Urdhri i Mjekëve, prononcohet 3 vjet me vonesë

    386
    Sigal

    Abazi: Ja si do gjykohen mjekët e 21 janarit, sipas procedurave

    Kreu i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazaj ka sqaruar në një konferencë për mediat mënyrën se, si do të procedohet me dy mjekët e Spitalit Ushtarak për të cilët ministri i Drejtësisë, Ilir Beqja ka kërkuar heqje të licencës. “Siç është bërë publike tashmë, në Urdhrin e Mjekëve ka mbërritur një ankesë në ngarkim të mjekëve të Qendrës Kombëtare të Traumës, pranë Spitalit Ushtarak, Dr.Sami Koçeku dhe Dr.Alfred Gega, dërguar nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Ankesa ka si objekt një prononcim publik të këtyre dy mjekëve, bërë përpara medias ditën e 21 janarit 2011, kur në protestat e organizuara nga Partia Socialiste përpara Kryeministrisë humbën jetën 4 qytetarë të qëlluar me armë zjarri”, tha kreu i Urdhrit të Mjekut.

     Prononcimi i Abazaj, 3 vjet me vonesë

     Z. Abazaj ka shprehur shqetësimin se prononcimi i parakohshëm i Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me këtë problem, duke bërë publike ankesën ka shkelur etapat. Pasi, sipas tij, më parë duhet të kishin njoftuar mjekët dhe mjekët, duhet ta merrnin njoftimin nga ne, jo nga mediat. Por, Urdhri i Mjekëve edhe pse kanë kaluar 3 vjet nga ngjarja nuk ka marrë asnjë masë ndaj mjekëve, apo hetim paraprak. Kështu që, nëse prononcimi i ministrit Beqaj është i parakohshëm, shqetësimi i Abazaj për këtë problem është 3 vjet me vonesë. Abazaj pranon publikisht se, “nuk i ka rënë në sy ky veprim i mjekëve” dhe se, nëse Ministria e Shëndetësisë nuk do t’i rikthehej kësaj çështjeje, ata do të flinin të qetë, në të kundërt,  “në qoftë se ne do të na kishte rënë në sy ky veprim i mjekëve, ju siguroj se do ta kishim ndërmarrë një veprim të tillë”.

    Por, përsa i përket ngjarjeve të 21 janarit edhe Këshilli i Europës ka pretendimet e veta. Kështu në raportin e Komisionerit Nils Muižnieks për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Europës  thuhet se, nuk është ndërmarrë asnjë masë për shkeljet në ngjarjet e 21 janarit 2011. Ai kërkon që të hetohen këto shkelje në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme, dhe që ata që i kanë kryer këto shkelje të përballen me drejtësinë. Në këtë kontekst, ai thekson nevojën për të luftuar me force pandëshkueshmërinë dhe për të vendosur sanksione frenuese ndaj autorëve të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

     Deklarata e Dine Abazaj, kreu i Urdhrit të Mjekut

     “Sipas Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, çdo veprim e përshkrim mjekësor i kryer në tejkalim të kompetencave mjekësore të fushës së specialitetit që ushtron, është i palejueshëm për mjekun dhe përbën objekt të gjykimit disiplinor profesional dhe ndëshkohet. Për aq më tepër, kur një prononcim i tillë ka ndodhur në një situatë siç ishte atëherë e trazuar, dhe në qoftë se vërtetohet tamam që ata janë prononcuar në atë mënyrë, sigurisht përbën një impakt shumë të rëndë negativ, duke çorientuar opinion publik në atë periudhë të rëndë të  trazuar. Theksojmë se në Urdhrin e Mjekëve pranohen dhe shqyrtohen ankesa të mbërritura nga mjekë, familjarë, nga publiku, nga institucione të tjera publike apo private qofshin gjykata, prokurori, polici etj.”,- tha Abazaj. Sipas tij, kushdo ka të drejtë të dërgojë ankesat e tyre dhe Urdhri i Mjekut është i detyruar t’i analizojë, t’i konsiderojë dhe t’i shqyrtojë këto ankesa. Ankesa e mbërritur nga ministri i Shëndetësisë është e ligjshme, është normale, e theksoj këtë, sepse pashë në interesimin e madh sikur ndodhemi përpara një buje të madhe se ka ardhur një ankesë. Për rastin konkret, ne sigurojmë me përgjegjësi të plotë ministrin e Shëndetësisë, mjekët, publikun në tërësi, që kjo ankesë do të vlerësohet maksimalisht dhe do të shqyrtohet me profesionalizëm, me përgjegjësi, me objektivitet, paanësi, mbështetur në zbatim të gjitha akteve normative që ka Urdhri i Mjekëve, duke gjykuar në Komisionin Disiplinor Profesional.

     Çfarë rrezikojnë mjekët?

    Këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë risk. Ne nuk marrim parasysh asnjë lloj urdhri për të marrë masa. Ne nisemi nga faktet dhe provat e paraqitura, nëse këto vërtetojnë akuzën e bërë ndaj mjekëve, sigurisht, ata do të ndëshkohen dhe ndëshkimi do jetë ashtu siç do ta gjykojë Komisioni Disiplinor Profesional pranë Këshillit Rajonal të Urdhrit të Mjekut Tiranë. Ai komision në mënyrë të pavarur do të gjykojë si çdo rast tjetër me përgjegjësi, me objektivitet të madh, do t’i shqyrtojë të gjitha provat dhe faktet nëse këta mjekë e kanë kryer dhe rezulton që kanë kryer një veprim të tillë, sigurisht që, nuk mund t’i shmangen ndëshkimit. Ritheksoj që ne nuk marrim urdhra se si ndëshkohen. Komisioni i Gjykimit Disiplinor Profesional është absolutisht i pavarur se urdhëroj as unë, as ai që e ka në këshillin e tij rajonal, por janë ata mjekë që gjykojnë mjekët dhe do të vendosin në varësi të provave dhe të fakteve.

     Çfarë parashikon rregullorja për këtë rast

     Rregullorja jonë parashikon masa graduale nga këshillimi, paralajmërimi, gjoba, deri te heqja e të drejtës së ushtrimit të profesionit për një periudhë 3-vjeçare, që është maksimumi i masës. Se si do të vendoset në rastin konkret, këto masa janë në varësi të asaj që do të konstatojë komisioni që do gjykojë dhe do të mbështet në prova dhe fakte, në qoftë se këto vërtetojnë fajësinë e mjekut, atëherë komisioni do ta gjykojë rëndësinë e saj dhe do të vendosë një nga këto masa që përmend ligji dhe rregullorja jonë e gjykimit disiplinor profesional referuar Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore.