Ushtarakët janë shpartalluar nga sëmundjet e karakterit moral

    482
    Sigal

    (Debat me kolegët e mi të Shoqatës së Ushtarakëve Laprakë)

    *Kolonel Pëllumb Zaimi
    Ushtarakët Mehmet Dume e Bardhyl Hazizaj, i janë drejtuar “Telegraf”, me një thirrje për bashkimin e ushtarakëve. Mirë kanë bërë. Në emër të një grupi ushtarakësh dua t’i falënderoj qysh në krye të herës për këtë shpirt luftarak që e kanë manifestuar shumë herë. Por na duhet t’ju themi se përpjekja e tyre dhe e kolegut tjetër të nderuar Hysni Mullalli (ky i fundit me një platformë më të plotë bashkimi) nuk ka gjasa të kurorëzohet me sukses. Nuk ka gjasa sepse thirrja dhe kërkesa bashkangjitur nuk tregojnë mënyrat dhe mjetet e operimit të plagës së mahisur nga qelbi, por mjaftohen ti vijnë asaj rrotull me frazeologji të tipit direktiv. Kjo nuk mjafton. Duhet marrë “thika e operacionit” në duar të çahet dhe të pastrohet e dezinfektohet vendi i qelbëzuar, kjo më duket e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga e keqja. Ata që pengojnë bashkimin duhen identifikuar me emër e mbiemër dhe t’u thuhet troç “shporruni nga shoqatat”. Shporruni se kini kaq e aq vjet që s’kini arritur asnjë rezultat përveç llomotitjeve pa bukë dhe shfrytëzimit të tyre për qëllime personale. Por a janë në gjendje ta bëjnë ushtarakët këtë gjë? Kam frikë se jo!?Kam frikë sepse infeksioni nuk është vetëm në kokën e shoqatave por është përhapur në masë të madhe në një shumicë të cilësuar të komunitetit ushtarak. A nuk e shihni sa ushtarakë të sëmurë ka? A nuk e shihni se radhët e tyre janë më të shpërbëra sesa ajo që krijohet në front pas goditjeve me Armë të dëmtimit në masë? Kush e ka krijuar këtë situatë epidemike? Mendoj se janë pafund arsyet por unë po mjaftohem t’ju numëroj disa.
    Së pari: Ushtarakët dolën nga kodi i tyre moral tradicional. Nuk i di arsyet pse ata u mësuan të bashkëjetojnë me tradhtinë. Nuk e keni vënë re sesi s’kërkojnë asnjëherë llogari pse krerët i gënjejnë, pse krerët zaptojnë për vite të tëra kryesitë dhe nuk kërkojnë pale të aplikojnë rotacionin, pse krerët nuk tërheqin mendimet e tyre para marrjes së vendimeve, pse krerët nuk aplikojnë thirrjen normale të forumeve dhe votimin më demokratik që është votimi i fshehtë? E të tjera.
    Së dyti: Ushtarakët janë vetëtradhtuar. Kanë shitur dinjitetin, forcën kryesore të karakterit që i ruan nga tradhtia. E kanë këmbyer me dominotë e lulishteve (hajdeni t’ju tregoj vendin, ku mblidhen nja 20-30 prej tyre që luajnë gjithë mbasditën) e kanë këmbyer me pasivitetin dhe se vrasin fare rradaken se shoqata është fortesa e mbrojtjes së dinjitetit të tyre, e kanë këmbyer me gotën e rakisë dhe me qofte brumi, e kanë këmbyer me çdo gjë që nuk ka të bëjë fare me etikën dhe me vlerat ushtarake. Janë kthyer në origjinë. Vetëm kërraba ju mungon. Ndonjëherë mendoj e them me vete “a kanë qenë ndonjëherë ushtarakë ky soj?” Jo, nuk kanë qenë. Ushtaraku është luftëtar nuk lejon ti përdhoset dinjiteti. E të tjera.
