Ultimatumi: Sot, 30 veta në grevë urie pa afat, nëse qeveria nuk ndërhyn

    407
    Sigal

    Zharrëz/ Protesta e banorëve pas fenomenit “tërmet”. MEI do të monitorojë lëkundjet, që sot

    Këshilli i komunës Zharrëz ka zhvilluar dje një takim emergjent me përfaqësuesit e komunitetit, të ministrisë së Energjetikës dhe Albpetrolit, për të diskutuar rreth situatës së krijuar dhe zgjidhjes së  fenomenit “tërmet”. Ata fillimisht u kanë kërkuar banorëve qetësimin e situatës, gjakftohtësi e vetëpërmbajtje. Këshilltarët i janë bashkuar jo vetëm shqetësimit të komunitetit, por edhe pretendimit të tyre se lëkundjet e tokës, të cilat kanë dëmtuar rëndë dhjetëra  banesa dhe biznese, janë shkak i injektimit të ujit në puset e naftës të kompanisë “Bankers Petroleum”. Ata kanë kërkuar një tryezë të përbashkët bisedimesh me kompaninë kanadeze, në rast të kundërt, protestat do të vazhdojnë më të fuqishme. Gjithashtu këshilli i komunës ka kërkuar ndërhyrjen urgjente të qeverisë për zgjidhjen e problemit, duke i kërkuar kompanisë së huaj plotësimin e standardeve dhe mbrojtjen e mjedisit ose largimin e saj. “Procesi duhet të ndërpritet menjëherë dhe të monitorohet situata. Grupet e punës të studiojnë shkencërisht shkaqet”, u shpreh kryetari i Këshillit të Komunës, Dylber Karafili. Këshilltarët kanë vendosur se në qoftë se kompania kanadeze nuk do të ulet në bisedime, ata do të hyjnë në grevë urie, si një nga mjetet më sensibilizuese, sipas tyre, për zgjidhjen e problemit. Kryetari i komunës, Taulant Grëmbi, ka zhvilluar një takim me prefektin e qarkut, Xhevit Bushi, ku ka marrë premtimin se qeveria do të veprojë shpejt dhe në mënyrë ligjore për sqarimin e situatës dhe zgjidhjen e saj.

    Protestat e banorëve

    Vazhdojnë protestat e banorëve të komunës së Zharrësit në Fier, kundër shpërthimeve të kompanisë “Bankers Petroleum”. Që nga mbrëmja e e së mërkurës, më shumë se 200 banorë kanë protestuar për shpërthimet që shkaktojnë tërmete. Banorët gjatë paradites së djeshme kanë bllokuar rrugën nacionale Fier-Berat, në shenjë proteste në lidhje me këtë ngjarje. Ata kanë djegur goma makinash duke bllokuar totalisht rrugën nacionale. Ndërkaq, që banorëve të Zharrëzit, gjatë mëngjesit të djeshëm u janë bashkuar edhe ata të Marinzës dhe Roskovecit. Gjatë mbrëmjes së mërkurë, mbi 600 banorë të zonës naftë-mbajtëse të komunës së Zharzës kanë protestuar pas një shpërthimi të fuqishëm që ka ndodhur në këtë zonë rreth orës 18:40 minuta. Gjatë protestës ka pasur një shtim të forcave të policisë si dhe ato të FNSH-së.

    Reagimi i Ministrisë

    Ministria e Energjisë dhe Industrisë informon se që prej ditës së sotme do të nisë puna në terren për të kryer montimin e dy stacioneve sizmike të cilat do të shërbejnë për monitorimin sizmologjik të aktivitetit në vendburimin e naftës në zonën e Patos Marinzës. Përfaqësues të Ministrisë, të Albpetrolit, të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe të Institutit të Gjeoshkencës do të jenë në zonën e Patos Marinzës për të kryer veprimet e para të përcaktimit të zonës ku do të montohen dy stacionet të cilat tanimë kanë mbërritur dhe janë gati për tu vënë në punë. Fillimisht do të nisë monitorimi i lëkundjeve përmes këtyre dy stacioneve dhe më pas do të vendoset edhe një i tretë fiks dhe dy të tjerë të lëvizshëm. Së bashku, këto pesë stacione do të mund të shërbejnë për të nxjerrë konkluzionin për shkaqet e lëkundjeve dhe nëse ato kanë apo jo lidhje me aktivitetin naftë nxjerrës të kompanisë Bankers Petroleum që operon në Patos Marinzë. Ministria e Energjisë dhe Industrisë garanton se është e vendosur për të zbuluar sa më shpejt shkaqet e lëkundjeve dhe për t’i dhënë përgjigje shqetësimit të banorëve të zonës.