“Urdhri i Psikologut”, Klosi: Psikolog, vetëm ata që janë të kualifikuar

    639
    Shumë shpejt profesioni i psikologut në vendin tonë do të jetë i rregulluar me ligj të veçantë dhe atë nuk do mund ta ushtrojnë dot më persona që nuk janë të kualifikuar dhe standardizuar sipas kërkesave bashkëkohore. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka gati draftin e këtij ligji, të cilin para se ta çojë për miratim në institucionet vendimmarrëse, ka vendosur ta debatojë me grupet e interesit, siç janë pedagogët, studiuesit dhe studentët e Psikologjisë. Për këtë qëllim është zhvilluar sot debati me studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë, ku i pranishëm ishte edhe ministri Blendi Klosi.
    Në fjalën e tij, ministri Klosi theksoi se ky projektligj vjen në kuadër edhe të reformës në Shërbimet Sociale të ndërmarrë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe synon që figura profesionale e psikologut të ofrojë shërbime sociale të integruara jo vetëm në sistemin e mirëqenies sociale, por edhe në fushat e drejtësisë, shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes etj., si në nivel qendror ashtu dhe në atë vendor. “Zbatueshmëria e këtij ligji do të sjellë ndryshime thelbësore lidhur me psikologët profesionistë që do të punojnë në sistemin gjyqësor, shëndetësor e arsimor, të cilët ndikojnë në parandalimin e problemeve sociale, si dhe psikologët profesionistë që do të punojnë drejtpërdrejt me qytetarët për të garantuar cilësi dhe standarde të larta”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.
    Ai shtoi se kjo nismë ligjore do të bëjë të mundur rregullimin e profesionit të psikologut, duke shmangur mbivendosjen nga profesione, ruajtjen e standardeve të larta në ushtrimin e tij, rritjen e cilësisë së shërbimit për përfituesit, si dhe krijimin e Urdhrit të Psikologut. “Ky ligj garanton shmangien e personave të pakualifikuar nga ushtrimi i profesionit të psikologut. Ai parashikon ngritjen e një urdhri të psikologut, në mënyrë që kushdo që ofron këtë profesion të jetë i regjistruar, i kualifikuar dhe i standardizuar. Personat e pakualifikuar dhe ata që janë të mangët në përgatitje e që vijnë nga profesione që nuk kanë lidhje me psikologun dhe nuk kanë asnjë nga masterat apo doktoraturat në këtë fushë, nuk mund të jenë pjesë e Urdhrit të Psikologut. Psikologë nuk mund të jenë njerëz që ofrojnë shërbime aty ku s’duhet dhe të shtrembra”, – u shpreh ministri Klosi.
    Ministri theksoi se ky projektligj do të ishte i mangët nëse do miratohej pa marrë më parë vlerësimin dhe të gjitha sugjerimet e atyre që nesër do jenë objekt i tij, atyre që sot janë studentë dhe që nesër do jenë psikologë. Ndërsa duke u ndalur te risitë e këtij drafti, ai ka theksuar se nëpërmjet Urdhrit të Psikologut, do bëhet e mundur shmangia nga dhënia e shërbimeve të kësaj fushe e të gjithë atyre personave që nuk janë të arsimuar dhe të kualifikuar siç duhet për të ofruar këtë shërbim. “Nuk është turp për të thënë se nga testimet që ne kemi zhvilluar me të gjitha institucionet tona të ofrimit të shërbimit social gjen mangësi të mëdha në kualifikimin e punonjësve socialë. Janë këto mangësi që prodhojnë pastaj ngjarje me të cilat opinion publik njihet”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij, ndërsa ftoi studentët dhe pedagogët që të japin vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për këtë draft.
    Ndërkohë që Drejtoresha e Përkujdesit Shoqëror dhe Shërbimeve të Integruara në MMSR, Denada Seferi, teksa ka prezantuar në detaje projektligjin, ka evidentuar se Urdhri i Psikologut që do të ngrihet do të jetë një ent publik, me struktura të përcaktuara drejtuese dhe me shtrirje në të gjithë vendin dhe pjesë e tij do të jenë të gjithë psikologët e certifikuar dhe të licencuar.
    Sigal