    Së treti: Ushtarakët, po ngjasojnë jo rrallë me një “shkollë të tradhtisë”. Në këtë shkollë të gjithë tradhtohen nga të gjithë. Gjeneralët rrinë më vete, ushtarakët më vete. Eprorët më vete, vartësit më vete. Komandantët e divizioneve e brigadave më vete, tqë reparteve më vete. Rrallë mund të identifikosh që atje ku është ushtaraku i një ish-divizioni të jenë dhe ushtarakët e kolegët e tjerë të tij. Çfarë i ndan? Qejfmbetjet e vjetra? Turp! Lërini pas këto mor të mjerë! Lërini dhe mos harroni se tani të tërë i keni interesat të njëjta! Po nuk i latë, atëherë me plot gojën ju drejtohem: “Mirë ja u bën Saliu dhe Ritvani. Bile më thellë t’ja u fusin se nuk e meritoni”. Meriton ai që bëhet pjesë e luftës për interesin e përbashkët. Meriton ai që nuk tradhton dhe nuk lejon të tradhtohet ky qëllim nga i cili përfitojnë të gjithë. Pa përjashtim. E të tjera.
    Së katërti: Ushtarakët tanë janë larg mentalitetit të ushtarakut europian. Shtiren sikur janë se s’janë hiç. Pse? Sepse ushtaraku europian që unë e kam studiuar mirë është i grumbulluar në shoqata, ndërsa tek ne s’është as gjysma. Ushtaraku europian paguan 100 për qind kuotizacionin si kusht që shoqata të funksionojë, ndërsa tek ne s’paguajnë as 10 për qind. Ushtaraku europian shkon në shoqatë sa herë e kërkojnë dhe lajmërojnë, ndërsa këtu tek ne jam dëshmitar i sa e sa rasteve kur ndryshe e ka gatishmërinë në telefon dhe ndryshe në realitet. Ushtaraku europian ju përgjigjet me disiplinë të lartë detyrave, ushtaraku shqiptar ta sjell në majë të hundës me indiferencën dhe moskokëçarjen e tij. Ushtaraku europian e konsideron njëlloj si shërbimin aktiv ushtarak shërbimin në shoqatë, ndërsa ushtaraku ynë e konsideron punë angari. Është i prirur ndaj interesit ngushtësisht personal. Nuk është qytetar që të luftojë për interesat qytetare siç janë bashkimi, reagimi në grup, nënshtrimi ndaj sjelljes si komunitet, sakrifica në emër të masës. Shkurt është kaposh fshati që krekoset vetëm brenda qymezit të tij. E kam trajtuar dhe herë tjetër përshtypjen e jashtëzakonshme që më ka lënë një ushtarak gjerman në çastin që e lajmëruan të shkonte në shoqatë. Ishte nisur në spital tek e shoqja e sëmurë, por lajmërimi nga shoqata e bëri të ndërrojë drejtim. Mbresëlënëse ishte sidomos porosia e bashkëshortes! “Shko atje ku janë shumë që kanë nevojë për ty. Mos hajde tek unë që jam një”. Çfarë përgjegjësie qytetare!!! E të tjera.
