Ushtarakët: Përshpejtoni zgjidhjen e problemeve tona dhe ndalni diferencimin midis shtetasve me uniformë!

    405
    Sigal

     Ne, që po ju shkruajmë, jemi një grup ushtarakësh banues në Njësinë Bashkiake Nr.5, Tiranë. Nuk jemi anëtarë të asnjë partie, por jemi më objektivë, se ata që kanë tesera partie në xhep, që ju bëjnë presione dhe ju kërcënojnë  me protesta. Këta tipa i ngjajnë asaj nuses të re pa tru që thoshte: “Nga inati sime vjehrre, do të shkoj të fle me mullixhiun”, duke harruar se në këtë mënyrë çojnë ujë tek mulliri i Saliut. Ne, nuk jemi si “tipat” e sipërmendur, por bëjmë pjesë tek ata simpatizantë e votues të majtë, që përbëjnë ato një milion shuplakat që ju i përmendni shpesh dhe si të tillë kemi të drejtë legjitime, që në emër të ish- ushtarakëve dhe familjeve të tyre t’ju kërkojnë llogari për mbajtjen e premtimeve të dhëna. Kontrata jonë shpirtërore dhe morale, ndonëse është e pa shkruar, është që juve të qeverisni  me sukses, të mbani premtimet, të zgjidhni problemet dhe shqetësimet tona, ndërsa ne të vijojmë t’ju mbështesim akoma më fuqishëm në “luftën” që sapo keni nisur, për të gjunjëzuar dhe ç’montuar shtetin paralel të Sali Nishanit. Për hir të së vërtetës na duhet t’u themi që në fillim se, besimi po lëkundet dhe pakënaqësitë po shtohen nga dita në ditë edhe për ne ushtarakët, si rrjedhojë e indiferentizmit, diferencimit dhe zvarritjes që po ju bëhet zgjidhjes të problemeve tona. Para zgjedhjeve deputetët (veçanërisht ata ish ushtarake dhe ish MM, Majko), politikanët dhe te ashtuquajturit koordinatorë ushtarakë pranë njësive bashkiake, i digjte malli për ne, ishin të gatshëm të na takonin tre herë në ditë (para ose pas buke), ndërsa tani pas zgjedhjeve, komunikimi i tyre është zero, na fshihen dhe nuk kanë kurajon të përballen me ne. Ata ndoshta nuk kanë gjë në dorë, nuk i pyesni juve e ministrat tuaj dhe nuk kanë çfarë të na thonë. Ne nuk mendojmë se janë dehur nga suksesi i zgjedhjeve të Qershorit dhe flenë akoma gjumë. Por, nëse është kështu e mendojnë se e kaluan lumin dhe ne nuk ju duhemi më, ju rikujtojmë, se kurrë nuk duhet të harroni që zgjedhjet e tjera i keni prapa derës. Ne ushtarakët në rezervë/lirim, kemi gati 10 muaj, që presim me durim, që të hidhet ndonjë hap për zgjidhjen e të drejtave që na takojnë, por deri tani nuk ka asnjë hap konkret. Për kujtesë nënvizojmë se gjatë fushatave elektorale të viteve 2009 dhe 2013 na është premtuar nga juve dhe personat e sipërmendur se: “Për ushtarakët do të zbatohet vendimi Nr.33, datë 24.06.2010, i Gjykatës Kushtetuese dhe Statusi i Ushtarakut ose do të bëhet një ligj i ri i përbashkët me policinë, i cili do të kalojë në parlament, brenda pranverës të vitit 2014.” Qeveria e kaluar na ka goditur në mënyrë sistematike, nëpërmjet nxjerrjes të mjaft  ligjeve dhe akteve nënligjore, antikushtetuese. Shembull tipik është akti normativ i vitit 2010 (që është vlerësuar si  antikushtetues dhe nuk është votuar nga deputetët e PS-së dhe LSI-së), i cili i ka kthyer shumë nga kolegët tanë në debitorë. Për rrjedhojë, ne kemi vite që po përjetojmë një realitet të pa durueshëm, që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga koalicioni juaj qeverisës. Të gjendur në këto kushte, u detyruam të komunikojmë me juve publikisht për disa nga problemet kryesore që duan zgjidhje emergjente. Megjithëse vonë, mendojmë që menjëherë duhet të pezullohet procesi i rillogaritjes të pensioneve të parakohshme sipas Aktit Normativ të vitit 2010 dhe të mos dërgohet asnjë dosje në sigurimet shoqërore, deri sa të miratohet ligji i ri që na është premtuar. Është e pafalshme që juve akoma “të na vrisni” ne ushtarakëve me këtë armë vdekjeprurëse të Sali Bodes. Po ashtu mendojmë, që qeveria me një vendim të veçantë të falë ushtarakët, që janë debitorë në sigurimet shoqërore, sepse ata pensionet e tyre i kanë marrë sipas ligjeve që ishin në fuqi, në kohën kur ju ka lindur e drejta. Qeveria ka marrë disa vendime të tilla faljeje. Ne nuk shohim asnjë arsye apo pengesë që të mos merret një vendim dhe për faljen e debitorëve ushtarakë që janë viktima të arbitraritetit dhe urrejtjes të qeverisë të mëparshme. Ne ushtarakët e mbrojtjes, ndjehemi të fyer, kur vërejmë se po punohet me dy standarde, po mbahen dy qëndrime dhe po punohet me dy ritme për ne shtetasit që  kemi shërbyer në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë të këtij vendi (aktivë apo në rezervë). Dukshëm konstatohet, se ish- ushtarakët e rendit kanë patur dhe kanë akses të plotë për zgjidhjen e problemeve të tyre. Mendojmë se keni vepruar shumë drejt që policëve aktiv i’ u keni rritur pagat, që keni përfunduar ligjin e ri për ata në rezervë /lirim dhe që shumë prej tyre i keni rikthyer dhe janë sistemuar në punë etj. Por, njëherazi nuk e kuptojmë, pse për ne ushtarakët e mbrojtjes ka një indiferentizëm dhe nënvlerësim të pa justifikueshëm! Nuk mendojmë se kjo varet nga vullneti, dëshira apo humori i ministrave apo stafeve rreth tyre. Aktualisht, për ne ushtarakët në rezervë/lirim, janë në fuqi shumë ligje dhe akte nënligjore, që bien ndesh me njëri tjetrin dhe  janë në shkelje të Kushtetutës, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Statusit të Ushtarakut. Nuk e kuptojmë, pse nuk vlerësohet dhe nuk merret si model puna e bërë deri tani nga Ministria e Rendit dhe sidomos riformatimi i ligjit të ri për policinë dhe mbi këtë përvojë të rishikohen, studiohen dhe korrigjohen gabimet dhe deformimet që i janë bërë Statusit të Ushtarakut të vitit 2004. Pasi u njohëm me ndryshimet e ligjit të ri të policisë, konstatuam se ato janë ndryshimet e duhura, që i duhen bërë dhe Statusit të Ushtarakut të vitit 2004. Ngjashmëria në përmbajtjen e këtyre ligjeve dhe ngjashmëria në vështirësitë e shërbimit, të çojnë në konkluzionin, se ideja e diferencimit ligjor të shtetasve me uniformë (në përmbajtje dhe në kohë) që po artikulohet ditët e fundit në median vizive dhe të shkruar, është absurde. Publikimi i ligjit të ri të policisë, na nxiti të kërkojmë publikisht ndërhyrjen tuaj si Kryeministër dhe si Kryetar Kuvendi që për hartimin e këtij projekt ligji të ri, të kërkoni një bashkëpunim ndërinstitucional, mes Ministrive të Rendit dhe të Mbrojtjes, duke u konsultuar e marrë në konsiderate dhe rekomandimet e kompanive “CUBIC” dhe “PAMECA”, që  janë instaluar prej vitesh pranë këtyre ministrive. Bashkëpunimi me skuadrat (stafet) e tyre do të jenë një aset i shtuar që do të përmirësojnë dhe përafrojnë këto Ligje (Statuse), të unifikuara apo të ndarë, me parametrat dhe standardet e vendeve të Bashkimit Europian dhe të ushtrive të NATO-s. Kemi bindjen që ata janë  të gatshëm, të angazhohen seriozisht nëse kjo gjë do të kërkohet nga ana juaj. Ky koordinim dhe tërheqja e mendimit të komunitetit të ushtarakëve në rezervë/lirim, është i domosdoshëm para se të kalojë në Parlament (në komisione apo seancë) për miratim. Për ne, i rëndësishëm është fakti, që si për policinë dhe ushtrinë të ketë një vlerësim të drejtë dhe të barabartë, në parim dhe në përmbajtjen e këtyre ligjeve (apo të një ligji të vetëm), në afatet e hartimit, miratimit dhe vënies në zbatim të tyre (sigurisht duke pasqyruar veçoritë e vështirësisë dhe specifikave të shërbimit). Për këtë kërkojmë: 1) Nëse juve keni menduar që këta ligje të jenë të veçantë, si para vitit 2009, atëherë të kërkohet dhe nga Ministria e Mbrojtjes që të paraqiten urgjent amendamentet për ndryshimin dhe riformatimin e Statusit të Ushtarakut të vitit 2004, për të rregulluar deformimet që i janë bërë këtij ligji organik nga shumica e mëparshme nëpërmjet Aktit Normativ të vitit 2010, me synim që dhe ky ligj të kalojë për diskutim dhe miratim në parlament në të njëjtën kohë. 2) Nëse juve do të mendoni, që të përgatitet një ligj (Status) i vetëm për policinë dhe ushtrinë, atëherë është e domosdoshme që ligji i ri i përgatitur për policinë e shtetit të konsultohet me specialistët e Ministrisë të Mbrojtjes, të rishikohet, studiohet, plotësohet dhe përshtatet, duke u bazuar dhe në Statusin e Ushtarakut, të vitit 2004 dhe pasi të diskutohet me komunitetin e ushtarakëve (të mbrojtjes dhe të rendit), të kalojë për miratim në qeveri dhe pastaj në parlament, duke ju dhënë një zgjidhje përfundimtare dhe të drejtë ligjore, të gjithë shtetasve me uniformë që kanë garantuar dhe garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare të vendit. Ne kemi besim se juve, nuk ju mungon dëshira dhe vullneti, që të bëni atë që nuk kanë dashur dhe mundur ta bëjnë paraardhësit tuaj. Ju i keni të gjitha mundësitë, përfshi dhe shumicën e cilësuar të votave në parlament për të miratuar një ligj organik, që të jetë në përputhje me parametrat dhe standardet e vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të NATO-s.

    Një grup ushtarakësh, Njësia Bashkiake Nr.5