Ushtarakët madhorë për Ministrin Kamenos: Mos luaj me zjarrin!

    420
    Para disa ditësh, ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Panos Kamenos, i cili është kryetari i partisë greke “Grekët e Pavarur”, një parti nacionaliste, demonstroi forcë ushtarake në kufi me Shqipërinë, duke përcjellë një imazh, sikur Greqia rrezikohet nga Shqipëria, pas notave të protestës që qeveria shqiptare i dërgoi qeverisë greke, për kërkimet për naftë në zonën detare që i përket kufijve shqiptarë. Është një absurditet politik, deri në veprim qesharak, që ministri grek të pretendojë se Greqia kërcënohet ushtarakisht nga Shqipëria, kur të dy vendet tona janë në NATO, por qartazi Shqipëria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ushtarak në kufi, as ka shtuar ushtrinë, armatimet, apo të ketë bërë mobilizim ushtarak të popullsisë. Ushtarakët me përvojë Gani Elezi, që ka shërbyer si komandat i njësive operativo-strategjike, Koloneli në rezervë Pëllumb Elezi, ish nënkoloneli Lutfi Hysenaj dhe pedagogu ushtarak Dilaver Goxhaj, analizojnë deklaratat e ministrit të Mbrojtjes së Greqisë në forumin e gazetës “Telegraf”, duke u përgjigjur pyetjes, se çfarë mesazhi do te të përcillte ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos, me rikthimin e ushtrisë greke në kufi me Shqipërinë. Gani Elezi, ish komandant i njësive operativo-strategjike, thotë për gazetën “Telegraf”, se deklaratat e ministrit grek të Mbrojtjes janë presion mbi Shqipërinë, dhe se këto qëndrime acarojnë marrëdhëniet e dy vendeve. Koloneli në rezervë Pëllumb Zaimi, pohon se ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos kakaris që të bëjë presion ndaj Shqipërisë, që të bëjë lëshime, se gjoja paska rrezil ushtarak nga Shqipëria. Sipas kolonel Zaimit, duhej të reagonte edhe ministrja jonë e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Nënkoloneli në rezervë Lutfi Hysenaj, thotë se me këto deklarata provokative ministri i mbrojtjes greke do të tërheqë vëmendjen nga problemet e krizës greke. Ndërsa Dilaver Goxhaj, pedagog ushtarak shprehet se “Mospërgënjeshtimi nga qeveria greke, na bën të dyshojmë për Kamenon dhe vetë politikën e Greqisë”. 
    Gani Elezi (ish)Komandant i njësive operativo-strategjike: Është presion mbi Shqipërinë
    Është presion mbi Shqipërinë. Kamenos kërcënon një vend anëtar të NATO-s të cilin, në raste emegjencash ushtarake, duhej ta mbronte. Pra simbolika e kësaj deklarate të ministrit grek të Mbrojtjes (po e quaj të Luftës në këtë rast) nuk është paqja, bashkëpunimi, por tensionimi i situatës, kërcënimi ndaj të tjerëve, çka shkon në kundërshtim me parimet e NATO-s.Këtu duhet sqaruar e vërteta. Shqipëria nuk ka kërkuar asnjë milimetër tokë, det apo ajër nga vendet fqinje, as edhe nga Greqia. Në rastin konkret bëhet fjalë për afro 370 km2 të hapësirës sonë detare e cila falë një marrëveshje nënshtrimi, antikombëtare mes qeverisë greke dhe asaj shqiptare, të Sali Berishës, iu dha Greqisë, marrëveshje që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Qeveria e tanishme shqiptare, edhe pas këtij vendimi kushtetues, ka deklaruar vullnetin për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje në rrugë diplomatike, me bisedime dy palshe, në bazë të interesave dhe të të drejtave të të dy vendeve. Madje, është shprehur dakort që kjo mosmarrëveshje të zgjidhet edhe me ndërmjetësinë e të tretëve, edhe të gjykatave të specializuara për këto probleme. Çdo qëndrim e deklarim kundër kësaj frymë veç se i acaron marrëdhëniet mes dy vendeve, situatë që do të shkojë në dëm të të dy shteteve edhe të Greqisë edhe të Shqipërisë. Mund të jetë edhe tentativë për të kapërcyer krizën e rëndë financiare, krizën e rëndë të borxheve, e cila e ka vënë Greqinë në një situatë shumë të rëndë, në situatë kolapsi. Mbase është një taktikë për të tërhequr vëmendjen e opinionit grek nga ky problem jetësor. Por shpesh prapa këtyre deklarimeve, gjoja personale, që u vishen qarqeve shoviniste, antishqiptarëve, partive nacionaliste apo personaliteteve të veçantë, qëndron edhe qeveria greke. Nuk është e habitshme që edhe pas këtyre deklaratave të jenë segmente të ndryshme të shtetit grek. Them kështu se qeveria greke po të kishte vullnetin e mirë në marrëdhëniet shqiptaro-greke, do të angazhohej seriozisht në zgjidhjen e disa problemeve që cenojnë këto marrëdhënie, siç është problemi i çamëve në Greqi e Shqipëri, problemi i Ligjit të Luftës, që ende vazhdon të jetë në fuqi, apo problemi i trajtimit të qindra mijë emigrantëve shqiptarë, të pas viteve 90-të, që jetojnë e punojnë në Greqi. Në se Greqia nuk lëshon as një milimetër (nuk ia ka kërkuar asnjë) as ne nuk lëshojmë asnjë milimetër (që duan të na i rrëmbejnë). Janë marrëdhënie, të drejta e detyrime reciproke.

