinë e liqenit të Pogradecit, aromën e pyjeve të Dajtit. Një zë që kishte brenda të gjitha, ëmbëlsitë shqiptare, të gjitha bukuritë e trevave të saj. Zëri i Vaçes ishte për këdo, shall i kuq mëndafshi, fjongo gëzimi në nyjën e zemrës që çdo çast na ndezte dëshirën për të qenë shqiptar. Këngët e saj ishin përqafim malli, që  ndriçonin edhe natën, sytë e saj në skenë ndiznin dritë tjetër, dritën  dashurisë për atdheun, për njeriun.  Zëri i saj, herë me tinguj drithërime, nën mëndafshin e padukshëm të ëndrrës për të përcjellë mirësi, herë si qiej përvëlues me yje për të përcjellë forcë, përbënin gjithmonë një aromë Shqipërie që e sillnin krenarinë vetiu deri në kufijtë e besimit se jemi të veçantë. Këngët e saj ishin buzëqeshje malli i purpurt që do na mungojnë përjetësisht dhe sot lotët jargavan të të shqiptarëve, janë ndjenja e pastër e respektit për një njeri, këngëtare, që asnjëherë koha nuk do ta veniti.

    ***

     Luan Zhegu-këngëtar, kompozitor

    Për herë të parë Vaçen e kam njohur që në vitet e rinisë time kur isha baterist në Varietenë e Estradës së Tiranës. E shikoja dhe magjepsesha. Kur ajo këndonte patjetër që do të kthehej të paktën dy herë. Zëri i saj ishte magjepsës, ishte si ujë burimi. Me ‘të nderoheshe kudo. Më vonë unë kam marrë pjesë me të në shumë Festivale të RTSH. Pjesëmarrja e saj ishte patjetër event. Gjithë kohës ajo e ka zotëruar skenën në mënyrë të habitshme, por njëkohësisht neve të rinjve na përkrahte shumë. Por ajo që do të veçoj është se ajo në vitin 1978 ka kënduar një këngën time “Nusja e Lirisë”. Këtë këngë e ka kënduar në dekadat e Majit në TOB. Kjo këngë është kthyer disa herë. Kënga i kushtohej “Heroinës së Popullit” Margarita Tutulani. Në atë mbrëmje, edhe vetë Vaçja ishte veshur si Margarita me bluzë të kuqe dhe fund të zi. Pra ngjyrat e flamurit. Kishte marrë vërtetë të gjitha tiparet që njohim Margaritën në foto. Kur ajo këndonte unë dridhesha pas skene. Ishte një interpretim brilant. Ishte një këngë me zë qiellor. Salla nuk pipëtinte. O zot çfarë atmosfere. Ishte nderi më i madh për mua që atë këngë e këndoi e madhja Vaçe Zela. Ato duartrokitje frenetike, atë gëzim, atmosferë se kam ndjerë, edhe kur kam marrë çmime vetë ne Festivale. E tillë ishte Vaçe Zela. Vaçja kishte një dhunti të rrallë edhe lëvizjet në skenë i bënte sipas muzikës dhe në përputhje të plotë me tekstin. Kurrë nuk bënte lëvizje bosh. Edhe kalimi apo harkimi i dorës për të kishte të thoshte shumë. Ajo ishte aktore në skenë. Të mrekullonte. Por unë do të them edhe disa detaje të jetës sime artistike me të kur kemi shkuar disa herë jashtë shtetit me disa nga  grupet artistike. Kemi shkuar disa herë në Greqi, por dhe në Kosovë, etj.. Për herë të parë kam dalë jashtë me Vaçen në vitin 1977 në Greqi. Ishte atëherë kur kishin filluar të përmirësoheshin marrëdhëniet. Shkuam si pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve. Në një koncert që dhamë në Greqi, Vaçja këndoi një këngë të mrekullueshme të këngëtares së madhe greke, Marinela. Marinela ishte ulur në rresht të parë. Dëgjonte me vëmendje këngën që këndonte Vaçja. Kur ajo mbaroi gjithë salla u çua në këmbë. Marinela e përlotur, me një buqetë  me lule shumë të bukura u ngrit dhe erdhi në skenë. Me lot në sy i dha tufën me lule duke i thënë: “Je një këngëtare e madhe”. Në fund të shfaqjes ajo na shtroi një darkë të madhe për të gjithë ansamblin. Sërishmi kemi shkuar në Greqi pas 10 vjetësh, pra në vitin 1987, por këtë radhë me TVSH-në. Ajo la të njëjtat mbresa si në 1977, pra po atë zë, por më të stërvitur. Grekët kishin një simpati të madhe për të. Mbi të gjitha dua të them se Vaçe Zela mbetet një shkollë e veçantë e këngës dhe muzikës shqiptare. Ajo është një zë i rrallë që zor se mund të zëvendësohet. Këngët e saj janë një arkiv i rrallë i muzikës shqiptare, që koha po i lartëson çdo ditë. Për Vaçen  mund të flasësh shumë, por sot janë dy fjalë zemre, për këngëtaren që e çoi në pavdekësi muzikën shqiptare.

