Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë simbol i nepotizmit në arsimin e lartë shtetëror

    954
    Sigal

     Situatë alarmante. Zinxhiri nepotik, me ngyra politike të përziera  ka përfshirë rektoratin e gjithë fakultetet

    Pak ditë më parë, Kryeministri i vendit tha se: “Duke folur ndershmërisht dhe sinqerisht, arsimi i lartë është në gjendje emergjence kombëtare…”. Duke  shprehur kështu njëkohësisht nevojën e thellimit të reformës për të transformuar vendin edhe në fushën e arsimit. Madje ai nuk vonoi që të marrë hapa konkretë për ta përshpejtuar këtë reformë sa më parë, duke shkuar për një vizitë pune në qytetin e Mësonjëtores së parë Shqipe. Por nëse ai do të hynte në  Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë, i cili është shtëpia më e madhe e rinisë studentore dhe nëse do të kish dijeni për çka është aty, nuk do ishte e tepërt të hamendësojmë vendosjen e një precedenti të pazakontë, pezullimin e menjëhershëm të rektoratit të këtij universiteti.

    Në fakt universiteti “Fan S. Noli” është kthyer me kohë në një organizëm kompleks nepotik, ku nëpërkëmben: dinjiteti njerëzor, liria dhe të drejtat themelore, ndershmëria dhe profesionaliteti. Ky universitet shquhet sot për të dy llojet e diskriminimit: atë të drejtpërdrejtë dhe të jo drejtpërdrejtë. Aty nuk bëhet më fjalë për punë kërkimore shkencore dhe për drejtësi, paanësi dhe transparencë. Ky universitet është kthyer në një gjiriz mbytës edhe për ata pedagogë të ndershëm, që sot punojnë aty në kushtet  e një terrori nga kasta drejtuese e këtij universiteti. Frika kolektive për të mos humbur vendin e punës është tipari mbizotërues në çdo ambient të këtij institucioni.

    Do të dukej e pabesueshme që të ekzistojnë gjithë këto gjëra në një universitet shtetëror dhe me keq akoma, ato të vazhdojnë të ekzistojnë dhe askush të mos i vërejë përveçse një artikullshkruesi si unë dhe që e njohë nga brenda dhe në detaje këtë institucion. Shpesh herë më kanë bërë presione, më kanë kërcënuar ,por përsëri unë kamë folur dhe shpresuar se drejtësia nuk vdesë kurrë. Një drejtësi e vonuar është shumë herë më e mirë se sa një drejtësi e munguar. Si mund të besohet kjo? A kemi ministri të arsimit që monitoron universitetet? Po! Kemi. Kemi patur edhe ministri financash në kohën e piramidave financiare, por ajo heshçe. Dhe atëherë kishim media, por jo në këto përmasa që është sot … Edhe sot kemi media shtetërore në Korçë, por edhe ajo është në kompromis të heshtur mbasi vetë drejtori i filialit të RTSH-së Korçë, zoti Roland Karanxha është jo vetëm  pedagog  i  jashtëm në U.K. por  dhe  “kunati i shokut Xhemal”, sot alias i rektorit i këtij universitetit z. Gjergji Mero.

    Përsa kohë heshtja vazhdon, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë vazhdon edhe ai të çelnikosi konturet e tij njësoj si kartelet e  që kanë marrë në pronësi dhe shfrytëzojnë barbarisht të mbjellat e tyre dhe që po të jetë nevoja ekonomikisht ,financiarisht dhe forcërisht i mbrojnë pa kursyer asnjë gjë.

    Tashmë, korçarët arsimdashës thonë se, nëse qeveria nuk mund të ndërhyjë në universitetin e  Korçës (kështu ajo në heshtje shpall kapitullimin dhe paaftësinë për të kontrolluar edhe një pjesë tjetër të territorit të saj). Kështu  në Shqipërinë tonë të dashur bëhen dy principata të pavarura ,ajo e Lazaratit dhe kjo e UK. Zoti Rama, nëse jeni kuriozë dhe nëse doni të vërtetën pyesni studentët se sa kushton një provim. Kush i merë këto vlera dhe se çfarë bënë krimi ekonomik po shërbimet e specializuara  dhe organet e hetimit?  Pyetini dhe do ta shikoni se çfarë xhevahiresh do të dëgjoni. Sigurisht këto do kenë vlerën e së vërtetës nëse  Zv/Kryeministri Peleshi do të mbajë një qëndrim asnjanës dhe të mos ndikojë apo të mbrojë dikë që e njeh mirë dhe e ka mbështetur fuqimisht. Kjo nuk do të thotë absolutisht se  Nikua  është i implikuar. Ajo që ka të bëjë me Nikon është fakti që ky ndien thjesht dhe moralisht detyrime për dy a tre krerët kryesorë të këtij Universiteti,të cilët e shfrytëzojnë këtë moment.

    Çdokush ka të drejtë të mësojë konkretisht më shumë dhe me fakte se si ndodh kjo. Por, meqenëse dukuritë antiligjore që ndodhin në “Fan Noli” janë aq të theksuara, kam vendosur që respektivisht edhe shkrimet e mia t’i botoj në mënyrë respektive. Kështu ky shkrim do të trajtojë vetëm problemin e nepotizmit në këtë universitet. Ndërsa për diplomat e marra në Bllogojegrad të Bullgarisë dhe në përgjithësi për gradat shkencore të blera dhe për sistemin e shitjes së provimeve e për shumë çështje të tjera të korrupsionit të lartë dhe shpërdorimit të detyrës, do t’i trajtoj me fakte dhe argumente në artikujt pasardhës.

    Pema nepotike e Universitetit “Fan S. Noli”

    Duke qenë se Universiteti “Fan S. Noli” me kohë është bërë në fakt një “stacion hapësinor” për të gjithë “astronautët” e politikës korçare, nuk ka dekan, zv.rektor, rektor, shef departamenti që të mos jetë i ardhur nga politika dhe bile aty fabrikohen edhe deputetët e rinj dhe krerët e rinj të pushtetit lokal për të dy krahët politikë, madje, njëkohësisht këta të fundit shërbejnë edhe për të mbrojtur më vonë sistemin nepotik brenda këtij institucioni nga presioni shoqëror i jashtëm. Interesant është fakti i bashkëjetesës së të dy krahëve politikë brenda universitetit. Duket që torta që kanë përpara (universiteti) është e bollshme që ata jo vetëm të ngopen, por as të mos kenë arsye të hungërijnë me njëri-tjetrin.

     

    Rektori (ish- Kryetar i Këshillit Bashkiak, Korçë dhe anëtar i  përjetshëm i këtij këshilli) – Gjergji Mero në cilësinë e rektorit punëson në Fakultetin e Bujqësisë, bashkëshorten e tij Tatjana Mero si pedagoge në këtë universitet.

    Rektori, Gjergji Mero – i afërt me dekanin e Fakultetit Ekonomik Fredi Çuçllari.  Dekani i Fakultetit Ekonomik  (kuadër i PD)– Fredi Çuçllari  i afërt  i rektorit i punësuar me gjithë të shoqen në të njëjtin fakultet. Është momenti që të verifikohen me detaje diplomat e këtyre,datat e provimeve ku i kanë dhënë , kur kanë shkuar ,ku kanë fjetur ,a i kanë deklaruar këto shpenzime në deklaratë personale që kanë dorëzuar në ILDKP-ë. Koço Nasto dhe bashkëshortja e tij Mira Nasto të katapultuar nga forumet e PD e jo për ndonjë meritë shkencore vegjetojnë në pemën nepotike të këtij universiteti ashtu si Robert Damo (ish- kryetar i bashkisë, i propozuar nga PD) dhe shoqja e tij e auditorit  Irma Damo. Është momenti që të gjithë pedagogët  të testohen për dëshmitë e gjuhëve të huaja dhe në çfarë gjuhe e kanë dhënë provimin. Të bëhet ky testim nga MAS dhe  pastaj do shikoni që s’do ketë nevojë për koment.

    Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë

    Dekani – Ali (Kërçeli) Jashari, Doktor  Profesor (i ardhur në arsimin korçar nga qarqet e majta). Filloi karrierën e tij si linguist në fushën e gjuhësisë me veprën e tij “Neologjizmat në veprat e shokut Enver Hoxha” dhe më pas me një vepër të botuar dhe ribotuar duke iu ndryshuar asaj vetëm titullin për të përligjur gradën shkencore dhe mbajtur karrigen e dekanit edhe për 2-3 vjet të tjera deri në daljen në pension.  Madje  ky dekan-pasha Ali, mendon edhe për të ardhmen shkencore të këtij fakulteti duke  ofruar  aty si pedagoge  të bijën e tij, që e pasuron  edhe më tepër pemën nepotike të këtij universiteti. Jo vetëm kaq, por dekani Ali i gjeti një folezë në këtë “pemë” dhe në zyrën e tij si sekretare bijës së pedagogut të Fakultetit të Bujqësisë E. Spahiu, e cila njëkohësisht është me pagesë.  Besoj se edhe zoti Kërçeli (dekani) duhet të jetë i ndërgjegjshëm që ka bërë shkelje….Padyshim ashtu si rektori Mero, dekani i Ekonomikut Çuçllari edhe Ali dekani as u shkon ndër mend se kanë kryer shkelje, sepse kanë patur parasysh në këto emërime rregulloren e etikës së këtij universiteti shtetëror (nëse mund ta quajmë të tillë).

    Erion Nexhipi (anëtar i Këshillit Bashkiak nga PS),  ndodhet në pemën nepotike të këtij universiteti me të shoqen dhe e vetmja “shkencë” që bën është botimi i buletinit dhe materialeve të tjera të këtij universiteti.

    Kështu Anila Manxhe, pedagoge në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë i ka tashmë shpatullat e ngrohta dhe duhet të vërtetojë  lidhjet e sajë me Benita Manxhe (vetëm 22 vjeç) si zv.rektore dhe anëtare e senatit (si e tillë duhet patjetër të kesh  doktoraturën) kur pedagogë të spikatur dhe me stazh nuk e gëzojnë këtë status dhe kur neni 13, pika 3 e statutit të U. ”Fan S. Noli” përcakton se: “Anëtarët e Senatit Akademik, të zgjedhur nga personeli akademik duhet të kenë të  paktën gradën shkencore “Doktor”. Po rregullorja etike e këtij universiteti në faqen e pasme të saj, duket që bëka dhe përjashtime.

    Nëse do të bëja pedigrenë e pemës nepotike të këtij universiteti që kap rreth 50% të stafit atëherë kjo do të ishte një punë e mirëfilltë shkencore që do të më shërbente për një titull në shkencat sociale rreth fenomenit të nepotizmit në shoqërinë e sotme shqiptare. Por meqë nuk kam ndonjë motiv të tillë po mjaftohem me ato pak që përmenda. Realiteti është se mbi 50% e të punësuarve në Universitetin “Fan Noli” Korçë janë të pemës nepotike dhe se përqindja e tyre po rritet në disfavor të pjesës që e meriton të jetë aty. Tanimë Universiteti “Fan Noli” është në epokën e çiftëzimit nepotik të pandërprerë prej askujt. Nëse kjo epokë do të zgjasë edhe ca… dihen rezultatet e çiftëzimit, por e keqja më e madhe është sepse e tërë kjo pemë nepotike i ka rrënjët në buxhetin e shtetit. Dhe ky universitet mund të thirret edhe privat paçka se paguajnë taksapaguesit shqiptarë.

    Për të mos folur për korrupsionin e lartë që është një nga burimet e ushqimit dhe mbajtjes në këmbë të kësaj peme, le të shohim se ç’thotë vetë  statuti dhe rregullorja e etikës e UK për rregullat e punësimit dhe për nepotizmin.

    Në nenin 47 “Procedura e punësimit” të statutit të UK “Fan Noli” shkruhet:

    1. 1.  Marrja në punë e personelit në U.K. kryhet me konkurrim publik.
    2. 2.  …Për vendet e lira në fakultete, dekani përkatës përgatit kriteret e përgjithshme dhe të veçanta, të cilat ia njofton Rektoratit.
    3. 3.  Dekani i fakultetit përkatës ngre komision  ad hoc të konkursit publik për vlerësimin e kandidaturave për punësimin e personelit akademik…
    4. 4.  Për emërimin e personelit akademik, dekani i fakulteti përkatës i paraqet rektorit kandidatin e renditur i pari në klasifikimin e bërë nga komisioni ad hoc i konkursit publik. Rektori lidh kontratë pune me kandidatin e përzgjedhur.

    Tani, për rastin kur dekani i fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë punëson të bijën në fakultetin ku drejton vetë zoti Ali Jashari dok. prof. dhe Rektori z. Gjergji Mero punëson të shoqen, le të shohim se ç’thotë “rregullorja e etikës e UK “Fan Noli””.

     

    Neni 8 – Konflikti i interesit

    Ka konflikt interesi kur interesi privat i një anëtari të universitetit, me përjashtim të studentit, bie në kundërshtim realisht apo pontecialisht me interesin, jo vetëm ekonomik, të universitetit…

    Neni 9 – Nepotizmi

    UK dënon nepotizmin dhe favorizimin, të cilët bien në kundërshtim me dinjitetin njerëzor, me vlerësimin e meritave individuale, profesionalitetin dhe lirinë akademike, me drejtësinë, paanësinë dhe transparencën dhe u kërkon pedagogëve dhe çdo anëtari tjetër të universitetit të përmbahet nga të tilla zakone dhe t’i referojë Këshillit të Etikës rastet e dyshimta.

    Kemi të bëjmë me nepotizëm apo favorizëm, kur një pedagog  apo një pjesëtar i personelit administrativ, direkt ose indirekt, përdor autoritetin e tij apo aftësinë bindëse për të dhënë përfitime, për të favorizuar detyra apo emërtime, për të influencuar mbi përfundimet e konkurseve apo në procedurat e përzgjedhjes që kanë të bëjnë, në veçanti, por jo ekskluzivisht, me fazën fillestare të formimit në karrierën  universitare apo në dhënien përparësi të fëmijëve, familjarëve apo personave që bashkëjetojnë me ta.

    Siç shihet edhe nga statuti edhe nga rregullorja e etikës, shkelësit e këtyre të fundit janë vetë drejtuesit kryesorë të universitetit. Vetë rektori firmos kontratë për të shoqen e vet. Njëkohësisht po ky rektor  firmos dhe kontratën e të bijës së dekanit. Së fundi ish drejtorit të bujqësisë, nënkryetarit të PD zoti Maho, i firmoset kontrata e punësimit në Universiteti  po nga Rektori  Mero.

    Kuptohet që Universiteti “Fan Noli”, Korçë nuk është më një universitet i pavarur në bazë të statutit, por ai është një mollë e famshme korçare në të cilën vegjetojnë të gjithë  agallarët e politikës, duke kaluar fazat të ndryshme në karrierën e tyre sa nga universiteti në politikë aq edhe nga politika në universitet. Jo rastësisht nga rektorati i këtij universiteti Korça përfaqësohet me të zgjedhur në të gjitha nivelet e politikës shqiptare, që nga pushteti lokal deri në Parlamentin shqiptar. Është e tepërt të përmendim prefektët, Kryebashkiakët, kryetarët e këshillit bashkiak dhe 5-6 deputetë të cilëve u ruhet vendi i punës në këtë universitet sa herë që bien nga fiku i politikës. Nëse zoti Rama dhe qeveria e tij e ka seriozisht që t’i shkojnë deri në fund kësaj “emergjence kombëtare” në arsimin e lartë, duhet t’i çmontojnë atij suportin politik bipartiak, ku mbështetet pema nepotike dhe t’ua kthejnë pemën e shëndoshë shkencore rinisë studentore, që aspiron për dije dhe nivel përpara se të ngjajë ajo që ngjau në Universitetin e Prishtinës.

    Edhe njëherë qeveria duhet të kursejë ngjarje të tilla duke bërë auditin në këtë universitet dhe shkelësit e rregullores dhe statutit e shpërdoruesit t’i çojë në prokurori.  Sfida nuk është e lehtë sepse drejtuesit e këtij universiteti janë të pleksur me qindra fije me të dy krahët e politikës, si dhe me drejtësinë e korruptuar.

    Pra korrupsioni, që po i merr frymën shoqërisë shqiptare, është në nivelet e larta dhe paralel. Vështirë të besohet se ai do të shembet duke zënë poshtë ata që përfitojnë prej tij, me një të rënë të sëpatës dardhare siç është edhe kjo reformë e ndërmarrë në arsim me të drejtë  nga Kryeministri i vendit  zoti Edi Rama.