Ushtarakët: Ja domosdoshmëria e përfshirjes në politikë dhe zgjedhja e problemeve tona

    365
    Sigal

    FORUM/Flasin për “Telegraf”, kryetarët e shoqatave të ushtarakëve të rretheve dhe Kryetari i Shoqatës së Xhenios, Aleksandër Mihali

    Prej disa kohësh kategoria e ushtarakëve ka qenë e drejtuar kah politikës, për arsye që deri diku janë bërë të ditura. Por me afrimin e fushatës zgjedhore bëhet edhe më emergjente nevoja për të mbështetur një krah politik që do të ofronte një zgjidhje për të drejtat e tyre që janë nëpërkëmbur për 22 vjet me radhë sipas ushtarakëve. Ushtarakët bëjnë të ditur se, është për të theksuar fakti që megjithëse, u bënë 22 vjet që në vendin tonë janë zhvilluar disa zgjedhje parlamentare apo vendore përsëri edhe këto që po afrojnë, marrin gjithnjë e më shumë një rëndësi e më të madhe. Dhe kjo vjen për vetë situatën që krijojnë partitë politike në besueshmërinë e zgjedhjeve dhe për garancinë që ato japin qytetarëve për zgjidhjen e shumë problemeve që ka vendi dhe shoqëria. Është e qartë që arritja e një fitoreje në zgjedhjet parlamentare dhe marrja e pushtetit kërkon jo vetëm një koalicion të gjerë me partitë politike, por duhet edhe mbështetja dhe garantimi i votës nga ajo quhet shoqëria civile. Në këtë kuadër një vend të rëndësishëm zënë edhe shoqatat e ndryshme që janë krijuar në vendin tonë dhe që mbrojnë interesat e grupeve të caktuara të shoqërisë. E tillë është edhe Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, një shoqatë që ka një numër të madh ushtarakësh në përbërjen e saj dhe që shtrihet në të gjitha rrethet e qarqet e vendit. Duke qenë se po afrojnë zgjedhjet politike, edhe ushtarakët nuk kanë qëndruar duarkryq, pasi po shohin alternativat më të mira dhe me realiste që u ofrohen. Ashtu siç e kanë bërë të ditur edhe më parë drejtues të shoqatës së ushtarakëve, programi i opozitës duket si më i plotë dhe më bindës për ushtarakët.

    Domosdoshmëria e kandidaturave

    Ushtarakët kanë bërë të ditur se nuk mund të jenë indiferentë në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit 2013. Ushtarakët mendojnë që të luajnë rolin e tyre zgjedhje. Ata mendojnë që duhet një rilindje për ushtarakët dhe në këtë kuadër, ato duan që të kenë edhe kandidatët e tyre në zgjedhje. Por aktualisht ende nuk është bërë zyrtar vendimi për shpalljen e ndonjë kandidature. Në ditët në vijim pritet që të ketë zhvillime në këtë drejtim. Një problem kryesor për ushtarakët mbetet zbatimi i Aktit Normativ, i cili ka penalizuar shumë ushtarakë, në tërë Shqipërinë. Ajo që kërkojnë ushtarakët në këto zgjedhje të reja është që të përfitojmë në zgjidhjen e disa problemeve që i shqetësojnë, që kanë lidhje me trajtimin ekonomiko-financiar të këtij grupi interesi. Ushtarakët e rretheve e shohin si një nevojë imediate pasjen e një përfaqësuesi në Parlament, për arsye se u janë bërë shumë padrejtësi.  Dhe me pasjen e një përfaqësuesi në Parlament ato mendojnë se do të ndihen më të mbrojtur dhe se do të kenë edhe më shumë mundësi për zgjidhjen e problemeve të tyre. Po ashtu edhe Akti Normativ mbetet një pikë kyçe që nuk është zgjedhur dhe që mbetet mjaft shqetësues për këtë kategori ushtarakësh. Në lidhje me përfshirjen në politikë dhe në zgjedhjet parlamentare dhe me zgjidhjen e problemit të Aktit Normativ, kanë folur për “Telegraf”, sipas ushtarakëve të rretheve zbatimi i këtij akti u ka sjellë shumë probleme, pasi ai është në dëm të ushtarakëve. Në lidhje me këto problematika kanë folur për “Telegraf”, kryetarët e shoqatave të ushtarakëve të Pogradecit, të Elbasanit dhe Kryetari i Shoqatës së Xhenios Aleksandër Mihali.