    Pëllumb Zaimi, kolonel në rezervë: Kamenos kakaris, që të testojë Shqipërinë të bëjë lëshime
    – Para Kamenos grek, dolën këtu tek ne dhe një admiral flote, Gerveni, e një gjeneral presidence, Pirro Ahmeti, që pak a shumë folën e shkruan në linjën e deklarimeve të Kamenos. Komplet një fantazi ushtarake qesharake. Komplet një parodi fantastike e mbushur plot e përplot me kakarisje të kota, sepse “veza e rrezikut” nuk ka gjëkund asnjë shenjë. Ministri grek i mbrojtjes nxjerr nga prapanica një zhurmë dhe tenton ta deklarojë nga goja si rrezik ushtarak. Do të doja që si profesionist ta kisha përballë në një ballafaqim publik për t’i thënë opinionit grek dhe shqiptar, një gjë të vetme: ku i identifikon shenjat reale të rrezikut ushtarak Kamenos? Dhe jam i sigurt se opinioni publik grek dhe shqiptar do të gajaseshin për një kohë të gjatë. Ministri grek ashtu si shpesh “koburet politike” këtu tek ne mesa duket ka për qëllim të krijojë një “alibi rreziku”, në çastin e zhytjes së Greqisë në krizën e borxheve dhe nga ana tjetër “me një gur të vrasë dy zogj”, të trembë politikën shqiptare për të bërë lëshime në lidhje me marrëveshjen detare. Janë mësuar me rezultatet e trembjeve të tilla dhe thanë: “ta provojmë përsëri”. Shkurt godasin në një krah për të na dobësuar në krahun tjetër, testojnë politikën Shqiptare dhe gatishmërinë e saj për pazare sipas oreksit të Poseidonit. Për një vend të NATO-s, deklarime të tilla janë të rrezikshme, sepse dëmtojnë parimet e fuqishme së… dhe të mirëbesimit reciprok. Unë e di që NATO-ja nuk sheh asnjë rrezik ushtarak nga Shqipëria dhe prisja që ajo të bënte “një tërheqje veshi” për Greqinë dhe Kamenos, por nuk e bëri. Nuk e bëri, sepse nuk e ka marrë seriozisht. Gjeneralët e NATO-s kanë qeshur dhe kaq. Ministri Kamenos krijon një rrezik imagjinar për të arritur një rezultat real. Thotë se ne “nuk i lëshojmë Shqipërisë asnjë milimetër tokë e det” për të krijuar idenë se debitorja për lëshimin e tyre është Shqipëria, jo Greqia. Kështu të na i lërë ne kopilin e lëshimeve tokësore e detare. Do të ishte me vend që homologia e tij shqiptare Kodheli t’ia flakte kopilin në derën greke, por me sa duket këto zonjat tona “politiko-strategjike, janë shumë delikate” për të përdorur të njëjtën monedhë këmbimi. Edhe në këtë rast politika jonë e ngushtë vazhdoi traditën 25 vjeçare të “inferioritetit strategjik”. S’ka faj e shkreta, i kanë ngarkuar një barrë që manikyri i saj nuk e mban dot. Megjithëse duket qartë që politika e homologut Kamenos nuk i shërben fqinjësisë me shtetin shqiptar, homologia shqiptare Kodheli, parapëlqen “fqinjen e nënshtruar” pa reflektime të integritetit moral dhe strategjik. Kemi 25 vjet që po mjerohemi me këto politika sigurie pa identitet dhe pa integritet, madje nuk e di nëse këto ekzistojnë.Sjelljet e ministrit grek nuk janë personale. Sjellje të tilla në politikën greke të majtë e të djathtë, qendrore e bishtore të forcave naziste e të lobeve ortodokse kishtare janë çuditërisht në të njëjtën linjë politike. Politika greke është thellësisht nacionaliste për të gjithë kahet politikë pa përjashtim, për të gjitha fushat e priftërinjve pa përjashtim, për të gjitha organizatat ekstremiste pa përjashtim. Në rastin kur një ministër si Kamenos del dhe deklaron vënien e ushtrisë në gatishmëri përgjatë kufirit shqiptaro-grek si mundet ta konsiderosh personale? Mobilizimi ushtarak që ai shpall nuk mundet kurrsesi të jetë çështje e vullnetit personal. Mobilizimi ushtarak në çdo vend të NATO-s mund t’a vendosë vetëm parlamenti dhe në këtë kuptim e vështrim prapa Kamenos është parlamenti grek. Kamenosi është megafoni publik i këtij parlamenti.

