Universiteti i Mjekësisë, auditimi për diplomat false, konkurset fiktive dhe punësimet nepotike

    351
    Sigal

    Diskretitimi që iu bë arsimit të lartë, specifikisht me krijimin e Universitetit të Mjekësisë nga qeveria “Berisha”, ku qëllimi nuk ishte reformimi i arsimit të lartë, por krijimi i një universiteti për qëllime elektorale dhe punësime nepotike, vijon edhe sot nën qeverisjen e të majtëve. Edhe pse iku një drejtuese, militante e së djathtës, emërimi në vend të saj i një drejtuesi, militant i së majtës, nuk zgjidhi asgjë, pasi pothuaj e gjithë administrata, e punësuar me vendime qeverie, në shkelje të plotë me Ligjin “Për arsimin e lartë” ngeli e paprekur. Edhe pse vetë Kryeministri Edi Rama e ka komentuar Universitetin e Mjekësisë si “një sajesë elektorale”, ende dhe sot UM qëndron aty duke gjeneruar konflikte, skandale, afera korruptive, si pasojë e strukturimit të saj në mënyrë antiligjore. Bordi i Akreditimit dhe Vlerësimit pranë MAS, në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë, duhet të kryejë një inspektim të menjëhershëm, për t’u siguruar nëse ky universitetet kryen veprimtarinë në pajtim me Ligjin për Arsimin e Lartë, me politikat e tjera qeveritare dhe rregulloret në fushën e menaxhimit institucional dhe sistemet e sigurimit të cilësisë. Ky hap duhet ndërmarrë nga vetë titullarja e ministrisë së arsimit znj. Lindita Nikolla, ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqja, Prokuroria, Krimi Ekonomik, KLSH dhe të gjitha institucionet e tjera, përgjegjëse në garantimin e zbatimit të ligjit. Ndërkohë, nga burime të sigurta të gazetës “Telegraf” bëhet e ditur se Universiteti i Mjekësisë shumë shpejt do të auditohet për:

    Emërimet dhe konkurset fiktive

    Emërimet në administratën e Universitetit të Mjekësisë (personeli në sektorin juridik, burimet njerëzore, financë etj), pas konkurseve fiktive të bëra në muajin gusht (kur dihet që shteti në këtë periudhë është i “paralizuar”). Sipas burimeve, thuhet se në 5 gusht 2013 u zhvilluan 11 konkurse, ndërsa në 27 gusht u zhvilluan 5 të tilla, ku kandidatët (të komanduarit e drejtueses së UM-së), në mungesën e një gare të vërtetë, ku marrin pjesë edhe konkurrentë të tjerë, u zgjodhën si fitues nga i njëjti komision (të njëjtët anëtarë) dhe morën emërimin në të njëtën ditë. Gjithashtu bëhet e ditur, nga po të njëjtat burime, që funksionarë në një pozicion të rëndësishëm në UM janë emëruar në kundërshtim me Ligjin për arsimin e lartë, duke gjeneruar edhe vendime ilegjitime të tyre.

    Rekrutimet me VKM

    Me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave me nr. 410 të datës 18 prill 2013, është shmangur punësimi me konkurs dhe ku qeveria “Berisha” nëpërmjet këtij vendimi ka kaluar personelin e Qendrës Spitalore Universitare në pjesë akademike të Universitetit të Mjekësisë Tiranë. Në këtë rast, qeveria e ikur ka përcaktuar dhe kriteret për të punësuar një pedagog, gjë që, sipas burimeve, është përdorur mjaft mirë nga drejtuesja e ikur tashmë e UM-së, duke punësuar në këtë mënyrë 40 pedagogë (që ende nuk kanë filluar punë, por që mund të fillojnë nga momenti në moment). Personat u rekrutuan për në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa dihen mungesat në 3 fakultetet e tjera.

    Diploma false

    Burime të sigurta bëjnë të ditur se gjatë periudhës korrik-gusht 2013 janë lëshuar dhjetëra diploma doktoraturash dhe për studentë, para se të regjistrohen në MAS, që do të thotë se janë pa argumentimin ligjor përkatës, ose thënë ndryshe me referencë ligjore të vendimeve të periudhave kohore të mëparshme (të shfuqizuara). Duhet theksuar, se vetëm në prill të 2014-s MAS deklaroi se brenda muajit do të miratohet formati i diplomës së bashku me listat përkatëse të studentëve, ndërsa akuzoi UM, pasi kërkesa për regjistrimin e formës së diplomës pranë Ministrisë së Arsimit është bërë më datë 8 janar 2014.

    Përballja me drejtësinë

    Drejtuesit e Universiteti të Mjekësisë, pasi auditimi në UM të vërtetojë shkeljet ligjore dhe të gjitha parregullsitë e bëra, duhet të përballen me përgjegjësitë e veta, pasi edhe sot e kësaj dite këto veprime antiligjore gjenerojnë probleme të shumta.