     Aleksandër Mihali, Kryetari i Shoqatës së Xhenios 

    Sot 12000 ushtarakë  marrin pension nën pensionin minimal në shkallë vendi, sikur kanë  kryer punët më të rëndomta në shtetin e shqiptarëve dhe jo sikur kanë shërbyer në Forcat e Armatosura për 20-35 vjet. Si rezultat i kësaj politike diskriminuese ata, marrin sot, në vitin 2013, 11400 lekë pension  nga 18300 lekë që  kanë marrë deri në tetor të vitit 2011. Për 22 vite të tëra, i kemi drejtuar ankesa gjithë institucioneve shtetërore shqiptare që janë përgjegjëse për  të drejtat e ushtarakëve. Ata,  akoma dhe sot nuk i kanë dhënë  të drejtat  ushtarakëve,  sidomos atyre, në pension të parakohshëm dhe të plotë. Të cilëve nga viti në vit në vend që t’ju përmirësohen kushtet e jetesës  social-ekonomik dhe financiar, siç u janë përmirësuar gjithë kategorive të tjera të qytetarëve që trajtohen nga Buxheti i Shtetit, u janë përkeqësuar shumë rëndë këto kushte. Mjaft domethënës është edhe fakti i miratimit, vetëm me votat e maxhorancës i Aktit Normativ Nr-5 dt. 11/10/2010, i cili  uli 50% Pensionet e ushtarakëve.  Shkelja e të drejtave të ushtarakëve të sanksionuara në Statusin e Ushtarakut janë  edhe në drejtim të: Trajtimit shëndetësor falas për ushtarakët dhe familjet e tyre, që  asnjëherë në 8 vitet e kësaj maxhorance nuk ka gjetur zbatim, sot ai është hequr po me një ligj të miratuar me shumicë të thjeshtë. Një fakt të tillë e tregon edhe transformimi i Spitalit ushtarak të dikurshëm që sot vetëm emrin ka, pasi ai nuk ju shërben më ushtarakëve, por çdo lloj qytetari që nuk ka asnjë lidhje me FA-në

     Perikli Dhima, Kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve për Pogradecin 

    Akti Normativ është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai është antiligjor, kur ka një vendim të gjykatës. Por një pjesë e ushtarakeve u janë future rrugëve gjyqësore, një pjesë po i fitojnë gjyqet ndërsa një pjesë nuk po i fitojnë. Por nuk është e drejtë nxjerrja e një Akti Normativ në momentin që ka një status. Për këtë një pjesë e ushtarakëve janë detyruar që t’i kthejnë mbrapsht se gjasme i kanë marrë më tepër nga pensioni i parakohshëm. Padrejtësitë më të mëdha na janë bërë për pensionin. Por shpresojmë që me zgjedhjet e reja që do të bëhen do të marrin zgjidhje edhe problemet e ushtarakëve një herë e mirë. ne e kemi kërkuar që të kemi përfaqësuesin tonë në Parlament, por jemi në pritje të zhvillimeve. Një problem tepër madhor mbetet pensioni suplementar, i cili ka diferenca të mëdha. Po ashtu ka edhe shumë sorollatje nëpër zyra për plotësimin e dokumenteve. Nuk të thonë se çfarë dokumentesh duhen. Duhet të shkosh disa herë për të mbyllur dokumentet.

     Fatmir Sinani, Kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve për Elbasanin

    Ushtarakët kanë probleme të shumta. Por shpresojmë që me programin e ri që ofron opozita të marrin zgjidhje disa prej tyre. Ne po ashtu duam që të kemi edhe kandidatin tonë zotin Mehdi Pogaçi në këto zgjidhje. Por jemi në pritje të informacioneve më të fundit në lidhje me këtë. Por Akti Normativ mbetet një problem i pazgjidhur për ushtarakët. Qeveria dhe dikasteret përkatëse nuk zbatojnë as ligjet dhe as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që flitet e reklamohet shteti ligjor, shteti i të drejtës, ku ligji duhet të qëndrojë mbi gjithçka. Në mjaft qarqe ushtarakët i gënjejnë, duke u thënë se, rillogaritja bëhet vetëm në Tiranë, gjë e cila nuk është e vërtetë. Kuptohet që dokumentet përkatëse merren nga dikasteret përkatëse, por rillogaritja përfundimtare bëhet në Drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore.