Ulet në 55 vjeç mosha e daljes në pension për minatorët. Ja ligji i plotë

    175

    Mbledhja e Qeverisë/Miratohet Projektligji “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”

    Qeveria shqiptare ka miratuar Projektligjin “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, i cili i kalon Kuvendit për miratim në komisionet parlamentare. Ky projektligj parashikon uljen e moshës së daljes në pension në 55 vjeç për minatorët e nëntokës. Sipas projektligjit, periudha e sigurimit shoqëror parashikohet 30 vite gjithsej, nga të cilat 12 vjet e 6 muaj punë në nëntokë. Ndërsa përsa i takon kontributeve, “personat, të cilët do të kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do të paguajnë kontribute shtesë, në masën 5 për qind të pagës bruto, për efekt kontributi. Kontributi shtesë paguhet 3 për qind nga punëdhënësi dhe 2 për qind nga punëmarrësi”, thuhet në projektligj. Referuar kushteve për pension, sipas këtij projektligji dhe bazuar në numrin aktual të të punësuarve në miniera në nëntokë, parashikohet që për katër vite numri i personave që përfitojnë nga ulja e moshës të arrijë në 3.840 vetë. Personat që do të trajtohen sipas këtij projektligji, përveç pensionit të parashikuar, do të përfitojnë edhe kompensimin për të ardhurat minimale, si dhe kompensimet që rrjedhin nga rritja e çmimit të energjisë elektrike etj, ashtu si edhe personat e tjerë që përfitojnë pension pleqërie. Ndërsa për llogaritjen e masës së pensionit, veprohet sipas përcaktimeve të neneve 32 dhe 59, të Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993. Gazeta “Telegraf” zbardh të plotë projektligjin e miratuar dje me vendim qeverie.

      P R O J E K T L I GJ

    PËR PENSIONET E PUNONJËSVE QË KANË PUNUAR NË MINIERA, NË NËNTOKË

    Neni 1

    Qëllimi

    Ligji ka për qëllim rregullimin e pensioneve të pleqërisë për punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, me moshë, vjetërsi të përgjithshme dhe vjetërsi pune në profesion, më të vogël se ato të përcaktuara në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

    Neni 2

    Subjektet përfituese

    Subjektet përfituese janë:

    a) punonjësit, të cilët deri në datën 30.9.1993 kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë, sipas përcaktimeve në vendimin nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar, kreut 1.

    b) punonjësit, të cilët pas datës 30.9.1993 kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë, të dokumentuara sipas kritereve të përcaktuara në vendimin e mësipërm, pavarësisht nëse të punësuarit kanë kryer aktivitet ekonomik në subjekte private apo me kapital plotësisht ose pjesërisht shtetëror.

     Neni 3

    Kushtet e përfitimit

    Kanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie si punonjës të minierave, në nëntokë, punonjësit, të cilët:

    a) arrijnë moshën 55 vjeç;

    b) kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 12 vjet e 6 muaj të jenë në procese pune në miniera, në nëntokë.

    Përjashtohen nga kushtet e vendosura në shkronjën “b”, të këtij neni, ish-punonjësit e nëntokës që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas Ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, të cilët do të përfitojnë pension sipas këtij ligji, kur të arrijnë moshën 55 – vjeç dhe të kenë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë (përfshirë këtu edhe periudhën e trajtimit të veçantë financiar), nga të cilat, jo më pak se 11 vjet e 6 muaj të jenë në procese pune në miniera, në nëntokë.

     Neni 4

    Masa e pensionit

    Pensioni do të llogaritet sipas përcaktimeve të neneve 32 dhe 59, të Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

     Neni 5

    E drejta për përfitim

    E drejta për të përfituar pensionin e pleqërisë sipas këtij ligji nuk parashkruhet.

    Personi, i cili kërkon të përfitojë pension sipas këtij ligji, jo më vonë se një vit nga data e lindjes të së drejtës, e merr pensionin nga ajo datë. Në raste të tjera, pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës.

    Personi, i cili ka përfituar pension sipas këtij ligji, nuk ka të drejtë përfitimi të kësteve për periudhën/periudhat gjatë të cilave ushtron veprimtari ekonomike si i punësuar, i vetëpunësuar apo punëdhënës, me përjashtim kur vetëpunësohet në bujqësi.

    Përfitimet e caktuara, por të patërhequra, paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.

    Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.

    E drejta e organit kompetent për të kërkuar shumat e marra tepër, gjatë një viti, ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit. Masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit.

    Personi, i cili ka përfituar të ardhura në mënyrë e me mjete të padrejta dhe që nuk njofton ndryshimin ose heqjen e masës së tyre, detyrohet të kthejë të gjithë shumën e marrë tepër. Masa e ndalesës për çdo muaj është 50 për qind e këstit mujor të pensionit.

     Neni 6

    Financimi

    Përfitimet nga ky ligj financohen nga kontributet shtesë dhe nga buxheti i shtetit.

    Personat, të cilët do të kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do të paguajnë kontribute shtesë, në masën 5 për qind të pagës bruto, për efekt kontributi. Kontributi shtesë paguhet 3 për qind nga punëdhënësi dhe 2 për qind nga punëmarrësi.

    Kontributi i sigurimeve shoqërore, në masën 5 për qind, mblidhet dhe derdhet në fondin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, sipas procedurave për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të përcaktuar në Ligjin nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

    Diferenca ndërmjet efektit financiar të këtij ligji, deri në plotësimin e moshës së përfituesve, sipas nenit 31, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me kontributin shtesë, do të përballohen nga buxheti i shtetit.

    Procedurat e financimit rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

     Neni 7

    Kërkesa për përfitim

    Pensioni jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili do të paraqesë dokumentacionin përkatës, sipas rregullave në fuqi dhe përcaktimeve në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

     Kërkesa për pension, së bashku me dokumentacionin përkatës, paraqitet pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore, ku përfituesi ka vendbanimin.

     Neni 8

    Kompensimet

    Për pensionet me datë fillimi para datës 1.1.2015, masës së pensionit të llogaritur sipas nenit 4, të këtij ligji, do t`i shtohen edhe kompensimet për çmimet dhe për të ardhurat, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave dhe në bazë të kritereve që zbatohen edhe në rastin e pensioneve të pleqërisë, të caktuara sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

    Përfitimet e caktuara sipas këtij ligji indeksohen, me vendim të Këshillit të Ministrave, sa herë dhe në atë masë që rriten ose indeksohen pensionet e pleqërisë, nga sigurimi i detyrueshëm shoqëror.

     Neni 9

    E drejta për të zgjedhur përfitimin

    Përfituesit e trajtimit të veçantë financiar si punonjës të minierave të nëntokës, sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, që plotësojnë kushtet e këtij ligji, kanë të drejtë të zgjedhin mes përfitimit që kanë dhe përfitimit që u lind nga ky ligj.

     Neni 10

    Llogaritja e pensionit

    Llogaritja, caktimi, administrimi dhe pagimi i pensioneve që rrjedhin nga ky ligj bëhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas procedurave në fuqi për pensionet, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

     Neni 11

    Aktet nënligjore

    Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e neneve 6 dhe 8, të këtij ligji.

     Neni 12

    Dispozita të fundit

    Ligji nr.10165, datë 15.10.2009, “Për caktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës”, shfuqizohet.

     Neni 13

    Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.