    Lutfi Hysenaj, nënkolonel: Është provokim, që të largojë vëmendjen nga kriza greke
    Përforcimi i pikave kufitare greke me ushtarë është një provokim dhe presion ndaj qeverisë shqiptare e cila nuk është prononcuar akoma ndaj ministrit grek të Mbrojtjes dhe qeverisë greke. Ministrit grek të Mbrojtjes ne i themi të mos e harrojë 2 gushtin e vitit 1949 se nuk është e kaluar shumë e largët. Aq më keq, sot kur ne të dy vendet jemi anëtare të NATO-s. Të flasësh në vitin 2015 me gjuhën e forcës është absurdi më i madh. E vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve midis dy shteteve tona fqinje janë bisedimet dhe dialogu. Gjuha nacionaliste e ministrit grek të Mbrojtjes nuk të shpie askund. Ne nuk kemi kërkuar ndonjëherë pjesë nga tokat greke. Ne nuk kemi kërkuar ndonjëherë hapësirë ujore detare, ata bënë marrëveshje djallëzore për ujërat detare, të cilën Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetuese. E vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve dhe mosmarrëveshjeve mes dy vendeve tona anëtare të NATO-s, është dialogu me njeri tjetrin. Natyrisht unë nuk mendoj se ky nacionalist grek të mendojë për milimetra tokë e det. Ky është qëndrimi politik i qeverisë greke. Mendojnë se duke i bërë presione një vendi fqinj si Shqipëria, ata kërkojnë të largojnë vëmendjen e popullit të vet nga kriza ekonomike që mbërthyer Greqinë.
    Dilaver Goxhaj, pedagog ushtarak: Mospërgënjeshtimi nga qeveria greke, na bën të dyshojmë për Kamenon
    Derisa nuk patëm reagim nga qeveria shqiptare pas deklaratës së ministrit të Mbrojtjes greke, por as lëvizje të ushtrisë greke përgjatë kufirit të përbashkët, përderisa nuk patëm asnjë reagim nga NATO dhe OKB, ku ne bëjmë pjesë, na bën të mendojmë se ai “kërcënim” nuk duhet të jetë bërë në emër të qeverisë greke. Por mos përgënjeshtrimi nga ana e qeverisë greke, na bën që të dyshojmë përsëri, se mund të jetë bërë në emër të qeverisë, po të kemi parasysh edhe deklaratën e para disa muajve të vetë Cipras për “mungesën” e të drejtave të popullsisë greke në Shqipëri. Mirëpo qeveritarët grekë duhet ta kenë të qartë se nuk jemi më në kohën e kalorësisë, koha e saj ka kaluar. Deklarata të tilla as që duhet të na shqetësojnë sot që Shqipëria i ka kufijtë të përcaktuar. Në vitet 1912 dhe 1920, kur andartët grekë vinin e vrisnin shqiptarë sa herë të donin, puna qe ndryshe, atëherë Shqipëria nuk kishte as qeveri e as kufij të caktuar ndërkombëtarisht, ndaj dhe grekët kishin fushë të hapur të hynin në territoret e detet tona e të vepronin me forca e të bënin deklarata si kjo e ministrit Kamenos. Sot kufijtë e Shqipërisë janë të sanksionuar e të njohur ndërkombëtarisht, qysh në Konferencën e Parisit, 1921. Por sot Shqipëria ka një garanci edhe më shumë, është antare e NATO-s si dhe një popull shumë herë më të emancipuar se para një shekulli e që është i aftë dhe i gatshëm të mbrojë çdo milimetër të ujërave e territoreve tona, pavarësisht se qeveritë tona të këtyre 25 viteve e kanë eleminuar krejtësisht ushtrinë dhe e kanë çarmatosur tërë popullin e krejt shtetin. Por edhe populli grek jam i sigurtë që nuk do luftë, por, edhe sikur ta manipulojnë politikanët e tipit Cipras, nuk mund të ngrihet në luftë, pasi shteti grek është ekonomikisht në zgrip. Cipras, njësoj si Venizellosi i para 100 viteve, për të bërë realitet diçka nga premtimet-imazh të tij për zhdukjen e së kaluarës të afërt greke, për përgatitjen e një të ardhme më të sigurtë, ai po ndërmerr udhëtime diplomatike dhe pritet mirë në Moskë, në Pekin, në Beograd etj., të cilët e këshillojnë të vijoi misionin e tij. Është specialiteti i tij të krijojë imazhe mirëqenieje dhe sigurie dhe të organizojë deklarata si ajo e Ministrit të tij të Mbrojtjes, Kamenos, për llogari të shteteve sllavo-ortodokse. Por, nëse kjo kryqëzatë e re e tij do të përfundoi keq, (dhe shenjat të tilla janë), jam i bindur se ka për të pasur përsëri një duzinë ministrash grekë për të pësuar fatin e kolegëve të atyre të Venizellosit, por ngaqë jemi në shekullin e XXI, nuk do pushkatohen por do dënohen me burgime të përjetshëm, ndërsa Cipras do të zbavitet jo në Londër, si dikur Venizellosi, por në Moskë.
    Sigal