Urdhri i Infermierit: Procedurat e reja për dhënien e Provimit të Shtetit

    658
    Sigal

    Pjesë e provimit  janë edhe personat që kanë mbaruar studimet në vitin 2010, 2011

    Urdhri i Infermierit të Shqipërisë në një njoftim për shtyp ka sqaruar detajet e kryerjes së praktikës profesionale, për të gjithë kandidatët e interesuar për të hyrë në Provimin e Shtetit, në zbatim të ligjit “Për Profesionet e Rregulluara”. Urdhri i Infermierit të Shqipërisë njofton se të gjithë studentët, të cilët diplomohen në vitin 2012, në degët infermier, mami, fizioterapi, teknik laboratori, teknik imazherie dhe logopedist, se ka ndryshuar procedura e licencimit. Pas pajisjes me diplomë, të gjithë kandidatët do të paraqiten pranë zyrave të UISH-së, në rrethet përkatëse për t’u informuar në lidhje me dokumentacionin e nevojshëm për të aplikuar mbi Lejen e Ushtrimit të Praktikës.

     Pjesë e kësaj mënyre regjistrimi do të bëhen edhe të gjithë personat të cilët kanë mbaruar studimet në vitin 2010, 2011, për infermier, mami, fizioterapi, por që ende nuk janë regjistruar në UISH. Ndërsa studentët të cilët janë diplomuar pas datës 13.09.2011, për teknik laboratori, teknik imazherie dhe logopedist, bëhen pjesë e kësaj procedure dhe nëse janë diplomuar para kësaj date, ata do të marrin Lejen e Ushtrimit të Profesionit, pa kaluar në këto procedura. Pikët maksimale janë deri 100 pikë. Që kandidati të vlerësohet “Kalueshëm” dhe të regjistrohet pranë Provimit të Shtetit, ai duhet që të marrë të paktën 50 pikë. Nga të cilat, një pjesë i ka përmes vlerësimit në librezë, deri në 25, kurse pjesën tjetër duhet ta fitojë nga përgjigjet e pyetjeve që do të japë gjatë këtij testimi.

    Pas dorëzimit të dosjes, kandidatët do të marrin dokumentet e mëposhtme:

    – Librezën e Praktikës Profesionale, e cila përmban në pjesën e saj informacionin e përgjithshëm si dhe temat në lidhje me provimin e praktikës profesionale.

    – Leja e Ushtrimit të Praktikës Profesionale, e cila është një dokument që shërben për të kryer praktikën profesionale.

    – Karta e Identitetit Profesional, i cili është një dokument identifikimi profesional, që mbahet varur në përparëse gjatë ushtrimit të praktikës profesionale.

    Dokumentet që duhen dorëzuar: 

    – Diplomë dhe listë notash të noterizuar.

    – Fotokopje të një dokumenti identifikimi (kartë identiteti dhe pasaportë).

    – Pesë fotografi.

    -Një CV

    – Vërtetimin e drejtuesit të praktikës profesionale, ku të fillojë praktikën.

    – Praktika profesionale mund të bëhet vetëm në një nga institucionet e përcaktuara.

    – Kryerjen e pagesës prej 3 mijë lekësh.