Urgjenca e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” ka “falimentuar”, s’ka ilaçe, qytetarët drejt privatit

    414
    Sigal

     Vëzhgim/Qytetarët: Mjekët na dërgojnë për të blerë ilaçe në farmacitë që kanë lidhje

    Realiteti i spitaleve shtetërore sot në Shqipëri është i hidhur dhe gati i paperceptueshëm nga njerëzit. E themi i hidhur, pasi janë shumë faktorë që e bëjnë të tillë këtë realitet. Në spitale sot nuk ka ilaçe, nuk ka higjenë, nuk të pyet njeri nga mjekët nëse je i siguruar apo je i pasiguruar kur shkon për vizitë. Akoma më i hidhur bëhet realiteti kur qytetarëve u duhet të paguajnë për shërbimin që marrin, kur u duhet të blejnë ilaçet në farmacitë që udhëzohen nga mjekët. E në këtë realitet duket se edhe pastërtia e bluzave të bardha e ka humbur imazhin e saj të dikurshëm. Ky realitet nxihet më shumë kur qytetarët hallexhinj u drejtohen dyerve të spitaleve dhe nuk u jepet shërbimi që kërkojnë, sepse nuk ka ilaçe as në urgjencë. E teksa bën një vëzhgim në qendrën spitalore më të madhe në vend “Nënë Tereza” sheh se asgjë nuk i plotëson kushtet dhe standardet evropiane të cilat po dëgjohen çdo ditë nga politikanët tanë. Është sa tragjike dhe e papranueshme situata për pacientët. Por ato zgjedhin heshtjen dhe shfryrjen përballë këtij realiteti që nuk kanë forcën që ta ndryshojnë fatin dhe ambientin nga i cili rrethohen. Kjo është tabloja e zymtë që ofrojnë shumë prej reparteve në qendrën më të madhe spitalore në Shqipëri në ditët e sotme. Edhe më këtë situatë që paraqitet s’ishte aspak e tepërt kur mediat spanjolle pak muaj më parë janë tmerruar me realitetin që paraqitej në spitalet shqiptare. Dhe me të drejtë ato në një  reportazh të publikuar nga “20 minutos” thane se: “spitalet në Shqipëri janë si në Luftën e Dytë Botërore, pasi nuk ka ilaçe dhe se më shumë mund të  infektohesh në spitale, sesa të shërohesh. Pa folur pastaj për nivelin e korrupsionit që siç thonë edhe qytetarët është në nivele alarmante”.

    Urgjenca nuk ka ilaçe, qytetarët lihen në dorë të privatit

    Personat që për arsye shëndetësore janë gjendur në dyert e këtij spitali shprehen të pakënaqur me kushtet që ofron ky spital. Qoftë pacientët e sëmurë apo qoftë edhe të afërmit e tyre që qëndrojnë pranë tyre, ankohen për mungesën e kushteve. Kjo gjë duket fare mirë edhe në reagimet e tyre. Në qendrën spitalore “Nënë Tereza” mund të gjesh gjithçka, përveç pastërtisë, ilaçeve dhe shërbimit të kërkuar. Nëse ke një problem shëndetësor të papritur, gjëja e parë që do bësh është t’i drejtohesh  Urgjencës së spitalit. Por as këtu nuk gjen shpëtim për problemin që ka, pasi nuk ka ilaçe dhe ndihma e parë nuk i ofrohet në kohë. Një rast i tillë ka ndodhur me një qytetar në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. A. M është i afërmi i një pacienti që para pak ditësh kishte pësuar një para infarkt dhe nuk mundi të marrë ndihmën e parë në Urgjencën e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”. “Erdha para një jave në  mbrëmje me kushëririn tim të parë në urgjencë, se pësoi një para infarkt dhe nuk na dhanë dot ndihmën e parë. Sapo arritëm këtu erdhëm direkt në Urgjencë dhe kërkuam ndihmë mjekësore, na thanë që s’kanë ilaçe dhe i blemë vetë në farmaci. Por as pasi morëm ilaçet nuk i dhanë dot ndihmë, pasi na thanë që s’e ndihmojmë dot se është rëndë. Pastaj u drejtuam në një nga spitalet private dhe falë zotit shpëtoi kushëriri” shprehet A.M. Si ky rast ka edhe raste të tjera të pafundme që qytetarët nuk gjejnë dot zgjidhje ne spitalet shtetërore në ditët e sotme, pasi janë të “falimentuar”, nuk kanë as ilaçe, nuk bëjnë dot as analiza, nuk të ofrojnë shërbim pa e paguar nën dorë. E pavarësisht se qytetarët paguajnë siguracione, ato përsëri nuk e dinë se ku shkojnë paratë që paguajnë, pasi situata në spitale mbetet katastrofike. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se me një përllogaritje të thjeshtë del që qytetarët shqiptarë paguajnë 120 milion euro në vit siguracione, por s’dihet se ku shkojnë. Qytetarët marrin vetëm premtime për reforma dhe përmirësimin e situatës, por realiteti mbetet përsëri ky që është.