Universitetet publike nisin aplikimin për studimet master, ja kriteret dhe dokumentet

    99
    Universitetet publike kanë hapur regjistri met për ciklin e dytë të studimeve Master Profesional dhe Master Shkencor. Afati i fundit i aplikimeve ende nuk është zyrtarizuar, pasi do të miratohet nga udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, udhëzimi i cili ende nuk është firmosur. Në total qeveria ka miratuar 18.239 kuota pranimi për vitin akademik 2015-2016. Fakultetet e Universitetit të Tiranës, kanë njoftuar se në sekretaritë mësimore të fakulteteve pranohen dokumentet e kandidatëve që duan të garojnë për kuotat e ciklit të dytë në Master Profesional dhe Master Shkencor.

    Ndërkohë që, përparësi do të kenë studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë të studimeve në Universitetin e Tiranës. Kriteri kryesor i universiteteve për përzgjedhjen e studentëve fitues është nota mesatare e studimeve bachelor. Disa fakultete të UT, në dokumentet që kanë kërkuar, veç diplomës së studimeve bachelor, kanë kërkuar edhe diplomën e përfundimit të gjimnazit si dhe listën e notave. Sipas dekanes së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, ky dokument kërkohet për kandidatët që vijnë nga universitetet e tjera, pasi mund të kenë mbaruar me mesatare të lartë studimet në ciklin e parë me nota fiktive, ndërkohë që në gjimnaz mund të kenë qenë me mesatare shumë të ulët.

    “Ligji i ri i arsimit parashikon që kriteret e pranimit në ciklin e dytë të studimeve i përcaktojnë vetë universitetet. Normalisht që, përparësi ne do t’u japin studentëve tanë, që kanë mbaruar ciklin e parë të studimeve në UT, dhe më pas studentëve që vijnë nga universitetet e tjera. Ka disa fakultete që kërkojnë diplomën e gjimnazit, pasi, pa paragjykuar asnjë institucion, mund të ndodhë që një student që mund të ketë mbaruar në privat me mesatare 10, kërkon që të hyjë, por kush na e vërteton neve se notat që ka marrë nuk janë fiktive?! Ndaj kërkohen notat e gjimnazit, për të bërë këtë verifikim. Ndërsa, sa i përket afatit të fundit të aplikimit, kjo gjë do miratohet me udhëzim të Ministrisë së Arsimit. Deri tani nuk na ka ardhur asnjë udhëzim, por ne aplikimet i kemi hapur, pasi dokumentet mund të pranohen”, – theksoi Dibra.

    KRITERET
    Të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë kanë kandidatët që: kanë përfunduar në Republikën e Shqipërisë me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse, në një program të parë bachelor ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit; janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë bachelor ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë dhe kanë kryer njësimin e diplomës pranë MAS. Këtë vit kriteret do të jenë në dorë të universiteteve.
    Kjo gjë është përcaktuar edhe në vendimin nr.866, datë 23.10.2015, të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet se: “Përzgjedhja e studentëve për vitin akademik 2015- 2016 do të bëhet në bazë të kritereve të vendosura nga vetë institucionet e arsimit të lartë.” Sipas njoftimeve të Fakulteteve të Universitetit të Tiranës, kriteri bazë i përzgjedhjes së fituesve do të jetë nota mesatare dhe përparësi do të kenë studentët që kanë mbaruar ciklin e parë të studimeve në UT.

    DOKUMENTET 
    Kandidatët duhet të paraqiten personalisht në sekretaritë mësimore për dorëzimin e dokumentacioneve. Aplikimet janë hapur që në datën 28 tetor 2015, por afati i fundit i regjistrimeve ende nuk është përcaktuar nga Ministria e Arsimit, i cili duhet të bëhet nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm. Dokumentacioni që duhet të dorëzojnë kandidatët është: Diplomë, ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduara në Republikën e Shqipërisë.

    Për diplomat e fituara jashtë vendit, vërtetimin e njohjes të lëshuar nga MAS, të diplomës të ciklit të parë të studimeve të përfunduara jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës së njësuar me origjinalin, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës; Diplomën e maturës shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, e konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA). Kandidatët që kanë përfunduar shkollën para krijimit të Maturës Shtetërore në vitin 2006, paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinale ose në rast fotokopjeje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore DAR/ZA).

    Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmohet nga njësia përkatëse arsimore vendore, ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave; Formularin e aplikimit (ku kandidati jep të dhënat e tij personale dhe deklaron se nuk po ndjek asnjë program tjetër studimi njëkohësisht me programin ku po aplikon); Mandatpagesa e tarifës së aplikimit prej 2500 lekësh, paguar në Postën Shqiptare (për të gjithë kandidatët); Fotokopja e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë) si dhe dy fotografi personale.

    DOKUMENTACIONI QË DUHET TË DORËZOJNË KANDIDATËT
     Diplomë, ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë;
     Për diplomat e fituara jashtë vendit, vërtetimin e njohjes të lëshuar nga MAS, të diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduara jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës së njësuar me origjinalin, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës;
     Diplomën e maturës shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, e konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA);
     Kandidatët që kanë përfunduar shkollën para vitit 2006, paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinale ose në rast fotokopjeje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore DAR/ZA);
     Në rast se kandidatët kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2006 dhe kanë dhënë me sukses provimet me zgjedhje, paraqesin edhe dokumentin përkatës të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve;
     Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku kanë përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore, ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave;
     Formularin e aplikimit (ku kandidati jep të dhënat e tij personale dhe deklaron se nuk po ndjek asnjë program tjetër studimi njëkohësisht me programin ku po aplikon);
     Mandatpagesën e tarifës së aplikimit prej 2500 lekësh, paguar në Postën Shqiptare (për të gjithë kandidatët);
     Fotokopjen e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë);
     Dy fotografi personale;
     Kandidatët duhet të paraqiten personalisht në sekretaritë mësimore për dorëzimin e dokumentacioneve.
     Aplikimet bëhen çdo ditë, prej orës 08:00 deri më 16:00 (afati i fundit nuk është përcaktuar ende nga MAS).