     Ema Qazimi- “Mjeshtre e Madhe”

     Për mua Vaçja ishte, gëzimi, atmosfera, shtysa, nxitësja, frymëzuesja, pra çdo gjë. Me ‘të kam shumë e shumë kujtime. Si fillim do të kujtoj Festivalin e 8 në RTSH. Unë isha një vajzë 14 vjeç e ndrojtur, e qetë, e mbledhur aty në fund të skenës. Ishte viti 1968. Ishte një vit ndryshe për jetën time. N.q.s do dilja mirë atëherë rruga ime drejt këngës do të ishte e çelur. Por më e bukura ishte se unë do të isha dublante me këngëtaren e madhe Vaçe Zela. Ajo atëherë ishte në kulmin e saj. Fama e saj ishte e madhe. Unë vetëm kur dëgjoja emrin e saj emocionohesha dhe jo më pastaj të këndoja afër saj. Në atë kohë çdo këngë dublohej, çdo këngë këndohej nga dy këngëtarë. Ne do këndonim këngën “Ylli partizan”. Pra do ta këndonte Vaçja dhe pastaj unë. Kur dëgjova këngën nga Vaçja më dukej si një zë qiellor.  Një zë që të mbërthente. Rrija pas perdes dhe nuk dija ç’të bëja. Kur më afrohet Vaçja, shko dhe këndo. Ti do ja dalësh mbanë, ke një zë të bukur dhe do ecësh para. Më foli me ëmbëlsi. O zot, sa më duheshin ato fjalë. Më dukeshin si fjalë nëne, që i flet së bijës. U futa në skenë plot besim. Edhe kur dola nga skena ajo më priti me buzëqeshje. Sa zemër më ka dhënë ajo grua, s’më ka dhënë kush në jetë.  Unë kam qenë dublonte edhe në një festival tjetër me këngën “Gjurmë të arta”. Pra dy herë dubloja “Mbretëreshën” e këngës shqiptare. Pastaj rrugët e jetës na ndanë. Ajo u vendos tek e bija në Zvicër. Takimi im i fundit me ‘të ka qenë në Bazel të Zvicrës në shtëpinë, ku ajo banonte në vitin 2013, pra një vit më parë. Kur shkova ajo më puthi dhe lotoi. Më pyeste me detaje, për çdo gjë nga Shqipëria. I shoqi dhe vajza i kishin krijuar kushte të jashtëzakonshme, pasi ajo ashtu e meritonte. Rrinte gjithmonë pranë televizionit dhe ndiqte të gjitha emisionet në kanalet televizive. Ishte e mirinformuar për çdo gjë. Ishte prezente për çdo gjë në atdhe. Më mungon shumë Shqipëria, kjo ishte fjala e parë e saj, më mungon çdo gjë shqiptare dhe pse ndjek çdo gjë që zhvillohet aty. Më pyeste për shoqet, për kompozitorët, për të rejat në muzikën shqiptare dhe pse ajo ishte në korrent më shumë se unë. S’e besoj se na ka lënë. Ajo ishte një grua e kompletuar, një familjare e shkëlqyer, një këngëtare që nuk do ta zëvendësojë askush në Shqipëri. Është një humbje e madhe, e pazëvendësueshme.

      Pali Kuke-regjisor

     E kush nuk e njeh Vaçe Zelën? Për këtë njeri që për çdo vatër shqiptare ka sjellë vetën gëzim, fjalët në këtë rast nuk gjenden. Unë kam shkuar në TVSH në vitin 1969 dhe takimin e parë direkt me Vaçen e kam pasur në vitin 1970. Pas atij momenti nuk jam ndarë me ‘të. Kam qenë në shumë koncerte jashtë shtetit me ‘të, kam xhiruar qindra aktivitete të saj kudo që ka shkuar dhe ka lënë gjurmë. Me Ansamblin e Shtetit ne kemi shkuar në shumë vende, ku zëri i saj ka gjëmuar. Ajo e ka lartësuar emrin e Shqipërisë kudo në botë. Ajo ishte drithërimë. Të ngrinte në këmbë me atë zë zjarr. Të gjithë bashkohen nën një zë për Vaçen, ajo s’ka asnjë ta kritikojë, apo të thotë ndonjë të metë. Por unë nuk bashkohem në një pikë me të tjerët që thonë, Vaçja na la. Jo, Vaçja nuk na la, ajo është çdo ditë mes nesh, me këngët e saj të pavdekshme. E si mund të themi na la, kur ajo do të jetë në radio, kaseta, CD, televizione me atë zë hyjnor? Vaçja është e përjetshme. Unë e kam takuar shpesh kohët e fundit. Kam xhiruar shumë për të. Por kam pas shumë vështirësi. Ajo nuk donte që të reklamonte veten. Mezi e bindja. Nuk donte që të bëhej prezente shumë herë në televizione. Modesti reale, jo e tepruar. Ajo kishte një revoltë të brendshme. E donte Shqipërinë të përparuar. E donte të ishte ajo që duhej. S’e ndante kurrë veten nga atdheu. Kurrë. Kjo ishte Vaçja që vdiq me mendjen tek Shqipëria.

