UKSHIN MORINA/ Poezi

    402
    Sigal

    TI DO TË ECËSH MBI RËNKIMET E FTOHTA…

     Unë s’do mund të kthehem në ditët e tua,

    kur dielli të përkund botën mëngjeseve, dashuritë e mia

    s’do jenë ndokund, por që flladi i lehtë i mbrëmjes,

    di i shpie në oborrin e shtruar me gjethe të thata të vjeshtës.

    Ti do të ecësh mbi rënkimet e ftohta,

    por që s’do të mund të dëgjosh nga dhembjet e thella shpirtin

    e vrarë, aty frymojnë hijet e natës,

    që si një copë shkëmbi bien mbi shtatin tënd.

    Përtej çdo ëndrre rroj,

    prej nga mund të shohë hapat e tu në mbrëmjet e gjata,

    duke mbledhur në kopsht gëzimet e humbura të dhembjes.

    Ti qan’ si rënkimi vajtues i kitarës,

    si era e dimrit derdh lot dëbore dhe je kaq e pafat në k’ të natë,

    ku mëngjesi s’duket askund.

    Ti që në shpirt ndizesh si një zjarr shekullor, në peizazhin e viteve

    të mbetura nën rrënojat e humbura,

    përtej fushave ku shtrihen hijet e bardha shkon, duke lënë pas

    frikën e ikjes, që tek mua mbeten si relikte të vjetra.

     

     

    TI FLE MBI TERRIN E NETËVE TË RËNDA

    Që prej shumë kohesh sytë e mi të kërkuan ty çast i munguar,

    ty rima buitëse e agut,

    që zbardh dhembjen time në flokrat e tua të lagështa.

    Ishe ti që prej shumë kohësh qaje më atë shpirtin e palumtur,

    s’di nëse ishte i yti vajtim a i imi zë i dyzuar?

    Ti që me harresën e një të vdekuri

    këndon në guvën e ftohtë për një mijë mjerimet e mia të mbetura

    mes vargjeve të plumbta, si një qiell i shkrehur në natë.

    Më thuaj kur mes lotësh ti lulja e prarimit,

    ti heshtje e pazëshme, që si një dimër ngrijnë gëzimet e shfrenuara.

    Jam këtu i ndrynur nga duart që i puthja, ti zëri dridhur i një timbri

    të mbetur nga besa jote e dhënë,

    jam këtu si një shpirt i mërguar larg gjithçkaje që si një det i thellë fsheh hidhërimet e mia.

    S’di në kam të drejtë ende të vuaj ti zot i dashurisë, kur zemra,

    oh sa më rënkon!…

    s’di dhe më thuaj ti që në vetmi lexon trishtimin e një të huaji!?

    Ti fle mbi terrin e netëve të rënda aty ku unë flas me

    pëshpërimat e tua që puhia e erës m’i shpie si fjolla dëbore.

    Zemra e dridhur ende e ngrohte në natën e bardhë, ndërkohë

    që këngëzimet e tua mizore, kryqëzohen në shpirtin e gjakosur.

    Ti mos loto o stuhi që rritesh në burgun tim, në breg të lumit mos

    shko e vetme, prit dhe një natë tjetër të vijë!