    Së pesti: Ushtarakët kanë lejuar të tallen me ta 22 vjet. Do të vazhdojnë të tallen akoma se e shohin që njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit. E shohin që s’janë në një mëndje. “ Po nuk u bëtë në një mëndje tha një ushtarak i lartë amerikan në misionin Kubik, i atashuar pranë Ministrisë sonë të Mbrojtjes ( për kofidencialitet nuk po e identifikoj me emër) mos prisni të arrini ndonjë gjë”. Dhe ju kolegë të dashur e shihni që ne s’bëhemi me një mëndje. Ne të tërë duam të shesim, jo të blejmë. Ne nuk mblidhemi të diskutojmë për idetë e organizimit sa më mirë të luftës sonë, por mjaftohemi duke pëshpëritur vesh më vesh se s’ha pyka Saliu. Rrallë artikulohen ide. Idetë e realizimit të kërkesave tona janë aq të pafundme sa s’ka qeveri që t’i neglizhojë. Por ne nuk diskutojmë për to. Ne pëshpëritim vesh më vesh. E kemi, madje, qejf këtë punë. Prandaj qeveritarët do të tallen akoma. Do të bëjnë ndonjë ligj e vendim vit për vit dhe do të na i hedhin ta hamë. Ne të tëra paçavuret ligjore i kemi ngrënë. E zhvendosim menjëherë luftën tek paçavurja e fundit, merremi me të dhe harrojmë gjithë legjislacionin fondamental të ushtarakëve, gjithë standardet e ushtrive europiane, gjithë aktet juridike që garanton siguria juridike. Si qeni që lë mishin dhe merret me leckën që i hedhin në fund!? S’ka asnjë veprim ligjor kundër qeveritarëve për shkeljen e të drejtave bazale të ushtarakëve. Vetëm mbrohemi dhe asnjëherë në sulm. Prandaj ne po vdesim dhe tallja vazhdon. Do të vazhdojë nëse vetëm lehim dhe nuk kafshojmë…E të tjera.
    Së gjashti: Mjaft ushtarakë janë bërë si ballistët. Kur ndeshesh me ta në rrugë të çajnë veshët duke të treguar historira me beteja të paluftuar, me përplasjet imagjinare me pushtetin, me trimërira të ëndërruara, me gjyqe të zhvilluara pa bërë asnjë kërkesë-padi. Me një fjalë me mullinjtë e erës. E verifikova një tip nga kjo specie dhe më rezultoi se qysh nga dalja në rezervë kishte qenë në Greqi si roje në një pulari. Por ama…tregonte dhe vazhdon të tregojë se ka qenë në të gjitha protestat e ushtarakëve në Shqipëri, se kishte qenë madje dhe në Gjykatën e Strasburgut, ku kishte fituar me ndihmën e kolegëve gjermanë. Ç’ne gjermanët e pyeta? Dhe me shpjegoi e më la pa mend kur më tha se Strasburgu ishte …..afër….Berlinit….në Gjermani!!? Hajde oficer hajde! Taman si ballistët, ky tip heronjtë dhe dëshmorët i nxirrte prej andej nga kishte ardhur vetë…nga pularia!? Ka të tjerë si ky tip. Bëjnë gjithnjë fajtorë shoqatat pa shkelur asnjëherë në shoqatë. Numërojnë gjithnjë betejat e të tjerëve për veten e tyre. Njohin gjithë krerët e shoqatave, ndërsa këta si kanë parë kurrë të venë atje. Kanë paguar çdo vit kuotizacionin, ndërsa asnjë vit s’kanë qenë në Shqipëri. Pyesin sa herë t’i takosh “ç’po bëni ju të shoqatave”? Por gënjejnë kur ju kërkon se ç’po bën ti. Heronj të rremë!? E të tjera.
    Nuk e di sesi kolegët Bardhyl e Mehmet kanë përcaktuar si kryetitull të thirrjes se tyre se, “tani është koha për bashkim…”gjë që unë s’e mendoj kështu. S’e mendoj sepse më duket se s’kanë gjetur parasëgjithash mjetet për dezinfektimin e terrenit ku do të operojnë. Është mbledhur shumë qelb në rrugën tonë. Le të thonë se s’është kështu. Do ti mirëpres. Por ama, vazhdoj ta ruaj mendimin se shpirti ushtarak është në koma. Duhet shumë oksigjen për ta mbajtur në jetë. S’jam pesimist, madje jam optimist i pakorrigjueshëm. Megjithatë kësaj radhe në këtë dialog me kolegët e mi rezervoj të drejtën që në fund të them se ushtarakët janë shpartalluar nga sëmundjet e karakterit moral. Sëmundjet më degraduese që mund të kapin një ushtarak. Dhe çudia e çudive është se epidemia më e madhe ka përfshirë ish-komisarët. Vetëm me një Mehmet, Gani Elez, Thoma Kromidhë, e ndonjë tjetër nuk mund të mbulohet e të ngrihet moralisht gjithë fronti. E të tjera.