“Ushtarakët të mos këmbejnë dinjitetin me thërrime”

    668
    Sigal

    Rritjen e pensioneve 4% për pensionistët dhe për ish-ushtarakët koloneli në rezervë Pëllumb Zaimi e cilëson si një tallje nga ana e qeverisë. Në një intervistë për “Telegraf”,  Zaimi është shprehur se kjo rritje duhet refuzuar nga të gjithë pensionistët shqiptarë, ushtarakë e jo ushtarakë. Sipas tij, kategoria e ushtarakëve është diskriminuar pasi ushtarakëve ju shkurtua pensioni dhe kjo s’ndodhi me asnjë grupim tjetër pensionistësh. Domethënë u diskriminuan në raport me gjithë të tjerët. Askujt nuk i ndodhi kjo gjë me përjashtim të ushtarakëve. U diferencuan (dalluan) nga trajtimi i të tjerëve. Për kolonelin në rezervë nuk ka rritje pensionesh, ajo është fiktive.

     -Zoti Zaimi, çfarë mendojnë ushtarakët për rritjen e fundit të pensioneve pas 1 korrikut?

    -Janë shumë të gëzuar! Kanë filluar ta festojnë këtë rritje. Nuk dinë se çfarë do të bëjnë më parë me gjithë ato para që do t’u shtohen xhepave të tyre!… Është një rritje e jashtëzakonshme!…. Do ta festonin me të shtëna artilerie, por nuk i kanë mundësitë!…

     -Mos po talleni, zoti Zaimi?

    -Nuk po tallem me ju. Po tallem me këtë palo kryeministër që kemi, i cili po të kishte një minimum kulture qytetare, nuk do ta zinte fare në gojë këtë rritje. Për mendimin tim kjo rritje duhet refuzuar nga të gjithë pensionistët shqiptarë, ushtarakë e jo ushtarakë.

     -Pse duhet refuzuar, sipas jush, kjo rritje pensioni?

    -Sepse është qesharake. Nuk duhet këmbyer dinjiteti me thërrimet që na hedh ky njeri. Nga ana tjetër, pasi u grabiti ushtarakëve rreth 40-50% të pensionit, ju hedh për mëshirë 4 për qind të totalit. Ushtaraku nuk duhet ta pranojë mëshirën. Mëshira  është për robërit e luftës. Megjithatë ushtarakëve mirë ua bëjnë!?

    -Pse ky inat ndaj kolegëve?

    -Nuk më kanë pëlqyer asnjëherë kolegët qurrashë dhe qaramanë. Megjithëse kanë dalë në pension duke ardhur nga struktura më e organizuar e shtetit, siç është ushtria, s’kanë as minimumin e dëshirës për t’u organizuar që të mos lejojnë talljen me sakrificat e tyre. Puna ka arritur deri në atë pikë saqë edhe kur qeveria ju shkurton 40-50% të pensionit nuk marrin mundimin t’i drejtohen gjykatës. T’i drejtohen në radhë të parë për “DISKRIMINIM” sepse diskriminimi është aq i dukshëm, sa s’ka gjykatës që të mund të mos e quajë të tillë. Por dhe po të veprojnë si ushtaraku Harallamb Zerva do ta rifitojnë të drejtën se s’bën.

     -Ku duket “diskriminimi”, sipas jush, tek kategoria e ushtarakëve ?

    -Fare thjesht. Ushtarakëve ju shkurtua pensioni dhe kjo s’ndodhi me asnjë grupim tjetër pensionistësh. Domethënë u diskriminuan në raport me gjithë të tjerët. Askujt nuk i ndodhi kjo gjë me përjashtim të ushtarakëve. U diferencuan (dalluan) nga trajtimi i të tjerëve. Ky është diskriminimi. Madje një ushtarak çek në procesin “Buchen kundër Republikës çeke 2002” në Strasburg, pati një rast më të thjeshtë diskriminimi dhe e fitoi gjyqin. E kam prezantuar këtë rast edhe në gazetën tuaj “Telegraf”. Do të kisha shumë dëshirë që Strasburgu të gjykonte çështje të tilla si: “Ushtarakët kundër Republikës shqiptare të kapitalizmit primitiv” apo Ushtarakët kundër Republikës shqiptare që ka devijuar kapitalizmin modern amerikan në tropojan”.

     -T’i rikthehemi dhe njëherë rritjes së pensioneve prej 4%. Sa i përmbush kjo shtesë nevojat e ushtarakëve?

    -Nuk ka rritje, është fiktive. Rritja është pjesë e skenarit, të zbatuar tashmë prej disa vitesh “t’i jep Salia dhe t’i merr prapë Sahit mavria”. E kam fjalën për Sahit Dollapin, i cili pas shpalljes qeveritare të rritjes, nxiton menjëherë tija rikthejë Saliut paratë që të ka dhënë duke rritur faturat e ujit, madje dyfish. Në të njëjtën mënyrë nxitojnë dhe CEZ-i dhe gjithë firmat e tjera hajdute, që hajdutët qeveritarë kanë sjellë si “investitorë” në Shqipëri.

     -Ushtaraku Harallamb Zerva çfarë ligjesh shfrytëzoi që rifitoi pensionin e shkurtuar?

    -Deligjitimoi antikushtetueshmërinë e ligjit 10142, datë 15.04.2009 duke u bazuar në tre parimet themelore të shtetit të së drejtës.

    1-Në parimin e sigurisë juridike. 2-Në parimin e barazisë para ligjit. 3-Në parimin e hierarkisë së burimeve të së drejtës. Sidoqoftë unë mendoj se paditë e ushtarakëve duhen bërë për diskriminimin. Duhet paditur direkt fajtori vendimeve antikushtetuese, jo thjesht levat zbatuese. Ushtarakët duhet të kërkojnë dhe dëmshpërblim moral nga ata që e kanë bërë udhë antikushtetueshmërinë dhe diskriminimin e tyre, i cili nuk është thjesht “persekutim ekonomik” siç thotë zoti Harallamb, por është në radhë të parë “persekutim politik”. Është një luftë e qëllimshme e qeverisë shqiptare për t’ju imponuar nënshtrimin dhe asfiksimin si mbrojtës të shqiptarizmit. Ushtarakët kanë demaskuar të parët shitjen e interesave kombëtare dhe të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë. Unë mendoj që është një skenar kompleks i agjenturave rajonale, veçanërisht serbe për ti bërë ushtarakët të dalin nga shinat e atdhetarizmit. Për t’i detyruar t’i përqendrojnë përpjekjet tek mbijetesa.