Urgjencat e QSUT si pazaret e gjësë së gjallë

    418
    Gjendja në urgjencat e Spitalit Universitar të Tiranës “Nënë Tereza” të ngjan me një kaos të vërtetë dhe lë shumë për të dëshiruar. Në një vëzhgim të realizuar nga gazeta “Telegraf”, të bien në sy disa nga problemet dhe mangësitë në mjediset e QSUT-së. Sallat e urgjencave të përngjajnë me një rrëmujë të vërtetë, ku rol kryesor në krijimin e kësaj gjendje luan mungesa e shtretërve dhe si pasojë pacientët janë të detyruar të qëndrojnë në sallën pritëse të familjarëve, çka krijon një kaos të madh, ku nuk merret vesh se kush është pacienti, kush është familjari, mjeku apo infermieri. Ndërkohë një element tjetër në krijimin e kësaj gjendje është se shumica e qytetarëve nuk drejtohen tek mjeku i familjes, por dynden menjëherë në urgjencat spitalore. 

    E në të tilla raste mjekët detyrohen t’u kryejnë vizitat e nevojshme, pavarësisht mungesës së rekomandimit nga mjeku i familjes. Nga ana tjetër pacientët të shqetësuar thonë që nuk u ofrohen shërbimet më minimale dhe si pasojë e mungesës së shumicës së medikamenteve, ata janë të detyruar të dalin vetë dhe të blejnë ilaçet, të cilat u kërkojnë doktorët në farmacitë që ata kanë ndikim. Familjarët e pacientëve kanë një pyetje për t’i drejtuar Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, përmes gazetës “Telegraf”: “Ku është shëndetësia falas që premtuat në zgjedhjet e 23 qershorit, pasi ne jemi të detyruar të boshatisim xhepat tanë, sapo të hedhim hapin e parë në QSUT?”. Ndërkohë një nga familjarët e një pacienti, i cili gjendej aty në oborrin e urgjencës së QSUT-së, shprehet kështu: “Dihet që këtu është një tmerr i vërtetë, mos të raftë të shkosh në spital, se po nuk u mbushe xhepat infermiereve me 200 lekëshe nuk kujdesen dhe as që duan t’ia dinë për pacientët, ndërsa mjekët e kanë koston më të lartë, por në këtë rast je i detyruar të zbrazësh xhepat, ose në të kundërt nuk i’a hedhin sytë të sëmurit”. Mungesa e korrektësisë dhe papërgjegjshmëria e personelit të informacionit është një tjetër shqetësim ndër të shumtët që kanë pacientët dhe familjarët për shërbimet në QSUT. 

    Sipas tyre në shumicën e rastit specialistët e informacionit nuk e kryejnë detyrën e tyre ndaj të interesuarve. Ata thonë se të vetmit që u japin informacion rreth paqartësive të shumta të hallexhinjve janë rojet të cilët qëndrojnë tek dera dhe me gjithë se gjinden aty për të ofruar një shërbim tjetër, atyre nuk u kushton gjë që të ndihmojnë sadopak hallexhinjtë, qoftë me një informacion të vogël. Ndërkohë një faktor tjetër që të bie në sy në korridoret e urgjencave, ku kryesisht paraqiten pacientët të cilët janë me sëmundje shumë të rënda, është edhe endja e disa personave të veshur me bluza të bardha dhe me një karrocë, ku përpiqen të të ofrojnë shërbim kundrejt parave, për të dërguar pacientët në ambientet e tjera ku bëhen vizitat dhe grafitë. Duket se ata kanë gjetur një mundësi vetëpunësimi, meqë shërbimi i QSUT-së nuk e ofron një gjë të tillë. 

    Në fakt në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” konstaton shumë mangësi dhe probleme dhe me panoramën shqetësuese përballesh që në hyrje, ku makinat nuk mund të kalojnë për të dërguar pacientin në urgjencë edhe në rastet më ekstreme, pa paguar 1000 lekë të vjetra. Familjarët dhe taksistët që dërgojnë të sëmurët thonë, se nuk u lejohet të kalojnë pa paguar këtë taksë, edhe pse ato nuk e kanë ndërmend të qëndrojnë në oborrin e qëndresë spitalore. Vërtet Ministria e Shëndetësisë mori masa për heqjen e kioskave dhe lokaleve në oborr, ama e ka kthyer këtë të fundit në një parking privat, ku vetëm mjekët janë të pajisur me një kartë dhe nuk paguajnë për të parkuar në “parkingun privat të QSUT-ës”. Ndërkohë personeli i infermierëve dhe personave të tjerë që kryejnë funksione të tjera në spital, janë të “diskriminuar” duke u përjashtuar nga parkimi falas. Nga ky vëzhgimi i realizuar faktet flasin qartë që shëndetësia po vuan ditët e saj më të këqija. Ndërkohë deklaratat dhe analizat të cilat i pasqyron në media Ministri Beqja, nuk janë asgjë më shumë veç se falsitete të tepruara. Kështu që për Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, pacientët kanë vetëm një kërkesë: ”Sa më pak fjalë dhe sa më shumë punë”.
    Sigal