Ujësjellësi, qytetarët grabiten me fatura abuzive

    460
    Sigal

    SHQETËSIMI/Mungojnë sahatet e ujit. Faturat llogariten për frymë

    Në Tiranë në shumicën e rasteve mungojnë matësat që matin konsumin e ujit në familje. Kur ka sahate, nuk ka kontroll. Çdo muaj faturistët vëzhgojnë matësat e elektrikut. Për sahatet e ujit askush nuk e vë ujin në zjarr. As kompania. As qeveria. Faturat llogariten për frymë. Pothuaj në të gjithë lagjet e Tiranës vihet re mungesa e matësave: në rr. Bardhyl, Tregun Industrial, në rr. Siri Kodra, te Uzina, te Ali Demi, Kombinat, Bregu i Lumit, Shkozë etj. Banorët e kryeqytetit paguajnë sasi uji të pamatshme. Edhe pse në pikat e para të “Kontratës tip të Ujëmatësit thuhet se “1. Operatori duhet të instalojë ujëmatësin për çdo konsumator, sipas legjislacionit në fuqi. 2. Operatori detyrohet të furnizojë, të instalojë, të mbikëqyrë dhe të zëvendësojë ujëmatësin. 3. Operatori merr masat e nevojshme për cilësinë dhe funksionimin e ujëmatësit, sipas standardeve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Operatori është përgjegjës për jetëgjatësinë e ujëmatësit, sipas kësaj kontrate. 4. Konsumatori detyrohet për shpenzimet e furnizimit dhe të instalimit të ujëmatësit sipas faturës që jepet nga operatori”. Pra,çdo qytetar duhet të jetë i pajisur me matës dhe të paguajë aq sa harxhon, por kjo nuk ndodh në realitetin tonë. Madje, edhe ata që kanë matësa, nuk paguajnë, aq sa harxhojnë. Pra, të gjithë nuk kanë matësa, sepse dhe ato që janë, nuk lexohen, por hamendësohen nga tavolina e lexuesve të sahateve. Puna për lexuesit e sahateve është një kënaqësi më vete, janë komodë dhe nuk lodhen. Ata e dinë fare mirë numrin e atyre që nuk kanë matësa dhe paguajnë për frymë, ndërsa për të tjerët u shkon fatura e një muaji më parë, apo hamendësohet, apo mbifaturohet sipas llogarive të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime. Ata që paguajnë, shpesh, ndjejnë mbi xhepat e tyre mbifaturimin. Ndërsa Drejtoria e Ujësjellësit i është rikthyer vjedhjes së qytetarëve përmes faturave të ujit, për të mbuluar humbjet e mëdha të ndërmarrjes, që duket se janë shtuar edhe pas amnistive të herëpashershme të qeverisë gjatë fushatave elektorale për të gjithë debitorët. E gjithë gropa e krijuar në financat e Ujësjellësit, po u faturohet qytetarëve, të cilët e paguajnë rregullisht ujin e konsumuar. Sepse ka dhe të tillë që nuk paguajnë, të cilat përligjen, kur marrin vesh se vetë ata, që na qeverisin, janë në borxh me Ujësjellësin. Siç ishte vetë rasti i ish Kryeparlamentares, Jozefina Topalli që kishte dy vjet që nuk i paguante faturat e ujit. A thua se varfëria i kishte trokitur në derë dhe rroga që merrte, nuk e përballonte dot pagesën e faturës së ujit. Por ka dhe raste të tjera, kur abuzohet nga Ujësjellësi duke mbifaturuar qytetarë, apo kompani private të ndryshme. I tillë është rasti i shoqërisë “INTERNACIONAL” sh.p.k. e cila e ka hedhur në gjyq Ujësjellësin, për mbifaturim. Sigurisht që dikush duhet të paguajë humbjet e Ujësjellësit, i cili vazhdon të grabisë qytetarët e ndershëm me fatura abuzive.

     Ujësjellësi në gjyq.“Internacional” shpk:Të më kthehet diferenca në lekë e afrofesë me konsumin real

     Shoqëria “INTERNACIONAL” Shpk  ka depozituar në Gjykatën e shkallës së parë, Tiranë, në datë 11.10.2013 padinë nr. 18333 për Ujësjellës Kanalizime Tiranë sha (U.K.T sha) me bazë ligjore, Neni 772 – 783.

    Lloji i Çështjes është Padi Kontrate Furnizimi (Neni 772-783) me objekt: “Pavlefshmërinë e detyrimit të komunikuar në bazë të “Njoftimit për likujdim të detyrimit” Nr.Ekstra, datë 05/09/2013 për kontratat e furnizimit Nr. 160819- 1 dhe kontratës nr.160818-1. Kthimin e diferencës së shumës së paguar afrofe dhe vlerës së sasisë reale të konsumuar realisht. Marrjen e masës provizore të sigurimit të padisë duke vendosur pezullimin e veprimeve për ndërprerjen e furnizimit me ujë nga ana e “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” Sha, deri në përfundimin e gjykimit”.