     Gudar Beqiraj- Akademik

     Për Vaçen kam kujtime shumë të rralla. Kujtime që sa më shumë ikën koha, aq më të freskëta bëhen në kujtesë për vetë interesin që paraqesin këngët dhe zëri i saj, por edhe figura e saj. E kam parë për herë të parë nga afër në ambientet e RTSH, rreth viteve 1973, kur unë shkoja shpesh në këtë institucion dhe ajo ishte e ftuara speciale. E shikoja me admirim dhe nuk merrja iniciativë ta takoja, aq e madhe më dukej, jo në moshë, por në lavdinë dhe emrin e saj. Të takoja dhe të pije një kafe në atë kohë me Vaçe Zelën ishte me të vërtetë një ftesë. Ajo ishte një këngëtare e madhe, por dhe një njeri i mrekullueshëm. Nga afër kam pasur rastin ta takoj, kur ajo ishte në jurinë e një Festivali në RTSH dhe unë isha përgjegjës i kontrollit elektronik të votave në Institutin e Statistikave që drejtoja. Por njohjet e mia më të mira me të kanë qenë, kur nipi im këngëtari i mirënjohur 15- vjeçar Dilan Reka ka kënduar për ‘të në vitin 2010 një këngë kushtuar posaçërisht asaj, e titulluar “Mbretëresha e këngës”, me tekst të Jorgo Papingjit dhe me muzikë të Edmond Zhulalit. Fabula e kësaj kënge është, që zëri i saj magjik është i pazëvendësueshëm dhe për çdo ditë po bëhet më i dashur për të gjithë. Këtë këngë Dilani e këndoi në Bazel të Zvicrës, ku Ministria e Kulturës kishte organizuar një mbrëmje Gala për nder të këngëtares së madhe. Dilani në këtë mbrëmje Gala këndoi dy këngë “Valsi i lumturisë” që Vaçja e ka këngën kryesore dhe këngën që ishte kompozuar enkas për të “Mbretëresha e këngës”. Kur mbaroi këngën e dytë Dilani, Vaçja u ngrit në këmbë e puthi duke lotuar. Më vonë në vitin 2012 unë së bashku me Edmond Zhulalin dhe TOB, kur ishte Drejtor Zhani Ciko, organizuam një koncert të Dilanit me të gjitha këngët e Vaçes. Ishin rreth 20 këngë që Dilani i këndoi me këngëtaret Kastriot Tusha, Anjeza Shahini, Myfarete Laze, Hysni Zela. Ky koncert pati jehonë të madhe, aq sa dyert e TOB-it u shqyen pasi kërkesat për ta parë ishin të shumta. U detyruam t’i hapim dyert e hyrjes, pasi nuk mund të mbaje popullin që kishte vërshuar në TOB. Një koncert që la mbresa të jashtëzakonshme dhe që komentohet dhe sot. Ishin këngëtarë nga më virtuozët që kënduan këngët më të veçanta të Vaçes. Tashmë së fundi ne po përgatisnim diçka të veçantë. Së bashku me kompozitorët Edmond Zhulali dhe Alfred Kaçinari, kemi përgatitur një projekt me këngët e Vaçes. Projekti ka si të veçantë të kënduarit live të 20 këngëve të Vaçes me pesë këngëtarët e rinj, pjesëmarrës në Eurovizion dhe pesë këngëtarë të tjerë të rinj të brezit të tretë, ku do të jetë dhe Dilani, që do të këndojnë repertorin më të zgjedhur të këngëtares së madhe. Secili këngëtar do të këndojë 2 këngë. Pra 10 këngëtarë që do të këndojnë live, nga dy këngë. Kjo do të jetë e veçanta e këtij koncerti që mendojmë ta zhvillojmë në TOB. Ne kemi disa muaj qe e kemi nisur këtë projekt, kemi zgjedhur këngëtarët dhe po ndajmë këngët. Kemi menduar ta organizojmë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe me biznesin e Tiranës. Kur ja, morëm vesh haberin e keq. Ndërroi jetë e madhja Vaçe Zela. Ndërroi jetë ajo që i ka kënduar më shumë se kushdo atdheut. Një humbje e rëndë, por ne nuk do ta lemë në mes këtë projekt. Ky projekt ka shumë rëndësi për ne. I paharruar kujtimi i saj!

    Prof. Zyhdi DERVISHI

    HARMONIA

    (Princeshës së këngës, Vaçe Zela)

    Valët e zërit të saj – orkestra

     më harmonike e dirigjuar

     nga shpirti rebel

     dhe karakteri i sertë

     tej violine i tendosur

     në jetë e në skenë.

     Në çdo tingull të saj

     jehojnë mijëra shqetësime

     dhe muzgu ezmer

     i iluzioneve që dremisin,

     por nuk flenë.